Champions League Futboll Sport

PARA PËR TË PREKURIT NGA TËRMETI DHE MIQËSORE ME TEUTËN/ Klubi grek solidarizohet me shqiptarët, ja deklarata

Solidarizim i paparë nga Greqia për tragjedinë që po përjeton Shqipëria pas tërmetit apokaliptik të 26 nëntorit. Pas thirrjeve të klubeve më të famshme helene të futbollit për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, dje tërhoqi vëmendjen e mediave greke qëndrimi i avokatit Aleksis Kujas, i cili është njëkohësisht president i Larisës.

Klubi i Superligës greke, ku aktivizohen tre lojtarë shqiptarë (Ergys Kaçe, Fatjon Andoni dhe Gertin Hoxhalli), bëri të ditur dje se në dy ndeshjet e radhës në shtëpi, do të mbledhë rroba dhe produkte të tjera për të mbështetur të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Skuadra ku u bë legjendë i ndjeri Lefter Millo, do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore me Teutën, më 29 dhjetor në Shqipëri, teksa të ardhurat e fituara nga biletat do të shkojnë për të njëjtin qëllim. Gjithashtu, presidenti Aleksis Kujas ka premtuar se do të dhurojë një shumë parash për të prekurit nga tërmeti në emër të klubit.

KOMUNIKATA E LARISËS

“Klubi i Larisës, në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë së Larisës dhe Prefekturës së Thesalisë, do të kërkojë nga tifozët e tij që në ndeshjen e sotme me Volosin për kampionat (30.11.2019) në orën 17:15 dhe ndeshjen e Kupës me Kallamatën të mërkurën 04.12.2019 në orën 19:30, të mbledhë në stadiumin ‘AEL  Arena’ dhe më saktësisht në vendin ku ka qenë dyqani i AEL FC (do të ketë tabela orientuese), rroba për fëmijë, gra, burra, jastëkë, jorganë dhe dyshekë. Këto do të dërgohen menjëherë pas ndeshjes së Kupës nga AEL FC te Bashkia e Durrësit për të mbështetur të prekurit nga tërmeti. Klubi ynë, nëpërmjet trajnerit të Apolon Larisës dhe ish-lojtarit të Kombëtares shqiptare, Arjan Bellai (zoti Aleksis Kujas e ka pasur si futbollist kur ishte president i PAS Janinës), vendosi kontakt me zotin Edmond Hasenbelliu, president i Teutës së Durrësit, qytet që u shkatërrua nga tërmeti vrasës. Kujas dhe miku i tij, Hasanbelliu, vendosën të zhvillohet një ndeshje futbolli në stadiumin kombëtar në Tiranë ose në stadiumin e Durrësit më datë 29.12.2019 dhe të gjitha fitimet nga biletat e kësaj ndeshjeje do të dhurohen për të dëmtuarit. Në këtë ndeshje do të jetë prezent edhe zoti Aleksis Kujas, i cili do të dhurojë edhe vetë një shumë parash në emër të ekipit dhe tifozëve të tij”, citohej dje në komunikatën e klubit të Larisës sa i përket nismës për solidarizimin me atë që ka ndodhur ditët e fundit në Shqipëri. Larisa është një klub me shumë traditë në Greqi, për më tepër që ndër vite kanë luajtur lojtarë shqiptarë. Në këtë qytet jetojnë aktualisht me mijëra emigrantë nga vendi ynë, të cilët janë zhvendosur në Larisë që në vitet ’90.

Related posts

Vjen për të mundur Partizanin/ Këngëtari i njohur “ndal” në aeroport mbrojtësin e Kombëtares (FOTO)

Isa.Autor

RIKTHIMI I CR7 NË “OLD TRAFFORD”/ Forlan “vë bast”: Ronaldo do ta kthejë në majë Manchester United

Delo.autor

E KONFIRMON MINISTRI I SPORTIT/ Italia gati të hapë stadiumet. Ja sa tifozë do lejohen

Delo.autor

Leave a Comment