Futboll Kategoria Superiore Sport

ZBARDHET KORÇA/ Trajneri Daja përgatit skuadrën në dëborë (FOTO)

Bora pushton Korçën dhe Juglindjen. Pavarësisht se reshjet e borës kishin mbuluar gjithë zonën sportive në Korçë, trajneri Ilir Daja as që e çoi ndërmend të hiqte dorë nga seanca stërvitore në natyrë. Ndonëse mund të limitohej në parket, sikundër ka ndodhur edhe më herët, apo në kalçeto, numri një i pankinës vendosi që gjithçka do të vijonte normalisht.

Fusha e mbuluar me borë nuk i stepi bardhekuqtë, edhe pse për disa ishte hera e parë që shihnin një fushë të tillë apo edhe që stërviteshin. Pavarësisht tentativave të lojtarëve për të përfituar nga ndonjë moment për t’u argëtuar me borën, qëndrimi i Dajës ishte korrekt. Numri një i pankinës korçare kishte ndryshuar për shkak të reshjeve edhe programin stërvitor. Ndonëse ishte programuar që bardhekuqtë të punonin më shumë taktikisht në fushë, terreni i gjithi i bardhë e bënte të pamundur një gjë të tillë.

Kjo e detyroi ekipin që të tregohej oportunist dhe të shfrytëzonte borën për të relaksuar muskujt. Sa i përket seancës, gjithçka u ndërtua me ushtrime më së shumti fizike dhe jo shumë në punë me topin. Daja kërkoi nga të tijtë që të ruajnë përqendrimin dhe të mundohen të mbulojnë zonat në kohë, probleme të cilat Skënderbeu i ka hasur gjatë gjithë kësaj kohe këtë sezon.

Goli i Krasniqit

KRASNIQI, ME PROBLEME

Pavarësisht ngrohtësisë së ambientit korçar në aspektin psikologjik që ofronte bora, jo gjithçka shkon “vaj” te Skënderbeu. Problemi më i madh në përgatitje të ndeshjes kundër Bylisit mbetet sulmuesi kryesor i ekipit, Blerim Krasniqi. Krasniqi mungoi ndaj Laçit për shkak dëmtimi dhe mungesa e tij ishte më se e dukshme në kampin bardhekuq. Por, duket se edhe këtë herë trajneri Ilir Daja duhet t’i bëjë planet pa Blerim Krasniqin në skuadër. Sulmuesi kavajas duket se po vuan ende pasojat e tërheqjes muskulare të pësuar në ndeshjen ndaj Flamurtarit dhe situata nuk paraqitet premtuese.

krasniqi muzaka

Pavarësisht se ditën e djeshme futbollisti është kthyer duke punuar me grupin, duket se ende nuk është në gjendje optimale. Mungesa e gjithë këtyre ditëve në stërvitje bën që forma e sulmuesit të mos jetë e duhura. Për këtë arsye edhe trajneri Daja nuk kërkon që ta rrezikojë duke e hedhur në fushë në këtë gjendje. Kjo sjell domosdoshmërinë që bardhekuqtë të përshtaten sërish në vijën e parë të sulmit, atje ku Gripshi mund të sakrifikohet sërish si nëntë false ose mund të luhet me Pusin nga fillimi i lojës. Gjithsesi, Daja ende nuk ka vendosur, dhe për sa kohë i gjithë grupi duket se është në dispozicion, trajneri është i qetë për të bërë zgjedhjet e nevojshme për të ndërtuar formacionin më të mirë të mundshëm.

Related posts

Ivan Strinic: Unë kam nënshkruar një kontratë me Milanin

Sadik.Autor

Kishte 15 vjet që Chelsea nuk bënte diçka të tillë…

Sadik.Autor

TIRANA DO KUALIFIKIMIN NË ZVICËR/ Egbo i beson “Zvezdës”. Ja problemi kryesor për bardhblutë

Delo.autor

Leave a Comment