Futboll Premier League Sport

LIVERPOOL-MANCHESTER CITY/ Bota me sytë nga “Anfield Road”, super sfida që premton spektakël

Vetëm tre muaj pas duelit në “Community Shield”, Manchester City dhe Liverpool përballen sërish, këtë herë në Premier League, në sfidën më të fortë të javës së 12 të kampionatit anglez. Më 4 gusht, në “Wembley”-n mitik ish-lojtari i “të kuqve” Raheem Sterling kaloi që në fillim në avantazh skuadrën e Guardiolës, megjithatë ekipi nga Merseyside ia doli mbanë të barazonte shifrat 13 minuta para fundit me anë të Joel Matip, e madje Liverpuli meritonte të ngrinte lart trofeun e Charity Shield, duke patur parasysh rastet flagrante që shpërdoruan “the reds” në fundin e takimit, sidoqoftë në pikën e bardhë i vetmi që gaboi ishte pikërisht Georginio Wijnaldum dhe penalltia e mesfushorit holandez rezultoi fatale për klubin e drejtuar nga Jurgen Klopp.

Në krahun tjetër Pep Guardiola iu gëzua trofeut të parë sezonal dhe “sky blues” mbrojtën me sukses Superkupën e Anglisë, sidoqoftë është vazhdimi i një rivaliteti që për hir të së vërtetës ka nisur vite më parë, më saktë që në kohën kur trajneri katalanas drejtonte Bayernin në Gjermani. 52-vjeçari shvab ishte një ndër të paktët trajnerë që kishin bilanc pozitiv kundrejt Guardiolës, megjithatë duke përfshirë edhe duelin e fundit në “Community Shield”, tani Pep dhe Klopp numërojnë nga 7 fitore secili, në 16 ndeshjet ndërmjet tyre.

Në radhë të parë qëndrojnë klubet, e më pas vijnë timonierët e dy ekipeve, sidoqoftë ky është rasti tipik ku shihet dhe kuptohet qartë dora e trajnerëve. Këto dy skuadra reflektojnë më së miri idetë, pasionin dhe dëshirat për ta interpretuar këtë lojë sipas mënyrës së tyre, pasi tani Liverpooli dhe City përfaqësojnë me diferencë pikërisht dy klubet më të mirë në ishull. Ky duel ka ndryshuar edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, sepse më parë të dy shkonin vërtet shumë mirë dhe kishte goxha respekt reciprok, ndërsa tani nuk humbasin rast për të thumbuar njëri-tjetrin në distancë.

Në Angli ndër vite rivaliteti në Premiership ka patur për emërues të përbashkët “djajtë e kuq” të skocezit legjendar Alex Ferguson, me sfidat United-Arsenal, United-Chelsea, apo qoftë edhe United-City, megjithëse për hir të së vërtetës asgjë nuk mund të krahasohet me derbin e Anglisë, United-Liverpool, sidoqoftë gjërat kanë ndryshuar dhe tani përballja që tërheq më shumë është pikërisht ndeshja Liverpool-City.

Sezonin e kaluar “të kuqtë” ishin plot 7 pikë përpara, megjithatë mbrëmjen e 3 janarit në “Etihad Stadium”, trajneri gjerman e orientoi skuadrën për të shkuar për maksimumin, ndonëse fare mirë ekipi mund të kishte mbrojtur me fanatizëm golin e barazimit të Firmino-s, që ekipi siguroi pas shumë e shumë përpjekjeve. Historia dihet, “the reds” mbetën vetëm 11,7 mm larg lavdisë, pas topit të hequr në limit nga qendërmbrojtësi John Stones, kur takimi ishte i mbërthyer në shifrat 0-0, megjithatë sikur të mos mjaftonte ky episod, ekipi nga Merseyside pësoi një gol naiv me kundërsulm brenda, pas një kundër-zbritjeje të shpejtë të finalizuar nga Leroy Sane.

