Futboll Sport

NGA FILLIMET E KARRIERËS TEK HAPI I MADH/ Robert Lewandowski, “përbindëshi” polak që u rrit në rrugë

Robert Levandovski shënoi golin e pestë në 2 ndeshjet e para të Bundesligës për skuadrën e Bajernit. Pasi kishte shënuar dy herë në barazimin ndaj Hertës në javën e parë, polaku i mahniti të gjithë me tripletën ndaj Shalkes ditën e shtunë.

levandovski

“Kam potencialin për t’u ngjitur më lart. Jemi kampionët në fuqi dhe kështu mbetemi deri në majin që vjen”, u shpreh numri 9 i bavarezëve pas ndeshjes në “Veltins Arena”. Me superlativa për bavarezin foli edhe trajneri Niko Kovaç, i cili e cilësoi atë një përbindësh.

“Leva është një nga sulmuesit më të fortë në botë. Si ai ka pak në qarkullim. Ai mund ta zgjidhë ndeshjen i vetëm, ashtu siç ndodhi sot(të shtunën)”. Robert pritet të rinovojë kontratën e tij me Bajernin, e cila skadon në 2021- shin. Polaku do të qëndrojë deri në 2023-shin dhe do të fitojë 16 milionë euro bruto në sezon. Në fund të sezonit 2018-2019, lojtari arriti të shënojë golin e 200-të në Bundesligë duke u shndërruar lojtari i huaj më i mirë në kampionat.

FILLIMET

Fushë me pluhur, shi dhe këpucë me taka gome. Kështu nisi karriera e Levandovskit. Polaku nis të luajë futboll në moshën 10-vjeçare. Skuadra e tij e parë është “Partyzant Leszno” me të cilën luajti nga 1996-ta deri në 1997-ën. Fotoja e tij në librin e skuadrës ngjitur me bashkëlojtarët e tij nuk mungon. Pseudonimi? Bobek, që në shqip do të thotë “kastor i vogël”.

Levandosvki

Nga 1997-ta deri në 2004-ën, lojtari merret në provë nga skuadra e Kategorisë së Katërt, Varsovia Varshavës. Edhe pse nuk ishte më i vogli në skuadër, Robert tregoi menjëherë cilësitë e tij. Certifikata të shumta dhe trofe personalë, një yll i ri po lindte në Poloni. Në vitin 2000, adoleshenti Levandovski fitoi kampionatin e tij të parë me skuadrën e moshave, sukses që i dha mundësi të firmoste kontratën e tij të parë me skuadrën e Legias së Varshavës.

Mjeku i skuadrës polake e cilësoi atë si të papërshtatshëm për të luajtur futboll, kjo pasi lojtari ishte shumë i gjatë për moshën që kishte. Në moshën 18-vjeçare, Leva shkon drejt Znicz Pruskov, golat e tij e ngjisin skuadrën në Ligën e Dytë polake. Një vit që i shërbeu atij si trampolinë për te skuadra e Leh Posen. Kështu, Robert nuk u shpëtoi syve të trajnerit të kombëtares së Polonisë. Më 10 gusht 2008, sulmuesi bëri debutimin ndaj San Marinos.

Leva2

Shumë shpejt ai do të ngjiste shkallët e karrierës në mënyrë të befasishme. Me 55 gola në 100 ndeshje, Leva ishte kapiteni i kombëtares. Në 2010-ën Borusia e Dortmundit shfaq interes për lojtarin, i cili deklaron se: “Kam marrë një vendim për të ardhmen time, do të largohem në verë nga Lehu”, u shpreh ai për “Blatt”.

HAPI I MADH

Në sezonin 2010-2011, polaku vjen në Dortmund. Karriera e tij merr një rrjedhë tjetër. Golat e tij i japin Borusias dy kampionate radhazi. Në 2013-ën, polaku shpallet lojtari më i mirë në Bundesligë dhe golashënues. Trofetë e tij ai i publikon në faqen e “Facebook”. Kulmi arriti në muajin prill kur lojtari shënoi në gjysmëfinalet e Champions-it ndaj Real Madrid katër gola duke e dërguar skuadrën e tij në finalen e “Uemblit”.

Një finale që nuk arriti të fitohej nga verdhezinjtë. Largimi i tij nga Dortmundi erdhi kur lojtari ishte ende në kontratë me klubin verdhezi. Tifozët e Borusias ishin kundër drejtuesve të tyre dhe menaxherit të lojtarit, i cili e kishte detyruar atë të shkonte te rivalët e Bajernit me parametra zero.

Në verën e 2013-ës, ai martohet me gruan e tij, Ana. 9 korriku 2014 do të jetë edhe dita e tij e parë si bavarez. Nën drejtimin e Pep Gurdiolës, Leva fillon të bëhet një përbindësh. Gola, gola dhe vetëm gola për Bajernin që fiton disa tituj rresht. Në kualifikueset e Europianit të 2016-ës, ai bëhet lojtari i parë që shënon 16 gola.

Por ishte 22 shtatori 2015, data kur Robert shkruan histori si lojtari që vjen nga stoli dhe shënon 5 gola në 9 minuta ndaj Verderit. Në vitet në vazhdim, edhe pse Bajerni ndërron trajner, Leva mbetet i njëjtë. Një grabitqar në zonën e kundërshtarit që nuk ngopet së shënuari.

Related posts

Polemikat për penalltitë, Neymar tregon pse i injoroi tifozët e PSG

Q.Autor

PO SHKËLQEJNË ME LOKOMOTIVËN E KROACISË/ Klubi iu rinovon kontratën tre lojtarëve shqiptarë, ja emrat

Delo.autor

ËSHTË ZYRTARE/ I jep fund karrierës legjenda e Juventusit, ja reagimi i tij… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment