Futboll La Liga Sport

FITON TROFE ÇDO NDESHJE/ Zidane: Më mirë se Championsi

Zinedin Zidan tani ka në palmaresin e tij personal La Ligën e dytë dhe në total 11 trofe të fituar si trajner i Realit të Madridit. Francezi fiton një kupë çdo 19 ndeshje. Statistika të çmendura dhe të frikshme. Pas 209 ndeshjesh si trajner i madrilenëve, Zinedin Zidan është vetëm 3 tituj larg trajnerit më të titulluar të Realit, Migel Munjoz.

Por ka një diferencë të madhe, që madrileni e drejtoi skuadrën në 605 ndeshje për një dekadë e gjysmë. Dhe rastësia thotë se për Realin nuk ka trajnerë më të mirë sesa ata të “shtëpisë”. Historia ka treguar se trajnerët më fitues të “Galaktikëve” janë rritur te Reali. Nga 5 më të titulluarit, vetëm i pesti nuk është formuar në Madrid. Bëhet fjalë për Leo Benhaker, fituesin e 3 Ligave, 2 Superkupave të Spanjës dhe një Kupe Mbreti. Përpara holandezit renditen Migel Munjoz, Del Boske, Zidan dhe Molovni. Përveç suksesit që patën, ata kanë një tjetër të përbashkët:

Erdhën te Reali për të shuar “zjarrin” dhe u larguan si triumfues. Zinedin Zidan e mori drejtimin e skuadrës në janarin e vitit 2015 kur anija “Real” po përmbytej dhe ai zëvendësoi Rafa Benitezin. U largua në verën e vitit 2018 me 3 Champions dhe një La Liga dhe u rikthye sërish për të përfunduar punën e lënë përgjysmë. Dje festoi titullin e 11-të si trajner, një titull çdo 19 ndeshje. Por duket se La Liga i shijon shumë Zidanit, i cili thotë se është më e rëndësishme sesa Champions-i.

EMOCIONET – “Janë të papërshkrueshme. Ajo që bënë këta futbollistë është impresionuese. Nuk kam fjalë për ta treguar emocionin që po përjetoj në këto momente. Është një ditë e lumtur për të gjithë madrilenët, të cilët ndihen krenar për skuadrën e tyre dhe për gjithçka kemi bërë në këtë moment”.

ROLI – “Janë lojtarët ata që luftojnë në fushë. E vërteta është që unë kam rolin tim, por janë ata që besojnë në çdo moment. Kjo skuadër përbëhet nga njerëz të shkëlqyer dhe kur i shoh të lumtur, lumturohem edhe unë. Edhe ata që kanë luajtur pak kanë pasur rolin e tyre të rëndësishëm në skuadër. Kjo më kënaq shumë dhe jam krenar për futbollistët e mi”.

MË TË MIRËT – “Mendoj se kemi qenë të mirët sepse jemi ata që kemi grumbulluar më shumë pikë dhe nuk do shumë analiza. Për mua kjo është një nga ditët më të mira si trajner. Është një kampionat që vjen pas një izolimi dhe disa momenteve të vështira që kaluam të gjithë”.

FESTIMET – “Është e çuditshme për të gjithë që nuk do të festojmë. Do të na pëlqente që të ishim pranë njerëzve tanë, por nuk mundemi. Tifozët tanë janë të lumtur nga shtëpitë e tyre dhe për këtë jam i sigurt. Tifozët janë të kënaqur që Reali fitoi dhe ne e bëmë për ta”.

KRAHASIMI – “Champions-i është Champions-i, por mua më bën më shumë të lumtur kampionati spanjoll. Kjo është maja. Jemi një nga kampionatet më të forta në botë dhe duhet të luftosh prej 38 javësh për të marrë më shumë pikë sesa kundërshtari”.

Related posts

Juve bën “poker”, Dybala “tris”, por duhen dy penallti për të thyer Benevento

Sadik.Autor

“JAM MË MIRË SE JU”/ Zbulohen fjalët e Eriksen në video-call me lojtarët: Ndihem sikur jam gati të shkoj në…

Delo.autor

DERBI VAZHDON ME POLEMIKA/ Olsi Rama: Mungoi një penallti në fushë, por edhe…

Delo.autor

Leave a Comment