Futboll Premier League Sport

HISTORIA TRONDITËSE E YLLIT BELG/ Lukaku rrëfen: E shtonim qumështin me ujë, për…

“Kujtoj momentin kur ishim trokë. Po ju them se kishim kohë që në shtëpinë time nuk shihnim kartëmonedha me sy, mamaja ime kishte vetëm qindarka ndër duar.

Ajo përballë frigoriferit, ndërsa i vinte turp të hapte derën e tij, është një imazh që nuk do ta harroj gjithë jetën, përkundrazi më përndjek çdo ditë dhe ajo është forca ime. Ishte një shikim që fliste qartë, që thoshte hapur: ‘Më vjen keq, nuk ka asgjë brenda’, dhe nuk kishte nevojë që të shpenzonte asnjë fjalë. Unë isha 6 vjeç dhe sapo isha kthyer nga shkolla për drekë. Mamaja ime kishte të njëjtën ‘meny’ çdo ditë: bukë dhe qumësht. Kur je një fëmijë ndoshta nuk i mendon shumë këto gjëra, por unë e di se mund t’i lejonim vetes vetëm bukë dhe ujë.

Atë ditë, u ktheva në shtëpi, hyra në kuzhinë dhe pashë mamanë time te frigoriferi me kartonin e qumështit në dorë. Por këtë herë, ajo po e përziente me diçka. Më shtroi drekën, nëse kështu mund ta quajmë, disa feta bukë dhe një gotë me qumësht, por duke më qeshur, sikur gjithçka shkonte mirë. Por, unë e kuptova menjëherë. Kishte përzier qumështin me ujë, për ta shtuar sasinë. Ishim trokë! Jo vetëm të varfër, por trokë!”

lukaku

PA ELEKTRICITET

Tregimi që Romelu Lukaku ka bërë mbi fëmijërinë e tij për “The Players’ Tribune” të fut në ankth, sa herë që lexohet apo dëgjohet. Nuk është historia klasike e një sportisti që ka mbërritur nga një kontekst varfërie, por e diçkaje edhe më të rëndë sesa kjo. Gati në skamje. Romelu ka origjinë kongoleze. Është biri i një futbollisti, por zakonisht bijtë e futbollistëve nuk e nisin kështu. Por, ai tregoi gjithashtu se pikërisht atë ditë, në moshën 6-vjeçare, i premtoi vetes se do të bëhej një futbollist profesionist. “Jam djali më i fortë që ju keni njohur ndonjëherë”, vazhdon Lukaku në tregimin e tij, edhe pse mbiemri “i fortë” nuk lidhet aspak me fizikun e tij, edhe pse Lukaku është një gjigant prej 95 kilogramësh dhe që në moshën 6-vjeçare e kishte 39 numrin e këmbës. Forca e tij ishte mendore, qëndronte në faktin se ndër ditët më të bukura për një fëmijë si ai ishin ato kur shihnin televizor në rrjetin satelitor, duke qenë se “kishte ditë që jetonin edhe pa elektricitet, shpesh për 2-3 javë gjatë çdo muaji”. Pa elektricitet, por edhe pa një bolier, nuk mund t’ia lejonin vetes. Prandaj, në familjen Lukaku uji ngrohej mbi një turrë drush…

FORCA E ROMELUT

E gjithë drama familjare gjithsesi harrohej kur ai niste të shkelmonte topin, sepse me siguri, futbolli e shoqëronte atë si një vëlla i madh. Romelu luante shumë gjatë ditës, mbi 5-6 orë me topin në këmbë, fakt që e konfirmon Ervin Voski, një prej trajnerëve të tij të parë, në një deklaratë për anglezen “Telegraph”: “Romelu ishte shumë i turpshëm, jo shumë i koordinuar, por një kokë më i gjatë se gjithë të tjerët. Kur godiste në portë, të gjithë topat i dërgonte në rrjetë. Të gjithë”.

