Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

NOTAT E KOMBËTARES/ Abrashi një “maratonomak” i vërtetë, Dermaku “ngel në klasë”. Ja të gjitha vlerësimet

Vlerësimi për futbollistët e Kombëtares shqiptare, pas performancës në ndeshjen ndaj Islandës:

Etrit Berisha 4.5 – Kapet i papërgatitur në momentin e golit, ku mund të kishte reaguar edhe më mirë pas asaj goditjeje tokazi të sulmuesit islandez. Mirëpo, është më pak fajtor nga të gjithë ata që morën pjesë në aksion. Vihet në provë vetëm në fundin e lojës, pasi praktikisht në shumicën e kohës ka qenë spektator, me islandezët që goditën vetëm dy herë kuadratin.

Kastriot Dermaku 4 – Ishte lojtari i fundit në momentin kur sulmuesi i Islandës vallëzoi mes kuqezinjve. Mund të bënte më mirë, ndoshta edhe duke shkaktuar një faull taktik, por zgjodhi të mos rrezikonte. Në të vetmin episod që nuk u mor vesh me Ismajlin, për fat të keq, pësuam gol. Ishte ndeshja e parë si titullar e Dermakut me fanellën kuqezi, por me staturën që ka, natyrisht që ka premisa të mira për të qenë një lider në mbrojtjen kuqezi.

Ardian Ismajli 4.5 – E dënon vetëm markimi jo i mirë në aksionin e pësimit të golit. Është thuajse perfekt në duelet e tjera gjatë lojës dhe mbi të gjitha vendosjen. U shmang në mënyrën më të thjeshtë nga sulmuesi islandez, në një aksion ku nga vendi ku nisi, me siguri nuk e kishte menduar kurrë se do të kishte atë përfundim.

Frederik Veseli 5 – Nuk stonon në mbrojtjen me tre. Shpesh bëhet më agresiv se duhet dhe rrezikon të ndëshkohet, por gjithsesi në tërësi tregon pjekuri me ndërhyrjet që bën në krahun e majtë.

Elseid Hysaj 5 – Mund të ishte ndeshja e tij dje, pasi bëri të vetmen goditje të kuqezinjve për 90 minuta, por portieri i Islandës i mohoi një supergol, madje pas një gjuajtjeje me të majtën. Me skemën 3-5-2 shkodrani luan në rolin e një mesfushori tipik krahu, por dukshëm është i limituar kur bëhet fjalë për të shkuar deri në afërsi të zonës dhe të shërbejë për Cikalleshin ose Balajn.

Ermir Lenjani 5 – E ka të vështirë të bëjë mirë të dyja fazat e lojës, por ndihmohet shumë nga Veseli dhe arrin të jetë më prezent afër zonës islandeze. Mirëpo, kjo nuk mjafton, pasi dje ishte pak efikas qoftë edhe me krosime.

Migjen Basha 5 – Me eksperiencën që ka duhet të bënte më tepër, por bie fizikisht në pjesën e dytë dhe e ka të pamundur të organizojë manovrën sulmuese ashtu siç di më mirë. Islanda i kishte marrë mirë masat për ta bllokuar dhe këtë e kuptoi shpejt edhe Reja, që e zëvendësoi. – Kaçe 5 (pas minutës së 68-të) – Mundohet të lëvizë në të dyja krahët, duke qarkulluar topin dhe tentuar me krosime drejt zonës. I dha një impuls më tepër ekipit me freskinë e tij, por më tepër nuk mund të prisje në afro 20 minuta që luajti.

Amir Abrashi 6.5 – Një “maratonomak” i vërtetë. Pa diskutim, lojtari më i mirë i Shqipërisë në ndeshjen e djeshme. I kudondodhur në fushë, duke shkatërruar aksione dhe ndihmuar ekipin në nisjen e manovrës sulmuese. Konfirmoi se sa i kishte munguar Kombëtares një lojtar si ai, që edhe pse vjen nga një dëmtim i rëndë, tregoi se ka cilësi dhe për më tepër grintën e duhur për të bërë diferencën te Shqipëria.

Taulant Xhaka 5 – Lufton pafund, por nuk e shfrytëzon potencialin që ka. Mundohet t’i japë një dorë skuadrës në ndërtimin e aksioneve sulmuese, por shpesh bie pre e presionit të vazhdueshëm të lojtarëve kundërshtarë. Ndien lodhjen afër fundit dhe trajneri Reja e zëvendëson. –Ndoji 5 (pas minutës së 72-të) – Dukej qartë që Reja e kishte udhëzuar për të furnizuar me topa të gjatë sulmuesit, pasi thuajse sa herë ishte në kontakt, kërkonte ta hidhte direkt në zonë sferën. Në fund e tepron me mbajtjen e topin, por për fat aksioni i islandezëve nuk i bën dëm Shqipërisë.

Sokol Cikalleshi 5.5 – Fiton thuajse çdo duel me kundërshtarët, por qëndron gjithë kohës jashtë zone dhe rrezikshmëria është e ulët. Detyrohet të dalë në anësore, pasi nuk është se shërbehet shumë, qoftë nga krahët e mesfushës apo qendra. – Sadiku pa notë (pas minutës së 80- të). Nuk futet dot në ritmin e lojës dhe për më tepër, asnjëherë nuk shërbehet saktë për të rrezikuar.

Bekim Balaj 5 – Lufton shumë për çdo duel, por më tepër i futet në punë skuadrës në aspektin mbrojtës, sesa për atë që është hedhur në fushë. Mund të shfajësohet vetëm për faktin se thuajse kurrë nuk i erdhi një krosim i duhur nga krahët, për të shfrytëzuar shtatlartësinë që ka. Megjithatë, potenciali i tij është i padiskutueshëm, edhe pse në fund të fundit sulmuesit maten me gola.

Related posts

LIVE/ Kolumbia kërkon fitoren, Senegali i mjafton barazimin në Grupin H

Sadik.Autor

E BUJSHME/ Goditja më e madhe e Maldinit tek Milani? Pa diskutim, është ai (EMRI)

Delo.autor

Aventura europine e Luftëtarit, tekniku Kostic “bën llogari” vetëm për kualifikim

Isa.Autor

Leave a Comment