Futboll Kategoria Superiore Sport

SKËNDERBEU ËSHTË KATASTROFË/ 10 gola të pësuar në 4 ndeshjet e fundit, ja statistikat

Skënderbeu është “katastrofë”. U duk se skuadra nuk do të vuante ngjarjet e turbullta të verës (duke filluar nga largimet në masë e deri te vendimi i mbetur në fuqi prej KAS-it), por e kundërta ngjau. Korçarët po vuajnë dhe pozitat që kanë pas 540 minutash lojë, nuk janë aspak të zakonta për ekipin që ka bërë diktatin në futbollin shqiptar gjatë dekadës së fundit.

Në gjashtë javët e para të kampionatit kanë grumbulluar vetëm 9 pikë, mes tri fitoresh dhe tri humbjesh. Dhe deri këtu nuk ka asgjë për “alarm”, por ajo që shqetëson më së shumti është mbrojtja. Dhe zyrtarisht mund të themi se ajo fut ujë nga të gjitha anët.

Një fakt i pakundërshtueshëm, nëse do t’u referohemi 11 golave që kanë marrë deri në këtë fazë të kampionatit. Bardhekuqtë kanë pësuar aq gola sa për një sezon të tërë (dhe këtu po u referohemi atyre viteve, kur ishin kampionë të padiskutueshëm). Plot 10 gola të marrë në total në 4 takime e fundit radhazi janë ata që rëndojnë. Deri diku mund të “shfajësohen” me golat që morën në kryeqytet përballë Tiranës, ekip që këtë vit lufton për titull dhe nuk është çudi ai rezultat.

Daja

Por, të pësosh tre gola ndaj Bylisit dhe katër ndaj Vllaznisë, ekipe të ngjitura nga Kategoria e Parë dhe pa objektiva madhorë, është diçka e patolerueshme. Në të tilla kushte, mund të themi se prapavija korçare ka shumë përgjegjësi. Lojtarë që janë indiferentë në fushë në zhvillimin e aksionit janë parë shumë rrallë nga këto anë. Kjo, edhe për faktin se në 10 sezonet e fundit, ky është starti më i keq i kampionatit për Skënderbeun dhe kjo jo nga pikët e grumbulluara, por nga golat e pësuar në këtë sezon.

SENATORËT

Ndeshja kundër Vllaznisë e tregoi më së miri se ekuilibrat në lojë për korçarët janë prishur. Mbrojtje që bën gabime foshnjarake dhe “senatorë” që nuk janë në gjendje të bëjnë ndryshimin. Pikërisht këta të fundit kanë marrë një “mal” me kritika nga ana e Ilir Dajës.

Pavarësisht se trajneri një pjesë të mirë të fajit e mori mbi vete, la të kuptohej nga deklarata e dhënë pas ndeshjes se janë lojtarët me eksperiencë që duhet ta nxjerrin ekipin nga vështirësitë në situata të caktuara, gjë të cilën te bardhekuqtë këtë sezon nuk po e shohim.

Related posts

“Çdo ditë e kaluar tek Inter ka qenë e jashtëzakonshme. Dhe ai gol…”

Q.Autor

SITUATA E MARASH KUMBULLËS/ Flet trajneri i Sassuolos: Është stërvitur i diferencuar

F.autor

Drejtori i Barcelonës: Italianët kanë ekipe të forta dhe serioze

Q.Autor

Leave a Comment