Dhe disa foto të fëmijërisë së tij e tregojnë qartë: i dobët, shumë larg lojtarit 4X4 që është sot, por shumë gjatë, i detyruar që të lëvizte me kartën e identitetit për të treguar moshën e tij të vërtetë. Vëllai tjetër, ai i vërteti, është Xhordan, dhe luan te Lacio. Romelu ka treguar edhe momente të tjera ku çdo natë gjente shpesh të ëmën që t’i lutej Zotit, në errësirën e shtëpisë, se një ditë gjithçka do të zgjidhej për mirë.

lukaku--a-sus-13-anos-era-igual-de-alto-que-el-arbitro--twitter

Atë mirësi dhe besim, që ia dhuroi Vini Frans, një prej miqve të tij më të mirë sot e kësaj dite, që tregonte edhe për ndeshje tre (Romelu, vëllai Xhordan dhe Vini) kundër 20 vetëve. Vini është pikërisht djali që tregon edhe ditën kur jeta e më të madhit të vëllezërve Lukaku ndryshoi. Një ditë, kur Romelu ishte 16 vjeç e 11 ditë, shkoi dhe i trokiti në derën e shtëpisë, siç bënte gjithmonë. Romelu nuk ishte në shtëpi, por po vraponte drejt stadiumit, pasi e priste ndeshja e parë e jetës, si profesionist, finalja e kampionatit belg mes Anderlehtit dhe Standart Liezhit.

BASTI ME TRAJNERIN

Lukaku e kishte nisur sezonin si rezervë e skuadrës U-19, por brenda pak muajsh e kishte afirmuar veten. Atë ditë, e telefonoi trajneri i skuadrës së dytë: “Romelu, çfarë po bën?” “Po Shkoj të luaj në park”, ishte përgjigja e belgut. “Harroje! Vrapo në stadium, sepse sot do të lush me të rriturit”.

5b74735d2154a31f008b50da-750-375

Ajo finale shkoi fatkeqësisht keq: Standart Liezhi kampion me gol të Vitselit, por rruga e Romelu Lukakut ishte tashmë e shtruar drejt rangjeve të larta. Romelu i kishte premtuar vetes dhe familjes se do të bëhej një futbollist brenda moshës 16-vjeçare dhe ja tek ishte, me vetëm 11 ditë vonesë, nga planet e tij. Arsyeja? Pikërisht ai besimi i tij në vetvete se ishte djali më i fortë në botë dhe një bast personal i vënë edhe me trajnerin e skuadrës së parë të Anderlehtit: “Do të vëmë bast se këtë vit do të shënoj 25 gola? Jo brenda një sezoni të plotë, por deri për Krishtlindje”.

Trajneri i tij i qeshi në fytyrë, por e pranoi sfidën. Përfundimi: 25 gola të shënuar, brenda muajit nëntor. Romelu Lukaku shkoi sërish te trajneri i tij dhe iu drejtua: “Mos i qesh kurrë në fytyrë dhe të bësh shaka me një fëmijë të uritur”. Dhe nga këtu, nisi edhe i gjithë rrugëtimi që të gjithë e njohin pak a shumë tani. Pas katër golave në Ligën e Europës, në 2009-2010, edhe pse një adoleshent 17-vjeçar, vitin tjetër kalon te Çelsi, ku pas penalltisë së gabuar në Superkupën e Europës, në vitin 2013, pas 120 minutave lojë, blutë e huazojnë te Uest Bromuiç, ku konfirmon vlerat e tij me 17 gola në Premier Ligë.

Pas kësaj, vijnë vitet e arta tek Evertoni dhe sezoni prej fenomeni në 2016- 2017-ën, me 25 gola në kampionat, por edhe paraqitjet dhe shndërrimi në golashënuesin më të mirë të historisë së kombëtares së Belgjikës, shifra të cilat do të tërhiqnin vëmendjen e Mançester Junajtidit, që në verën e vitit 2017, u pagua 90 milionë sterlina. Shkurt, jeta nuk i ka dhuruar asgjë Romelu Lukakut dhe ndoshta jo më kot, një lojtar me forcën e tij ka rindezur “luftën e ftohtë” mes Juventusit dhe Interit.

Related posts

E BUJSHME/ Zbulimet e Crouch: Kurrë mos këmbeni fanellat, larja dhe banjat janë një problem

Isa.Autor

Klopp flet për situatën e SHQIPTARIT te Liverpool: “Do të vijë momenti i SHAQIRIT”

Isa.Autor

PARTIZANI-KUKËSI/ Publikohen çmimet e biletave për finalen e Superkupës së Shqipërisë, ja sa kushton (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment