Futboll Kategoria Superiore Sport

PËRBALLJA NË EUROPA LEAGUE/ Partizani, ka Sherifin më të dobët të 6 viteve të fundit

Ecuria e Partizanit në Europë vijon edhe pas eliminimit në Champions, pasi kalojnë në turin e dytë të Ligës së Europës dhe përballë do të kenë kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspoli. Takimin e parë të kuqtë do ta luajnë në shtëpi më 25 korrik dhe pas një jave i pret transferta moldave. Sherif Tiraspol do të vijë për herë të tretë në Shqipëri.

Dy herët e para ka ardhur për kualifikuese në Ligën e Kampionëve dhe është kualifikuar. Në sezonin 2010-2011, falë fitores 3- 1 në shtëpi dhe humbjes 1-0 në kryeqytet, ekipi moldav ka eliminuar Dinamon. Në sezonin 2017-2018, kjo skuadër eliminoi Kukësin, ku fitoi 1-0 takimin e parë në shtëpi dhe humbi 2-1 në Shqipëri, por avancoi falë rregullit të golit në fushën kundërshtare.

Edicionin e shkuar, Sherifi u eliminua në Champions nga Shkëndija e Tetovës. Në krahasim me Karbakaun, Sherif është kundërshtar më i pranueshëm për Partizanin, i cili mund ta përballojë me sukses. Por, diferencat mes dy klubeve mbeten prezente edhe kësaj radhe, e më së shumti në infrastrukturë.

Sherif Tiraspoli zotëron një kompleks luksoz, të paimagjinueshëm për realitetin shqiptar, por edhe më gjerë. Kompleksi gjigant u ndërtua në vitin 2000 dhe është bërë një vend zhvillimi për shumë talente, si edhe ofron kushte perfekte për lojtarët që marrin nga jashtë. I gjendur në Tiraspol të Moldavisë, kompleksi i Sherifit ka një sipërfaqe prej 52 hektarësh.

Aty gjendet stadiumi kryesor i ekipit, një stadium më i vogël, një fushë e mbuluar, akademia për moshat dhe hoteli, ku ofrohet edhe ushqimi nga kuzhinierët e klubit. Një qendër për dëmtimet, një palestër, pishinë, disa fusha stërvitore si dhe fusha tenisi.

Kompleksi ka pritur ekipe kombëtare për të kryer stërvitje, si Holanda, Bjellorusia, Austria, si edhe klube si Shaktjor Donjets, Dinamo Kiev, Fenerbahçe, Beshiktash, Bazel, Rosenborg etj.

Por, kësaj radhe, të kuqtë duhet t’i bëjnë llogaritë me fushën e lojës dhe jo buxhetin, infrastrukturën apo të shkuarën e moldavëve që kanë shkuar 3 herë në grupet Ligës së Europës, pasi përballë kanë Sherifin më të dobët të 6 viteve të fundit. Kështu, Partizani duhet të tregojë agresivitetin e tij në ndeshjen e parë në shtëpi, në rast se synon të vijoj më tej aventurën europiane.

Related posts

Liverpool e mendon transferimin e yllit të Bundesligës në verë

Q.Autor

Reagon Dua Lipa, mohon lidhjen me Marco Asension, i ka dy fjalë edhe për Realin

Sadik.Autor

Franca shkon në finale, shihni festën e çmendur në Champs Elisee (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment