Futboll Seria A Sport

“DUA QË JUVENTUS TË MBAJË TOPIN DHE TË SULMOJË”/ Pirlo: Me Higuain jemi ndarë

Andrea Pirlo ka zgjedhur petkun e ri dhe jo vetëm në sensin figurativ. Trajneri i ri i Juventusit u paraqit në konferencë për shtyp me uniformën e stërvitjes, teksa kur u prezantua në krye të U-23 kishte zgjedhur kostumin. Zë i ulët i 42-vjeçarit, por koncepte të qarta dhe direkt. Me Pirlon klubi ka zgjedhur të distancohet nga Sarri, ndaj sakrifica e puna do të jenë dy ndër aspektet e komunikimit me lojtarët.

Çfarë cilësie mendoni se do t’i sillni Juventusit?
Fillimisht dua të ndez entuziazmin, i cili është venitur disi kohët e fundit. Synoj të sjell një futboll ofensiv dhe dy gjërat kryesore që kërkoj nga djemtë janë mbajtja e topit dhe që ta rifitojmë sa më shpejt kur nuk e kemi në zotërim.

A patët kohë për të menduar emërimin në ekipin e parë?
Gjithçka ndodhi tepër shpejt e nuk u mendova shumë, megjithatë, jam i bindur se jam në vendin e duhur e në momentin e duhur.

Është e vërtetë që do të përdorni mbrojtjen me tre lojtarë?
Mund të luajmë në disa mënyra, por mua më intereson që të kem lojtarë që kanë dëshirë. Dua të mbaj topin dhe të sulmoj, e besoj se kam futbollistët e duhur për futbollin tim.
igor-tudor
Përse zgjodhët Tudorin si asistent?
E doja unë sepse kisha nevojë për një asistent me përvojë që të kishte qenë edhe trajner i parë e njëkohësisht me një të kaluar si mbrojtës. Ka personalitet dhe di të raportohet me lojtarët. Për më tepër është edhe juventin. Ishte zgjedhja e përsosur për ta shtuar në stafin tim.

Interi e ka arritur apo parakaluar Juventusin?
Nisemi të gjithë nga e njëjta pikë dhe të mos harrojmë se sezoni i fundit ka qenë i ndërlikuar. Çdo plan dështoi, ndaj u desh të programohej çdo gjë nga fillimi. Te Juventusi po bëjmë të pamundurën që gjithçka të shkojë në rrjedhën e duhur.

Si mendoni të përdorni Dibalën dhe Ronaldon, apo të rinj si Arturi?
Arturi është i zoti dhe e kemi parë te Barcelona e Brazili. Është një mesfushor ndërtues që mund të mbulojë disa role. Do të jetë i dobishëm gjatë sezonit. Me Ronaldon kisha folur në telefon dhe këto ditë kam pasur mundësi të diskutoj për shumë gjëra, por jo detaje teknike. Sa për Dibalën, ai ka shumë rëndësi për mua. Nuk ka qenë kurrë në shitje dhe e konsideroj pjesë të projektit.
RONALDO DIBALA
Ronaldo e Dibala si sulmues të vetëm. Si mendoni?
Djemtë nuk i kam të gjithë në gatishmëri dhe po punojmë në grupe të veçanta. Sapo të jemi së bashku në fushë, do të nisim të planifikojmë diçka. Lojtarët me cilësi mund të luajnë bashkë, mjafton të shfaqin shpirt sakrifice. Sa më shumë kampionë të ketë një ekip, aq më tepër shanse ka për të fituar.

Cilat janë ndjesitë që ju jep roli i ri?
Në fakt, ndihem shumë komod dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve. Deri pak kohë më parë isha pjesë e skuadrës e grupi mund ta ketë pak të vështirë të më shohë në rolin e ri, por ja që unë ndihem mirë. Brenda Juves, por edhe jashtë saj kam ende shumë njohje, ndaj nuk kam probleme me faktin që tashmë jam unë trajneri.
Higuain
Me Higuainin dhe Khedirën keni komunikuar?
Deri tani kam folur vetëm me Higuainin. Ai ka bërë një cikël të rëndësishëm te Juvja, por duke folur së bashku vendosëm që rrugët tona duhet të ndahen. Është vendosur mënjanë dhe duke folur si njerëz seriozë morëm këtë vendim. Bëhet fjalë për një kampion, por ciklet mbarojnë. Khedira vijon të jetë i dëmtuar dhe do ta vlerësojmë kur të ndihet më mirë.

Keni bërë ndonjë pakt me lojtarët tuaj?
Nuk janë të nevojshme paktet. As me senatorët e as me të rinjtë. Kur klubi ka objektiva, atëherë bisedohet me të gjithë.
Bajern Mynih
Çfarë i mësoi Andrea Pirlos finalja mes PGS-së dhe Bajernit?
Bavarezët ishin më të fortë dhe kjo dihej, madje që para pandemisë. Sulmojnë, vrapojnë dhe rifitojnë topin sapo e humbin. Bajerni i kishte të gjitha këto cilësi.

Cili është sekreti për t’ia mësuar ekipit në kaq pak kohë?
Kemi vërtet pak kohë, sepse në fundjavë lojtarët do të grumbullohen me kombëtaret. Kur të kthehen do të kemi vetëm dhjetë ditë në dispozicion për t’u përgatitur për kampionatin. Duhet të shfrytëzojmë çdo çast për të qenë sa më gati në momentin e duhur.

Do të përpiqni të risillni frymën e Juventusit tek i cili bënit pjesë?
Ah, sikur të arrija të sillja frymën dhe dëshirën e grupit të Kontes. Ishim një ekip parimor dhe me vlera e me shumë dëshirë për të sakrifikuar për njëri-tjetrin.

Ndiheni si një yll i ardhshëm i trajnimit?
Do të varet nga rezultatet. Fatin ma parashikuan si lojtar dhe ia dola. Tani si trajner mendoj se është në mundësitë e mia dhe jam i bindur se mund t’ia dal mbanë edhe në këtë rrugëtim të ri.

Related posts

Braktis Kombëtaren shqiptare: Ndihem grek dhe shpresoj të luaj për Greqinë

Q.Autor

SHORTI I CHAMPIONS-IT/ Hidhen goglat, Real Madrid “peshkon” Liverpool, Milan gjen “gjelat”. Buzëqesh Inter. Bayern-PSG

F.autor

E FUNDIT/ Formacioni anti-Izrael: Panucci befason me zgjedhjen e titullarëve

Isa.Autor

Leave a Comment