Futboll Kategoria Superiore Sport

“DUHET TË RIKTHEHEMI TEK FITORJA”/ Flet ish-mbrojtësi Kalari: Partizani ka nevojë për një trajner…

Me Franco Lerdën e shkarkuar pas humbjes në derbi, në dy takimet e fundit për 2019-ën Partizani do të drejtohet nga Reinaldo Kalari, ish mbrojtësi që sezonin e kaluar u shpall kampion i Shqipërisë me “të kuqtë”.

Në prag të takimit me Teutën, që do të luhet nesër në orën 13:00 në “Niko Dovana” të Durrësit, Kalari doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku foli për ndjesitë që i jep pozicioni i ri, marrëdhëniet me Lerdën, besimin për të ardhmen, etj.

E kishe menduar ndonjëherë që do të uleshe në atë tavolinë në rolin e trajnerit?
Patjetër që e kam menduar, pasi që kur e kam filluar futbollin, i kam kushtuar jetën këtij sporti, jam munduar që të jap gjithmonë maksimumin. Vjen një moment që duhet t’i thuash stop. Vjen një moment që për deri sa i ke kushtuar jetën si lojtar, do vazhdosh, se ka qenë profesioni jot. Unë e kam bërë me dëshirë dhe pasion. E kam ëndërruar që të isha këtu ku jam sot, pavarësisht se në një situatë tjetër, me më shumë eksperiencë, me më shumë vite mbi shpinë, në këtë profesion të ri. Është diçka që e kisha menduar. Erdhi në një situatë ndryshe, por kam besimin e plotë të presidentit Demi dhe klubi. Ashtu si lojtar, edhe në pozicionin e trajnerit, për këto 2 ndeshje do të jap maksimumin, për të arritur ato objektiva që ka klubi.

Cila është receta që keni përgatitur ndaj Teutës?
Është ajo që dihet zakonisht në futboll. Lojtarët sot, shikojnë sepse mediat sociale, televizionet bëjnë të vetën. Janë dhe pak trajnerë vetë dhe ta bëjnë punën më të lehtë. Receta kryesore është që në momentin kur hyn në fushë të japim maksimumin, jo 100 %, por 1000 %. Në radhë të parë për veten, klubin, tifozët dhe objektivat, duhet të luajmë me zemër dhe këtë duhet ta tregojmë në fushë.

Si është gjendja e skuadrës. A ka shok pas humbjes në derbi?
Fjala shok nuk ka shkuar asnjëherë te Partizani. Pavarësisht humbjes, që është diçka që ndodh dhe të gjithë logjikisht nuk do ishin mërzitur nëse e humb derbin njëherë në 6 vjet. Ne kemi objektiva të tjerë, që janë venë në fillim të sezonit dhe duhet të arrijmë ato. Gjatë rrugës ka luhatje, por në momentin që je në një skuadër si Partizanin, edhe lojtarët janë përgatitur që të dalin nga kjo situatë. Unë jam i përgatitur, pasi këta lojtarë që ka Partizani, janë nga më të mirët e kampionatit, në rolet që luajnë.

Përballeni me Teutën, që po kalon një moment të vështirë dhe gjithashtu ka ndryshuar trajnerin…
Në një ndeshje futbolli, ndikojnë shumë pak këto ndryshime, aq më tepër kur ka ndryshime në staf. Lojtarët ndonjëherë janë më të përqendruar për të dhënë maksimumin. Nuk besoj që do të ndikojë kjo pjesë dhe as që e kemi diskutuar.

Si është këndvështrimi i një trajneri në krahasim me atë të futbollistit?
Kur je lojtar mendon vetëm për atë 1 orë e gjysmë 2 orë stërvitje, mbaron stërvitjen ikën për në shtëpi dhe mendon vetëm ato që ke bërë mirë apo ke bërë gabim, ndryshe nga trajneri që duhet të mendojë për 30 veta, duhet të jetë në mendjen e 30 lojtarëve, duhet t’i studiojë të gjithë dhe të jetë në mendjen e tyre, aq më tepër edhe në ndeshje. Është komplet diçka ndryshe.

