Futboll Kategoria Superiore Sport

VLERËSON AFRIMET E REJA TEK TIRNA/ Flet Karabeci: Mos të përsërisim sezonet e fundit…

Erando Karabeci mendon se këtë vit do të shihet një Tiranë e re. Nuk premton asgjë, por është i bindur se me afrimet cilësore në ekip, Tirana do të ngjitet lart. Vlerëson afrimet në grup dhe i quan lojtarë cilësorë, ndërsa beson se konkurrenca bën mirë në ekip dhe atij personalisht. Kapiteni nuk zhbalancohet dhe nuk premton gjëra të mëdha, duke filluar nga titulli kampion, por nga ana tjetër, ai beson se arma më e fortë e bardhebluve në këto momente është grupi. Sa për armën më të dobët, kjo mbetet për t’u zbuluar. Ja intervista e plotë me kapitenin e Tiranës, Erando Karabecin…

Mund ta kishit mbyllur sezonin e shkuar me trofe, por dështuat në finalen e Kupës së Shqipërisë…

Të vjen keq, por nuk duhet ta kthesh kokën pas. Duhet të shohim përpara, ndonëse të godet që humbet një trofe që s’është keq ta kesh. Na siguronte edhe pjesëmarrjen në Europë. Na vjen keq, por atë takim nuk meritonim ta fitonim. Nuk treguam asgjë në fushën e lojës.

Jeni në fazën përgatitore. Është një Tiranë e re në organikë?

Është e vërtetë. Quhet Tiranë e re, me disa prurje të reja dhe ndryshime, që shpresoj se do të na sjellin cilësinë në ekip. Pak a shumë njihet se cilët janë këta lojtarë, futbollistë të sprovuar të kampionatit shqiptar. Mendoj se do të na ndihmojnë shumë për objektivat që kemi.

Besoj se askush nuk do që të flitet më për një Tiranë në fund të tabelës. Ka ndodhur dy sezonet e fundit në Superiore dhe eksperienca në Kategorinë e Parë?

Asnjëherë nuk mund të premtohen gjëra, të mëdha apo të vogla. Çdo gjë arrihet me punë, ditë pas dite dhe javë pas jave. Shpresoj që të mos jemi ajo Tiranë e dy viteve të fundit në Superiore. Nuk duhet të kemi ato luhatje dhe probleme që kemi shfaqur. Jam optimist që këtë vit do të jemi më mirë dhe shpresoj që këtë ta tregojmë në fushën e lojës. Veprat tregojnë atë çfarë gjendje ke dhe çfarë kërkon të arrish. Me fjalë kemi arritur shumë, por vetëm kaq, sepse nuk kemi fituar në fushën e lojës.

Erando, edhe këtë sezon duket se do të jeni titullar, paçka se konkurrenca është rritur me ardhjen e lojtarëve të rinj?

Tirana ka treguar se nuk ka titullarë dhe rezerva. Momentin që ti jep maksimumin në stërvitje dhe meriton fanellën e titullarit është e sigurt që do të jesh titullar. Nëse nuk je në formë të mirë dhe optimale, është e sigurt që do të jesh rezervë. Edhe vitin e kaluar, nëse nuk kam luajtur në ndonjë ndeshje, atëherë nuk kam qenë në formën optimale dhe trajneri e ka parë të arsyeshme të mos më aktivizojë. Shpresoj të jem mirë si fillim. Të riaftësohem sa më shpejt të jetë e mundur. Më pas gjithçka do t’ia lëmë fushës.

Related posts

E BUJSHME/ Tentativa e parë, PSG ofron ish-lojtarin e Interit për Kristiano Ronaldon

Delo.autor

E BUJSHME/ Vendim i papritur i Interit, largon nga skuadra sulmuesin titullar të Shqipërisë U-17

Delo.autor

Bonucci kryen kontrollet mjekësore te Juventusi, futet nga hyrja dytësore (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment