Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA E “MBIJETESËS” ME LAÇIN/ Mema u druhet tolerimeve: Tjetër “vdekje” për mua nëse ekipi “bardheblu”…

Ardian Mema ka thënë gjithçka në fund të Tirana-Kastrioti. E konsideron vdekje nëse skuadra bie nga kategoria. Trajneri i Tiranës ka folur edhe për kombinimet për të qëndruar në Kategorinë Superiore.

Mema u ka bërë thirrje lojtarëve që të kthejnë situatën në favor të Tiranës, por kjo duhet të bëhet me një rezultat pozitiv në sfidën e radhës me Laçin, që gjithsesi është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ja intervista e Ardian Memës dhënë për mediat pas sfidës me Kastriotin.

Çfarë ndodhi ndaj Kastriotit?

Ka munguar karakteri sportiv. Kjo është ajo pjesa që lojtarët duhet të kenë një përqendrim më të mirë dhe shpirt gare. Kjo gjë më ka lodhur më shumë që prej fillimit të sezonit. Megjithatë, do të shohim takimet në vazhdim. Asgjë nuk ka marrë fund. Ne do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund.

mema xafa stoli

Ama, gjithçka është në dorën tuaj?

Është në dorën tonë, por të them të vërtetën në ditët në vazhdim do të shikoj se ku do të ndërhyhet dhe çfarë do të bëj, sepse në Laç kemi një ndeshje shumë të vështirë. Në atë fushë do të mundohemi të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

I druheni aleancave pas shpinës së Tiranës, apo nuk doni të polemizoni?

Unë kam çfarë të them, por kur të mbarojë kampionati do të them gjithçka. E kam thënë edhe nëpër konferenca shtypi që ka pasur dhe ka aleanca, por unë jam i qetë. Askush nuk i ka falur gjë Tiranës. Deri këtu jemi me forcat tona.

Shkoni në Laç në një fushë ku në tri sfida të luajtura keni humbur tri herë?

Është fushë e fortë dhe jo e kollajshme. Laçi është ekip i mirëndërtuar. Është i përbërë me djem të rinj, por lufton shumë. Ne nuk shkojmë të dorëzuar në Laç.

ardian mema

A e konsideroni barazimin të pranueshëm në Laç?

Çdo rezultat pozitiv është i pranueshëm.

Keni folur për fatin, por këtë herë fati ishte me ju, ndonëse ekipi shpërdoroi disa raste për gol?

Edhe të shtunën ishte kështu, por edhe ne kishim rastet tona. Janë dy raste flagrante me Hasanin e Ngonë. Unë nuk e gjykoj lojën me raste, por me lojë. Ne nuk kemi luajtur mirë. Ky është gjykimi im, ndërsa rastet janë si të luash.

Çfarë u thatë djemve në dhomat e zhveshjeve?

Nuk u thashë asgjë. Hyra te dhoma ime dhe po mendoja. Nuk është momenti për të folur dhe për të qenë i nervozuar. Lojtarët ishin vetë të nervozuar. Nga lojtarët me eksperiencë dhe nga njerëz të stafit u tha që asgjë nuk ka marrë fund. Tani është finalja tjetër.

Kastrioti gëzoi shumë, por ka kalendar goxha të vështirë?

Kjo është nga ato gjërat e çuditshme. Nuk e kuptoj se si gëzohen para kohe. Edhe sikur ta fitoja ndeshjen, nuk do të gëzoja, sepse për sa kohë është matematika, nuk mund të flasësh. Nëse duan që të tolerohet, le ta bëjnë. Nuk jam i fuqishëm për ta ndaluar një gjë të tillë.

E shikoni si shenjë…

Edhe mund të jetë. Kujtoj këtu ndeshjen që na kanë grabitur në Krujë (FushëKrujë). Atë e pa gjithë opinioni sportdashës dhe gazetarët. Ne nuk i kemi grabitur asgjë askujt. Jemi këtu me këmbët tona.

Do ta besonit nëse ju tregonin para ndeshjes se do të shkonte kështu?

Nuk do ta besoja, sepse ndeshja ka qenë një nga performancat më të këqija në sezon. Duhet të ishim me vrull, me forcë, me grintë e dëshirë. Nuk bëmë atë që duhet. Është një ndeshje e njëjtë si ajo me Partizanin, ku nuk bëmë asgjë.

Ndikoi mungesa e tifozëve?

Sigurisht që po. Me ta kemi një lidhje shpirtërore, por edhe ata janë të zhgënjyer. Përbrenda kanë një zhgënjim prej nesh. Unë marr përgjegjësitë e mia.

Personalisht i donit tifozët?

I doja dhe i kam dashur gjithmonë. Nuk mund të luhet pa tifozë. Nëse luan me stadium bosh, është si të dëgjosh muzikë funebër. Deri sa kam pranuar të rri te Tirana, kam pranuar edhe kushtet e saj, pra të qenit kështu siç është. Përgjegjësitë e mia janë të parat. Unë do të marr përgjegjësitë për çdo lloj rezultati negativ dhe pozitiv. Tiranën unë kështu e kam gjetur. Nuk është ekipi që e kam ndërtuar unë. Kemi bërë mirë disa herë, por që nëse ndodh diçka negative, u them miqve që na ka rënë një vdekje. Unë jam i lidhur, por inshallah çunat do na heqin këtë lloj stresi dhe do të shohim përpara.

Related posts

CHAMPIONS LEAGUE/ Ndeshje spektakolare, Chelsea mposht Malmon me “POKER”

Delo.autor

VIDEO/ Manchester City në avantazh, Sterling shënon me shpejtëzi ndaj Watford

Q.Autor

SFIDA GJYSMËFINALE NDAJ FIORENTINA-S PËR COPPA ITALIA/ Allegri: Dëmtimet? Dybala dhe Bernardeschi…

Delo.autor

Leave a Comment