Futboll Seria A Sport

“MILAN KA BËRË BLERJEN E DUHUR”/ Flet Rui Costa: Mosha nuk është faktor vendimtar, një yll si Ibra…

Manuel Rui Kosta, sot në cilësinë e drejtorit sportiv të Benfikës, në një intervistë për “A Bola” ka kujtuar kohët kur luante në Serinë A. Vëmendja e portugezit shkon te situatat e dy klubeve, me të cilat shkëlqeu në Itali. Fiorentina në fillim e Milani më pas ishin dy etapat e vetme italiane të fantazistit.

Rui Costa

Fiore dhe Milani nuk po kalojnë momente të bukura? Cilat janë ndjesitë tuaja?

Java e fundit e Serisë A ishte veçanërisht e rëndë. Fiore u mund në shtëpi nga Roma, teksa edhe Milani pati një disfatë të rëndë ndaj Atalantës. E pata të vështirë, sepse nuk kam turp ta pranoj që jam një tifoz i këtyre skuadrave, të cilat i ndjek, edhe pse jam larg.

Pasioni nuk vdes kurrë apo jo?

Absolutisht jo. Kam mbetur shumë i lidhur më tifozëritë e të dyja skuadrave, në Milano e Firence kam ende shumë miq. Nuk dua që të vuajnë. Edhe pse jam larg prej profesionit, me mendje jam shpesh në Itali.

Stefano Pioli, shoku juaj “i parë” italian, mori vendin e Marko Xhampaolos në stolin e Milanit. Cili është mendimi juaj?

Stefanon e kam shumë për zemër. Në 1994, kur mbërrita në Firence, për mua ishte gjithçka e re dhe shkova të banoja në pallatin ku banonte edhe ai. Isha praktikisht fqinji që kishte mbi kokë. Nuk ishte thjesht një shok skuadre, por një mik që më ndihmoi për shumë situata.

Si e gjykoni si trajner?

Konsiderata që kam është e lartë, si për njeriun, ashtu edhe për trajnerin. Nuk mund të bëj më shumë sesa ta uroj. Jam i bindur që do të dijë të ndryshojë sezonin e Milanit e të ringrejë skuadrën.

Ironia e fatit do që një tjetër ish-shok skuadre i atyre viteve, si Xhuzepe Iakini, të marrë stolin e Fiorentinës…

(Qesh) Këtu më duhet të të korrigjoj, sepse në vitin që mbërrita unë në Firence, Bepe sapo ishte larguar. Sidoqoftë, kam pasur fatin ta njoh nga afër dhe e vlerësoj si profesionist. Është një personazh që transmeton karizëm dhe është mësuar t’i arrijë objektivat.

Çfarë mendoni për renditjen e Fiorentinës dhe Milanit?

Sezoni është i gjatë. Kjo vlen për Fioren, Milanin e për të gjitha ekipet. Objektivat që secili nga klubet ka vendosur në fillim të sezonit janë ende të arritshme. Jam i bindur se vjollcët do të shpëtojnë nga rënia nga kategoria, teksa Milani me siguri që do të gjejë një vend në Europë.

Si e gjykoni transferimin e Zlatan Ibrahimoviçit te Milani?

Ibra mbetet Ibra, edhe pse certifikata e lindjes tregon se ka lindur 38 vite më parë. Për Zlatanin mosha nuk është një faktor vendimtar dhe pas pak ditësh do të shikoni se është në formë të shkëlqyer. Një yll i tillë mund të bëjë kudo e kurdoherë diferencën.

Kaq nevojë kishin kuqezinjtë për një afrim të tillë?

Sigurisht, sepse Ibra është një nga ata lojtarë që janë në gjendje të tërheqin një skuadër të tërë pas vetes. Nuk besoj se zgjodhi Milanin për çështje ekonomike. Jam i bindur se motivimet që i ofron klubi kanë ndikuar fuqimisht në zgjedhjen e tij. Nëse një si Ibra të zgjedh, te Milani duhet të jenë të bindur që kanë arritur marrëveshjen e duhur.

Related posts

NGA FUTBOLLISTËT TEK PRESIDENTËT E KLUBEVE/ Ja kur sportistët kanë pasur nevojën e truprojave

Delo.autor

REAGIMET PAS CHELSEA UNITED/ Flasin Pogba dhe Solskjaer

Delo.autor

Murinjo merr djalin te stafi i trajnerëve tek Junajtid

Sadik.Autor

Leave a Comment