Futboll Seria A Sport

ZËVENDËSUESI I ALLEGRIT TEK JUVENTUS/ Një emër surprizë në listën e favoritëve, ja kandidati kryesor

Kur kanë kaluar rreth 24 orë nga vendimi i Juventusit për të ndërprerë bashkëpunimin 5-vjeçar me trajnerin Massimiliano Allegri, është rritur ndjeshëm kurioziteti se cili do të jetë timonieri i ri i bardhezinjve.

Lista me emra është e gjatë, duke filluar nga ata më pak të mundurit si Mourinho dhe Conte (për të cilin thuhet se i ka dhënë fjalën Interit), deri te ata shumë të kushtueshmit si Pochettino dhe Guardiola.

Megjithatë mediat italiane zbulojnë se kandidati favorit për momentin është një emër surprizë, Sinisa Mihajloviç. Serbi mori drejtimin e Bolognës para pak muajsh dhe ka udhëhequr emilianët në një fund-sezoni mjaft të mirë, duke siguruar mbijetesën në Serinë A.

Por nuk është ky fakti që e bën favorit Mihajloviç. Përkundrazi, serbi është një “fiksim” i vjetër i Andrea Agnellit, që ka tentuar ta sjellë në Torino që në vitin 2014 për të zëvendësuar Antonio Conten, por gjithçka ndryshoi në momentet e fundit.

Në atë kohë, Mihajloviç drejtonte Sampdorian dhe ishte telefonuar nga Marotta për të diskutuar transferimin te Juventusi, ndërsa gjërat kishin avancuar edhe më tej, me serbin që kishte folur më vonë edhe me Agnellin në vilën e këtij të fundit dhe kishin arritur plotësisht akordin.

Megjithatë pak ditë më pas Conte ndryshoi mendim dhe bardhezinjtë u detyruan të braktisin idenë Mihajloviç, ndonëse në fund të sezonit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë dhe në stolin e Juventusit përfundoi Massimiliano Allegri.

Por tani kushtet janë pjekur sërish dhe Mihajloviç do të ishte shumë i lumtur po t’i ofrohej stoli i Juventusit në fund të sezonit, pasi do të ishte një shans i artë për të synuar ringritjen në karrierën e tij si trajner.

Për më tepër, serbi sponsorizohet shumë edhe nga zëvendës-presidenti i Juventusit Pavel Nedved, pasi dihet që çeku dhe Mihajloviç kanë luajtur së bashku për 3 sezone te Lazio dhe kanë një miqësi të mirë.

Një tjetër arsye që rrit shanset e Mihajloviç, është edhe ajo ekonomike, pasi Juventusi nuk dëshiron të bëjë më shpenzime pa limit në merkato dhe serbi është nga të vetmit trajnerë në qarkullim, i gatshëm të punojë me grupin në dispozicion.

Megjithatë ajo që dihet me siguri, është që të paktën deri në fundjavën e ardhshme, kur edhe të mbyllet kampionati italian, vështirë se do të ketë konfirmime në këtë front, pasi te Juventusi kanë ndërmend të respektojnë deri në fund Allegrin.

Related posts

CHAMPIONS LEAGUE/ Pas një gafe nga Emre Can, sulmuesi Mahrez ndëshkon Dortmund nga pika e bardhë (VIDEO)

Delo.autor

KORONAVIRUSI/ Juventus mendon ta luajë sfidën Champions në “Air Albania”, por… (FOTO)

Delo.autor

Mezani: Tashmë jemi në Europë, finalen e Kupës e luajmë pa presion

Sadik.Autor

Leave a Comment