Ekskluzive Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

LEGJEONARËT/ Yjet shqiptarë që shkëlqyen në fundjavë. Nga Lindon Selahi tek Memushaj (VIDEO)

Është “mbreti i asisteve, por dje ka vendosur që të shënojë një supergol “alla Del Piero” për 3 pikët e Peskaras. Ledian Memushaj i ka dhënë fitoren skuadrës së tij në Serinë B, duke realizuar në mënyrë të shkëlqyer në ndeshjen që “Delfinët” e fituan kundër Askolit, 2-1. 

Në minutën e 80-të, mesfushori i Kombëtares finalizoi nga e majta në mënyrë perfekte një aksion me goditje precize, duke e dërguar topin atje ku portieri Leali nuk mund ta arrinte.

Por duket se kjo javë pati edhe lojtare të tjerë shqiptar që luajnë në botë të cilët kanë shënuar gola të bukur. Përmendim këtu Shkodra apo Qose. Alpesport.al ju sjell ato për ju.

Lindon Selahi

Lindon Selahi padyshim është një nga lojtarët më të mirë te Kombëtarja, i cili premton shumë për të ardhmen. Lojtari ka rezultuar të jetë vendimtar edhe me Tuenten në Holandë, ekip ku ai aktivizohet këtë sezon.

21-vjeçari ka qenë protagonist në ndeshjen ndaj Herenvenit, ku ekipi i tij humbi me rezultatin 3-2. Në minutën e 72’, Selahi pasi merr një pasim jashtë zone dhe menjëherë niset drejt portës kundërshtare, duke kaluar të gjithë që i dolën para. I shfaqur përballë portierit, mesfushori kuqezi nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë, duke shënuar për ekipin e tij, ndonëse nuk morën dot të paktën 1 pikë.

Odise Roshi

Mesfushori i Shqipërisë Odise Roshi ishte protagonist i skuadrës së Akhmat Grozni në ndeshjen kundër Rostovit në kampionatin rus. 28-vjeçari shënoi golin e barazimit për skuadrën e tij në minutën e 49-ë të takimit. Vendasit fituan 11-metërsh dhe Roshi arriti të ekzekutonte saktë penalltinë duke u ndihmuar dhe pak nga fati pasi portieri kundërshtar për pak e priti penalltinë.

Ky barazim me skuadrën e vendit të dytë të kampionatit rus e motivon Akhmatin të luftojë deri në fund për t’i shpëtuar rënies nga Superliga ruse. Pas 20 javësh, Akhmat Grozni ndodhet në vendin e 12-ë me kuotë të barabarta pikësh me Orenburgun e një vendi më poshtë, pozicion i play-out. Ky është goli i katërt këtë sezon në 19 ndeshje të kampionatit rus për Roshin.

Endri Cekiçi

Mesfushori Kombëtares Shqiptare, Endri Cekiçi po kalon një super formë me skuadrën e Olimpijas në kampionatin slloven, teksa ka shënuar golin e 8 për këtë sezon.

Pogradecari gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 39-të në ndeshjen kundër Rudar, pas një goditje tepër të fortë brenda zonës, duke konfirmuar në këtë mënyrë formën e mirë që po kalon këtë sezon.

Me formën e shkëlqyer që po kalon, 23 vjeçari po i dërgon sinjale pozitive trajnerit Edi Reja, i cili ndoshta së shpejti mund t’i japë mundësinë të debutojë me fanellën e kombëtares.

Besart Berisha

Besart Berisha vazhdon të bëjë atë që di më mirë, siç është të shënojë gola dhe të ndihmojë ekipin e tij. Pikërisht 34-vjeçari ka qenë sërish protagonist me ekipin e tij, duke shënuar një dopietë spektakolare.

Sulmuesi që aktivizohet në Australi me Uestern Junajtid, shënoi golin e parë për ekipin e tij në minutën e 9’, ndaj Sentral Koast Mariners, duke i dhënë avantazhin të tijve.

Skuadra e Berishës fitoi me rezultatin e thellë 6-2, teksa ishte përsëri shqiptari që shënoi golin e fundit për Uestern. Me këtë fitore ekipi i Berishës shkon në kuotën e 24 pikëve dhe renditet në vendin e 7-të pas 19-të javëve.

Ylber Ramadani

Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani dalloi në këtë fundjavë me skuadrën e Vejle në kampionatin e kategorisë së parë daneze. 23-vjeçari i dha fitoren skuadrës së tij në takimin e javës së 19-ë kundër Koges. Ish-futbollisti i Partizanit goditi fuqishëm nga jashtë zone duke dërguar saktë topin brenda në rrjetë.

I gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të festuar golin e Ramadanit teksa kjo fitore e shkëput Vejlen në renditje nga ndjekësi më i afërt me 6 pikë duke iu afruar synimit të ngjitjes në Superligën daneze. Ramadani luan prej 3 sezonesh me Vejlen dhe është kthyer në njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm të këtij ekipi. Ai u transferua nga Partizani në verën e vitit 2017 për shifrën e 200 mijë €.

AlpeSport.al

Related posts

DASMA MADHËSHTORE PO VJEN! 500 të ftuar do këndojnë dhe kërcejnë Kuq e Zi, por jo në stadium… (FOTO)

F.autor

INTERISTI/ Juventus nuk e fiton Champions as me CR7, ky është viti i ekipit anglez

Isa.Autor

MERREN VENDIMET/ Disiplina jep dënimet e zakonshme për Partizanin e Teutën, Kastrioti duhet të qetësojë lojtarët

Delo.autor

Leave a Comment