Gjysmë shekulli më parë ishin pikërisht milimetrat që i dhanë suksesin Anglisë në Kupën e Botës, për më tepër brenda në “atdheun” e futbollit, falë atij vendimi të kryesorit nga Azerbajxhani Tofiq Bahramov, gjithsesi këtë herë “Goal-Line Techonology” shërbeu për mirë, duke influencuar ndjeshëm në mbrojtjen e titullit për “sky blues”, sepse siç dihet, humbja me Newcastle-n në “St James’s Park” përbën të vetmin rast kur “citizens” lanë pikë në gjithë fazën e dytë të edicionit të kaluar.

Pra City fitoi 18 nga 19 ndeshjet e fundit, duke eklipsuar 9 fitoret radhazi, me të cilat Liverpooli e mbylli kampionatin. Disfata e 3 janarit përbën humbjen e vetme të “të kuqve” në gjithë kampionatin e kaluar, e megjithatë ekipi i Guardiolës ia doli mbanë për të koleksionuar titullin e dytë rresht në Premiership, pavarësisht se “the reds” në krahun tjetër grumbulluan plot 97 pikë gjithsej.

Jurgen Klopp më në fund e hoqi mallkimin e 6 finaleve të humbura radhazi, teksa mundi në “Wanda Metropolitana” në Champions Tottenham-in e Pochettino-s, megjithatë në mënyrë të kuptueshme trajneri gjerman vuan presionin e titullit. Një titulli që në këtë pjesë në Merseyside mungon prej tre dekadash, e pikërisht për këtë arsye Jurgen Klopp ka bërë thirrje se të gjithë duhet të ndihen gati, për të marrë 3 pikët në këtë takim, futbollistët, tifozët e zjarrtë, madje edhe vetë djemtë që shesin hot-dog në stadium.

Në krahun tjetër Guardiolës i kërkohet me ngulm trofeu me “veshë të mëdhenj”, pasi të gjitha pritshmëritë e tjera trajneri katalanas në ishull i ka përmbushur me sukses, kështu që në këtë aspekt si Pep ashtu edhe lojtarët e City-t shkojnë të qetë drejt sfidës së “Anfiled”-it. Mbi të gjitha trajneri spanjoll ka edhe alibinë e mungesave, sepse përveç emrave si Sane, Laporte që dihen, do të mungojnë edhe futbollistë si David Silva, Rodrigo e Zinchenko, madje së fundi këtyre emrave iu është bashkëngjitur gjithashtu edhe ai i portierit brazilian Ederson, ndërsa Klopp në anën tjetër të llogoreve nuk ka në dispozicion vetëm qendërmbrojtësin Joel Matip.

Liverpuli e ka shndërruar “Anfield”-in në një fortesë, pasi të “kuqtë” krenohen me plot 45 ndeshje pa humbje në këtë stadium, ndërsa City në krahun tjetër numëron plot 16 vjet pa fitore në impiantin mitik, në përballjet ndërmjet tyre në Premier League, që nga koha kur miqtë drejtoheshin nga Kevin Keegan dhe golat i shënonte sulmuesi francez Nicolas Anelka.

Ndryshe nga vjet kur në këtë kohë ishin “sky blues” që kryesonin, tani janë vendasit që komandojnë me 6 pikë më tepër, në klasifikimin e përgjithshëm, falë natyrisht edhe ecurisë stratosferike me 10 fitore dhe vetëm 1 barazim, pikërisht atë me United në Old Trafford, kështu që një tjetër fitore do ta shkëpuste Liverpulin në +9.

Ndeshja do të luhet në orën 17:30 dhe do të drejtohet nga kryesori Michael Oliver, pikërisht gjyqtari që drejtoi edhe finalen e Kupës së Ligës tre vjet më parë, kur City fitoi trofeun në “Wembley” pas gjuajtjes së 11-metërshave, duke mundur Liverpulin në finale pikërisht falë pritjeve heroike të penalltive nga veterani argjentinas Willy Caballero.

Related posts

DUAN CHAMPIONSIN/ MILANI nuk heq dorë nga IBRA, italianët i bëjnë “dhuratë” suedezit

Isa.Autor

Nuk u grumbullua me Shqipërinë, mesfushori i shënon super gol Juventusit (VIDEO)

Sadik.Autor

E BUJSHME TEK INTERI/ Ideja e çmendur dhe telefonata e Zannettit, Icardi shkëmbehet me…

Delo.autor

Leave a Comment