Futboll Kategoria Superiore Sport

“NA DUHEN 4 AFRIME TË MËDHA”/ Olsi Rama: Ja e vërteta me Bruno Telushin

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në fillim të punës për sezonin e ri futbollistik ka sqaruar para mediave situatën aktuale te “demat”, duke konfirmuar të gjithë lojtarët që kanë qenë dje në stërvitje dhe disa të tjerë që mungonin për arsye objektive.

Rama ka treguar se ku është fokusuar merkatoja e të kuqve, duke anashkaluar emrat e lakuar në media, por tregoi se ku kanë nevojë për përforcime. Për herë të parë drejtori Rama ka qenë konkret duke sqaruar arsyet se pse Telushi nuk është më pjesë e “demave”. Sa i përket objektivit, Rama anashkaloi sërish fjalën titull, pasi vëmendja është te loja dhe krijimi i një filozofie karakteristike të Partizanit.

Partizani nisi punën për sezonin. Lojtarët që janë në fushë në këtë seancë të parë mund të konsiderohen të gjithë pjesë e ekipit?

Sigurisht, deri sa janë këtu, të gjithë janë pjesë e Partizanit. Kemi disa mungesa për arsye objektive, Bardhin që e kemi lënë pushim se u aktivizua me ekipin B, Braun që ka një problem me gjurin dhe Solomon me Melon që janë jashtë vendit. Gjithë të tjerët janë këtu, që janë të konfirmuar nga sezoni i kaluar, plus Lukas Kradozo dhe Dionis Çikani që janë prurje të reja që vijnë nga huazimet, si dhe presim afrime të reja.

Lilaj dhe Arapi janë em rat më të nxehtë të merkatos së Partizanit që janë përfolur së fundmi, ka diçka konkrete?

Emrat në fakt nuk janë të shumtë, gjithmonë gazetaria e ka këtë pjesën që duhet të spekulojë patjetër me emrat. Deri tani ne kemi pritur trajnerin, jemi ulur me atë disa herë për të folur për strategjinë e lojës dhe pozitat kyçe. Është e vërtetë që një qendërmbrojtës dhe një mesfushor cilësor janë detyrat kryesore të merkatos këtë vit, po ashtu janë edhe dy mbrojtësit e krahut, të cilët patjetër duhet të vijnë në ekip që të integrohen dhe të japin kontributin e tyre.

Olsi Rama66

Telushi u prezantua te Kukësi, keni ndonjë mesazh për atë?

Telushit i uroj suksese! Pata një bisedë shumë të çiltër dhe të hapur me atë dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj për çfarë ka bërë te Partizani, sidomos gjatë vitit që dolëm kampion. Telushi është një nga ata lojtarë që unë e kam admiruar gjithmonë për shpirtin e garës dhe për mënyrën se si e ka interpretuar gjithmonë vullnetin dhe dëshirën e mirë që të fitojë. Është një person që e ka këtë pjesë të karakterit të tij. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë dhe kam thënë se ndeshja nuk fitohet ditën kur luhet, por gjatë gjithë javës dhe ne në përgjithësi dhe një pjesë e grupit vjet kemi pritur pak më tepër në aspektin e mbështetjes morale dhe psikologjike.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Nuk është se fajësoj Telushin për këtë, por më tepër në aspektin e ndërrimit të faqes për të ndërruar edhe mënyrën e lojës dhe për të pasur një Partizan pak më të kristaltë në lojën e vet, Telushi nuk parashikohej që të kishte një rol qendror në këtë projekt. Për respektin që kam për Telushin bëra një bisedë shumë të hapur dhe vendosëm që rrugët të ndaheshin për arsye se edhe ai nuk e shikonte veten në rolin e një personi që vinte nga pankina.

Olsi Rama

Kështu që edhe ne do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje të tjera për atë post. Partizani e nis sezonin me ndryshimin e stafit teknik, do ta thellojë ndryshimin edhe me emra të rinj në ekip? Sigurisht dhe përgjigjen për zhbllokimin e merkatos ne do ta marrim këtë fundjavë ose në fillim të javës tjetër. Çdo ekip ka nevojë për përforcime, madje edhe një skuadër fituese ka nevojë për rifreskime, se duhen stimuj të rinj dhe konkurrencë tjetër. Ne e dimë se ku janë detyrat tona dhe pozicionet që duhet të plotësojmë. Kështu që patjetër do të ketë përforcime.

Partizanin të gjithë e duan kampion, a është ky ekip për titull?

Vazhdoj ta përsëris, titulli kampion është kurorëzim i një sezoni ku ekipi duhet të tregojë paraqitje dinjitoze dhe lojë. Nëse ne e fillojmë sezonin duke kërkuar titullin, bëjmë një gabim shumë të madh se e shtrijmë këmbën më shumë sesa kemi hapin. Në radhë të parë objektiv kemi rritjen e nivelit të ekipit dhe gjetjen e një fizionomie të Partizanit me një lojë të menduar dhe studiuar dhe që t’u përshtatet sa më mirë lojtarëve që do të marrim.

Në qoftë se ne nuk realizojmë këtë, është e kotë të flasim për titull kampion, apo për Europë. Objektiv të qartë bashkë me stafin për këtë vit kemi që të realizojmë hapin e parë, i cili është formimi i ekipit dhe krijimi i një loje të mirëfilltë karakteristike të Partizanit. Nëse bëjmë këtë, detyra është të fitojmë çdo ndeshje, pastaj nëse fitojmë këto, rezultati do të shikohet në fund.

Related posts

“MANITA” E KATËRT NË HISTORI/ Donnarumma “SHPËRTHEN” në lot pas poshtërimit nga Atalanta (FOTO)

Delo.autor

PARAQITJE SPEKTAKOLARE E SELMANIT NË TURQI/ Shikoni me çfarë note vlerësohet gardiani shqiptar

Delo.autor

Nusja e futbollistit NUDO në “Instagram”/ Lojtari: Nuk e dija që kisha… (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment