Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

“LOJTARËT DUHEN TESTUAR TË GJITHË PAS KTHIMIT, COVID-19 PREK ZEMRËN”/ Ish-përgatitësi i Kombëtares shqiptare lëshon alarmin

Stafet mjekësore të klubeve shqiptare duhet të jenë shumë të kujdesshme në kontrollin e futbollistëve pas rikthimit në fushë nga pauza e stërzgjatur prej përhapjes së koronavirusit. Është ish-përgatitësi atletik i Kombëtares shqiptare, Alesandro Ciulini, ai që lëshon alarmin për atë që pritet të ndodhë me skuadrat pas rikthimit në fushë.

Trajneri italian i atletikës, që ka punuar në stafin e kuqezinjve në kohën kur Shqipëria drejtohej nga Kristian Panuçi, në një prononcim për “La Repubblica” ka shpjeguar mënyrën se si futbollistët mund të jenë në gjendje normale pas dy muajsh karantine.

Kampionati shqiptar është ndalur që prej 12 marsit dhe gjasat janë që skuadrar të pushojnë edhe për 30 ditë të tjera. Sipas njeriut që punoi për dy vite e pesë muaj në Kombëtaren shqiptare, lojtarët duhet domosdoshmërisht të testohen përpara se të nisin stërvitjen në grup. Në rrëfimin për gazetën prestigjioze italiane, Ciulini sqaroi se koronavirusi do të lërë pasoja të mëdha, pasi prek zemrën dhe kjo e bën të detyrueshme një kontroll të imtësishëm, jo vetëm për ata futbollistë që kanë qenë pozitiv me Covid-19 në këtë periudhë.

STËRVITJA NË KARANTINË

Alesandro Ciulini ka 25 vjet përvojë, duke punuar në klube italiane si Fiorentina, Salerintana, Leçe, Viçenca, Atalanta, Sasuolo, Rexhina, Benevento, si dhe tek Livorno e Ternana ku bashkëpunoi me Kristian Panuçin. “Aspekti më i rëndësishëm, veçanërisht për një trajner atletik është intervali kohor midis stërvitjes dhe lojës, një fakt thelbësor për planifikimin e tërë programit. Gjatë karantinës kryesisht lojtarët përqëndrohen në stabilitetin thelbësor, pra forcën dhe gjimnastikën.

Çfarë do të thotë kjo? Nga njëra anë, pjesa qëndrore e trupit është forcuar, domethenë zonat e barkut dhe mesit, të cilat veprojnë si një bashkim midis gjymtyrëve të sipërëm dhe të poshtëm. Kjo është për të stabilizuar trupin, me ushtrime ku punohet në pozicione për të dhënë ekilibër dhe forcë.

Pergatitesi 2

Është një trajnim shumë i dobishëm. Ndërsa aerobia, nga ana tjetër, është e kushtëzuar me qëndrimin në shtëpi, duke mos qenë në gjendje të shkosh në parqe, ku mund të përdorësh edhe biçikletën. Për forcën, nëse ka një hapësirë të lirë mund të improvizosh shkallët me hapa, stolat, tavolina, shirita elastikë apo dyshekë”, tregon fillimisht Ciulini.

RIKTHIMI I LOJTARËVE

“Para së gjithash do të jetë e nevojshme të kryhen teste kontrolli për të kuptuar aftësinë e lojtarëve. Unë do të përqendrohesha në aspektin specifik të lojtarit, duke stimuluar dhe stërvitur ato lëvizje që ai nuk ishte në gjendje t’i bënte në shtëpi. Përshpejtimet, frenimet, ndryshimet e drejtimit, kontakti me topin etj.

Do të përpiqesha të vidhja pak kohë nga trajneri, duke u kapur me pjesën taktike që ai mezi mund ta kishte realizuar në karantinë. Megjithatë, një kusht për të gjitha klubet është se duhet të rifillojnë trajnimet në të njëjtën ditë. Kjo ndikon në korrektësinë dhe rregullsinë e kampionatit. Pas rikthimit në fushë, ka një faktor si entuziazmi që mund të ndikojë për mirë te lojtarët dhe do të jetë më e lehtë për ta.

Natyrisht, gjendja e përgjithshme fizike e ekipit nuk do të jetë e vërtetë, por lojtari do të ketë një dëshirë të madhe për të luajtur menjëherë. Ky entuziazëm do të bëjë që të shkojë më tej dhe të përmirësojë anën fizike të humbur gjatë pushimit”, tregon përgatitësi atletik.

EFEKTI I KORONAVIRUSIT

“Pas pandemisë globale, Federata do të forcojë kontrollet me stafet mjekësore në klube. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata lojtarë që mund të kenë rezultuar pozitiv me Covid-19. Edhe për lojtarët që janë testuar dhe kanë rezultuar negativë, duhen bërë kontrolle çdo katër ditë. Ndërsa për ata që janë prekur nga koronavirusi dhe e kanë kaluar, do të duhet t’i nënshtrohen një seri testesh për t’u vëzhguar më pas në një periudhë individuale të rimëkëmbjes graduale prej gati 15 ditësh.

Vetëm atëherë mund të të fillojnë stërvitjet normale, gjithmonë nën kontrollin e stafit mjekësor. Nga ajo që kuptoj, duke lexuar raporte të ekspertëve, virusi ndikon shumë në mushkëri dhe në zemër. Për këtë arsye mund të lërë shenja te një futbollist në të ardhmen. Tashmë mjekët duhet të kenë një vlerësim shumë më të saktë dhe për këtë arsye do të urdhrohet një ekzaminim i rreptë”, përfundon ish-pjestari i stafit teknik të Shqipërisë në kohën e Panuçit.

Related posts

“PLESHTI” KËRKON LARGIMIN NGA “CAMP NOU”/ Carragher: Messi nuk do ta bënte të pamposhtur Manchester City

Delo.autor

OZIL KA KU TË NGUSHËLLOHET/ E fejuara: Jam gjithmonë krah teje… (FOTO)

Isa.Autor

Reali i ofron 25 milionë për pesë sezone, por Roma “pengon” portierin…

Sadik.Autor

Leave a Comment