Futboll La Liga Sport

SUPER DERBI I MADRIDIT/ La Liga ndizet “flakë” me Atletico-Real Madrid

Për të dytin sezon radhazi derbi i zjarrtë i Madridit vjen pikërisht në ditët e fundit të muajit shtator, me ndryshimin e vetëm se këtë herë dueli ndërmjet dy klubeve më të lavdishëm të kryeqytetit spanjoll do të mbahet në stadiumin Wanda Metropolitano. Edicionin e kaluar pas ndeshjes së Talinit, ku falë suksesit 4-2 në kohën shtesë Atletico e udhëhequr nga German Burgos mposhti Realin e drejtuar nga Julen Lopetegui, duke koleksionuar për herë të tretë Superkupën e Europës, këto dy ekipe u përballën më datë 29 shtator në Santiago Bernabeu, ku 78.000 të pranishmit i panë dy skuadrat e famshme madrilene të barazojnë pa gola, ndërsa këtë radhë takimi ndërmjet tyre do të zhvillohet një ditë më herët dhe natyrisht përbën edhe duelin më të fortë të javës së shtatë në kampionatin spanjoll.

Një ndeshje e shumëpritur për fansat e shumtë të këtyre dy skuadrave, megjithëse vjen në një periudhë disi të ngarkuar të sezonit, sepse për hir të së vërtetës ekipet nuk do të kenë shumë kohë në dispozicion për t’u shplodhur, pasi të martën e ardhshme si Atletico ashtu edhe Reali do të kenë impenjimet respektive për fazën e grupeve në Champions League. Për fat dy klubet e Madridit nuk do të kenë kundërshtarë të vështirë mesjavën e ardhshme në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër, por gjithsesi kur bëhet fjalë për derbin e nxehtë të Madridit gjithçka harrohet. Ndryshe nga sezoni i kaluar këtë herë favorit është ekipi i Atleticos, e jo thjesht për hir të faktorit fushë.

Është e vërtetë që “bardhekuqtë” në fushën e tyre kanë fituar vetëm 1 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet tyre dhe është po aq i vërtetë gjithashtu edhe fakti që të vetmen humbje të sezonit të kaluar në Wanda Metropolitano në Primera Division “Los Colchoneros” e pësuan pikërisht nga armiqtë e përbetuar të Realit, sidoqoftë këtë radhë gjërat janë shumë më ndryshe dhe pavarësisht lëvizjeve të mëdha që kanë ndodhur këtë verë, “Los Blancos” duket sikur janë dobësuar dhe nuk kanë më atë shkëlqimin e mëparshëm. Si për ironi të fatit klubi merengues për momentin kryeson kampionatin spanjoll me vetëm një pikë më tepër se sa ekipi i Diego Simeones, megjithatë ekzaktësisht dy muaj më parë në East Rutherford, në Stadiumin MetLife të New Jersey-t në një takim të vlefshëm për International Champions Cup Atletico shënoi plot pesë gola që në fraksionin hapës të lojës, për të shpartalluar më pas Realin me shifrat 7-3.

Dy humbjet e rënda në Lisbonë dhe Milano në finalet e Champions League-s nuk do të harrohen kurrë as nga trajneri luftarak argjentinas dhe as nga tifozët e zjarrtë të “bardhekuqve”, kështu që vendasit do të bëjnë çmos për të përfituar në maksimum nga luhatjet e skuadrës merengue, si dhe problemet e mëdha që kanë kundërshtarët e tyre në aspektin e lojës. Pavarësisht rikthimit të trajnerit francez Zinedine Zidane dhe shpenzimit të plot 308 milionë eurove gjatë verës ekipi nuk duket të jetë aspak më i fortë nga c’ishte më parë. Jashtë fushe Reali u katandis për mëshirë në kryeqytetin francez, ndonëse Paris SG nuk kishte në përbërje asnjë nga treshja e famshme Mbappe-Neymar- Cavani, e rezultati dihet, skuadra madrilene dështoi për herë të parë pas 16 vjetësh dhe plot 578 ndeshjeve për të gjuajtur qoftë edhe një herë të vetme në portë.

Edhe në kampionat rekordmenët e Spanjës vuajtën në fushën e Villarreal-it, ku barazoi shifrat Gareth Bale vetëm në fund, ndërsa në Ramon Sanchez Pizjuan ndaj Sevillas nderin e ekipit e shpëtoi si zakonisht këto kohët e fundit pikërisht golashënuesi më i mirë i ligës Karim Benzema, që sivjet ka shënuar 5 gola në 5 ndeshje. Në dy sezonet e fundit dihet Atletico ka bërë më mirë se sa Reali në Primera Division, pasi edicionin e kaluar ekipi i Zidanit u pozicionua në vendin e tretë me 8 pikë më pak, ndërsa në sezonin 2017-18 Los Blancos u klasifikuan po në vendin e tretë, por me vetëm 3 pikë më pak.

Në kampionat Diego Simeone e ka shndërruar stadiumin Wanda Metropolitano në një fortesë, sepse që kur janë zhvendosur në impiantin e ri modern “Los Colchoneros” kanë pësuar vetëm dy humbje gjithsej në shtëpi dhe përveç disfatës 3-1 me Realin në fillimin e këtij viti vlen të përmendet gjithashtu edhe humbja 0-2 me Espanyolin, në javën e tretë nga fundi, përsa i përket sezonit 2017-18. Te vendasit do të mungojë Alvaro Morata dhe është larguar sulmuesi francez Antoine Griezmann, gjithsesi ekipi tashmë ka në përbërje një lojtar si Joao Felix, e siç dihet për 19-vjecarin e talentuar portugez drejtuesit e Atleticos shpenzuan jo pak, por plot 126 milionë euro, ndërkaq te Reali do të mungojë Ferland Mendy, por në dyshim janë gjithashtu edhe emra si Luka Modric, Isco apo Marcelo, sidoqoftë me interes pritet përballja e dy ish shokëve të ekipit te Chelsea, Diego Costa-Eden Hazard. Takimi do të luhet pra në orën 21:00 në stadiumin Wanda Metropolitano dhe do të drejtohet nga kryesori Jose Gonzalez.

Related posts

NDESHJA GJYSMËFINALE NATIONS LEAGUE/ Portugal-Switzerland, përballja që do të përcaktojë finalistin e parë në Ligën A

Delo.autor

SUPERKUPA E SPANJËS/ SEVILLA është “viktima” e preferuar për BARCELONËN

Isa.Autor

U AFRUA ME BUJË NË VERË/ Drejtuesit të zhgënjyer me paraqitjet e tij, Lazio me vendim të papritur për Muriqin

Delo.autor

Leave a Comment