Çfarë pritet ndryshe nesër nga Partizani?
Nesër skuadra duhet të reagojë patjetër mbas 2 humbjeve. U bënë shumë vite që Partizani nuk humb dy ndeshje rresht. Pritet ndryshe mënyra se si do sillemi në fushën e lojës për sa i përket karakterit. Të japim maksimumin nga i pari te i fundit. Duhet të sakrifikojmë të gjithë, edhe ata që do jenë në stol. Të mbështesim shokët, duhet të japim maksimumin qoftë edhe për 1 minutë.

Para 6 muajsh festuar titullin si i çmendur teksa ishit lojtar, a keni pasur siklet tani që e morët drejtimin e skuadrës si trajner?
Futbolli kështu të sjell dhe ka pasur shumë raste në të gjithë botën që shoku i skuadrës të bëhet trajner. Këta janë profesionistë dhe e kuptojnë që në momentin që jemi shok dhe miq, jemi të tillë, shumicën i kam si vëllezër. Me Bruno Telushim kam ndenjur 2 vjet në një dhomë, por kur janë aty në fushë, e kuptojnë që nuk ka shokë, të japin maksimumin të sillen si profesionistë dhe jam i bindur që nuk e shohin fare këtë pjesë.

Jeni edhe i federuar si lojtar, mund të luani?
Jo nuk jam i federuar si lojtar. Kam luajtur te Partizani B, por ndryshojnë rregullat në Kategorinë Superiore. Po gjithsesi po të isha i federuar si lojtar, e kam dëshirën dhe pasionin që dhe 5 minuta të futesha, ta “haja fushën me dhëmbë” kur i thonë. Do mundohem t’ua transmetoj çunave këtë pjesë.

Nëse fiton këto 2 ndeshje, të zgjohet dëshira për të qenë trajner i parë, apo mbyllet me këto 2 ndeshje, dhe kthehesh atje ku ishe?
Duhet të jemi realistë. Logjikisht nuk besoj se mund të shkojë kjo pjesë. Unë e kam mbështetjen e presidentit dhe drejtorit, por Partizani ka nevojë për një trajner me shumë emër. Unë në këtë profesion jam si një 16-17 vjeçar që futet për herë të parë në fushë dhe nuk mund t’i vazhdoj do të gjitha ndeshjet pa marrë eksperiencën që duhet.

Trajneri duhet të jetë i huaj apo shqiptar?
Kjo pjesë i takon klubit, i takon presidentit Demi dhe drejtorit. Nuk mund të jap asnjë opinion për këtë pjesë.

Si i ke pasur marrëdhëniet me Lerdën?
Shumë të mira! Puna e trajnerit kështu është, të vjen keq, sepse unë i kam të vështira ndarjet, por për fat të keq futbolli matet me rezultatet. Më vjen keq sinqerisht për të.

Me çfarë skeme do e fusësh skuadrën kundër Teutës?
Këtë pjesë nuk mund ta them këtu. E kam menduar, por mendimet i kam mbajtur për veten time, për stafin tim momental. Nesër do ta shikoni skuadrën në fushë se si do rreshtohet.

Sa e lehtë do të jetë ta zëvendësosh Bruno Telushin, në qoftë se do të jetë e nevojshme?
Bruno më njeh shumë mirë, ashtu si dhe pjesa më dërmuese e skuadrës. Këtu jemi për një objektiv, të çojmë Partizanin përpara. Në qoftë se dikush nuk po jep maksimumin, do të dalë, t’i japi dorën shokut dhe të ulet në stol të mbështesë skuadrën. Ky është respekti për skuadrën dhe njëri-tjetrin. Kjo është familja që ne duhet të jemi, kemi qenë dhe duhet të jemi.

Në qoftë se të kërkojnë të jesh trajner i Partizanit, do të vazhdosh të jesh deri në fund të sezonit?
E vështirë sinqerisht. Jam realist për veten time. Nuk mund të fluturoj. Gjërat bëhen shkallë-shkallë. Unë jam i bindur që Partizani do të afrojë trajnerin e duhur.

Related posts

AUTOGOL QESHARAKE/ Shikoni gafën e pabesueshme të mbrojtësit qipriot ndaj Belgjikës (VIDEO)

Delo.autor

Vidal tundohet nga Mourinho, i ofron dyfishin e pagës në Manchester

Sadik.Autor

Formacionet zyrtare: Juventus – Atalanta

Q.Autor

Leave a Comment