Futboll Kategoria Superiore Sport

NJË DITË PAS NDESHJES ME LAÇIN/ Mesfushori Rroca komenton: Ishte penallti, gjyqtari kërkoi…

Kukësi barazoi ndaj Laçit në një takim që u dominua nga verilindorët, por kurbinasit u treguan cinikë në lojë e rezultat dhe ia dolën, duke marrë një pikë të vlefshme. Kukësi pretendoi për një penallti, e shkaktuar në dëm të Eduart Rrocës, për të cilën presidenti Gjici dhe klubi mbas ndeshjes dënuan aktin dhe arbitrimin, duke thënë se arbitrat e bënë baltë, duke dëmtuar Kukësin.

Tani është vetë protagonisti i atij episodi, Eduart Rroca, i cili komenton rastin dhe tregon se çfarë i tha arbitri mbas ndeshjes, ku e pohoi se gaboi për penalltinë e padhënë. Mesfushori flet për ekipin dhe rivalët, të cilët i vlerëson shumë dhe shprehet se fusha do tregojë fytyrën dhe forcën e gjithsecilit ekip.

Një ditë pas ndeshjes me Laçin… Pasi e keni parë edhe në TV rastin e penalltisë, çfarë mendoni?

Nuk kishte shumë për të menduar, sepse që në momentin që ndodhi kontakti e ndjeva që kisha ndërhyrje nga kundërshtari dhe ishte penallti. Nuk është se mendova diçka tjetër kur e pashë në televizor, pasi e dija çfarë ndodhi dhe ishte penallti e pastër.

Çfarë ju tha arbitri kur e pyetët gjatë ndeshjes dhe pas saj?

Pasi mbaroi pjesa e parë, si duket arbitri e kishte parë rastin me pamje filmike, e kishte kuptuar që kishte bërë gabim dhe kur mbaroi ndeshja, më tha se kishte vepruar gabim në penalltinë e paakorduar. Më tha që ishte një gabim nga ana e tyre, kështu u shpreh.

Mos ndoshta e kishit marrë disi lehtë ndeshjen me Laçin dhe e kuptuat pasi pësuat gol që duhet të shkundeshit?

Nuk është aspak e vërtetë që e kishim marrë lehtë, sepse e kishim vlerësuar maksimalisht Laçin. E dimë futbollin që luan Laçi dhe për më tepër kundër Kukësit që japin dyfishin e mundësive të tyre, kështu që e kishim vlerësuar ndeshjen. E kishim parashikuar që ata do mbroheshin e do dilnin me kundërsulme dhe ashtu ndodhi. Ata na erdhën një herë në portë dhe na ndëshkuan, por gjithsesi lojën e kishim ne në kontroll dhe ishim superiorë. E vërtetë, ashtu siç shkoi ndeshja, barazimi ishte rezultat i drejtë, por ama nëse do jepej penalltia, mund të merrnim më shumë nga kjo ndeshje.

Duro

Trajneri Duro pati rezerva pas Superkupës dhe ju pat ulur në stol…

Më pas ju ka rikthyer titullar, por a keni biseduar me të dhe çfarë kërkon ai nga ju? Nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk është se kemi biseduar për diçka specifike. Thjesht është zgjedhje e trajnerit dhe unë e respektoj. Ai ndonjëherë ka thënë se për hir të modulit, ndonjërit prej lojtarëve që ka qenë gjithmonë në formacion mund t’i bjerë të ulet në stol. Ne jemi profesionistë dhe zbatojnë vendimet dhe zgjedhjet e trajnerit.

Mendoni se jeni më të fortë se Tirana, Partizani apo rivalët e tjerë për titull?

Në luftën për titull janë 4-5 ekipe dhe diferencat nuk janë shumë të mëdha. Nuk mendoj se jemi më të fortë se rivalët e tjerë, pasi kjo gjë nuk vlen të thuhet me fjalë, por në fushën e lojës. Ne do t’i kemi përballë 4 herë rivalët dhe do shohim ku jemi ne dhe ku janë ata. Vetëm fusha do ta tregojë. Kemi luajtur me Partizanin dhe e kemi mundur, ndërsa tani për dy javë luajmë me Tiranën e të shohim se ku jemi. Shpresoj të tregojmë në fushën e lojës që jemi më të fortë se ato dhe jo me fjalë.

Kush është skuadra që gjykoni se mund të shkojë deri në fund për titullin?

Siç e thashë, janë 4-5 skuadra në garë për titullin. Unë shoh Kukësin, Partizanin, Tiranën dhe Teutën. Besoj do jetë një garë e fortë deri në fund.

Tashmë dhe me Abazajn përveç Shkurtajt, a jeni i kënaqur me ardhjen e tij dhe kur do ju shohim si treshe të shpërtheni njëlloj si te Luftëtari?

Normalisht që jemi të kënaqur me ardhjen e Abazajt, sepse është një lojtar me vlera që rrit cilësinë e ekipit. Shpresoj që të marrë formën maksimale sa më shpejt e të na ndihmojë. Është një lojtar nga i cili presim shumë dhe pse jo, të kthehemi si te Luftëtari me asiste, gola e lojëra të bukura.

S.Sulozeqi

Related posts

DRIDHET BARCELONA/ INTERI fiton ndeshjen e parë të LEGJENDAVE

Isa.Autor

AKUZA NDAJ PRESIDENTIT AGNELLI/ Zyrtari i UEFA-s: Me lakminë e tij të pakufizuar dëshiron të na nxjerrë gjak…

Delo.autor

Everton-Manchester United, nis “beteja” në merkato…

Sadik.Autor

Leave a Comment