Futboll Kategoria Superiore Sport

E KANË STËRVITUR NË SHQIPËRI/ Magani dhe Mërgjyshi për Muriqin: Si nisi në Superiore

Nga Teuta te Besa. Nga Liga e Dytë në Turqi te Fenerbahçe dhe më tej në Serinë A te Lacio. Vedat Muriqi ka bërë të gjithë kurbën e nevojshme të karrierës për të mbërritur në një nga pesë kampionatet elitare të Europës. Por, si e kujtojnë dy trajnerët e Superiores, asokohe një 18 apo 19- vjeçar? Gugash Magani dhe Artan Mërgjyshi tregojnë për “Panorama Sport” hapat e tij të parë në karrierë, te Teuta në Durrës dhe te Besa nga ku u katapultua në Turqi.

GUGASH MAGANI 
Si kanë qenë hapat e parë të Muriqit në Shqipëri?

Kujtoj kur presidenti i Teutës më tha që kemi marrë një djalë të ri në Kosovë. Një djalë që ishte jetim nga Prizreni. Që në ditët e para, vihej re qartë që ishte shumë korrekt në punë. Unë me të kam bërë edhe punë individuale, është e faktueshme diçka e tillë, që kam punuar 3 herë në javë me thuajse një orë e gjysmë për t’i plotësuar mangësitë që kishte. Kishte fizik, por nuk kishte ritëm për shkak të trupit. Gjithashtu edhe probleme me topin. Jua them me bindje që ai sot aty ku ka arritur, e ka me 95% punë të tijën dhe vetëm 5% talent apo dhunti të lindura. Ishte shumë kokulur dhe kërkonte që të mësonte gjithmonë.

U habitët kur e patë te Lacio në Serinë A?
Jo, fare. Ai ishte që në atë kohë një djalë i përkushtuar dhe për një vit që kam punuar me të, vihej re progresi që bënte me përkushtimin e tij dhe punën apo dëshirën për të arritur shumë në karrierë. Unë jam i bindur që kur një lojtar ka dëshirën e madhe për të punuar, për t’u stërvitur, mund edhe të rikuperojë mangësitë në aspektin teknik, pasi taktika fitohet me vite, me punë në vazhdimësi.

Pse nuk del nga akademitë shqiptare një lojtarë i tillë?
Jua them që ai nuk ka dalë nga akademitë e Prishtinës. Gjithsesi, për përgjigjen ndaj pyetjes suaj, jua them që edhe në Shqipëri ka futbollistë që janë me shumë talent. Mirëpo, është shumë e rëndësishme që për futbollistët, në mosha të vogla, të marrin edukatën e duhur sportive. Edhe Shqipëria e ka mundësinë që të nxjerrë lojtarë të tillë, por është edhe fat dhe ka të bëjë edhe shumë me psikologjinë e lojtarit në mënyrë individuale.
mergjyshi
ARTAN MËRGJYSHI
Si e kujtoni Muriqin?
Erdhi te ne në janar dhe kishim Sefën, Gurin e Berishën. Mirëpo, Muriqi ishte i ri, me shumë potencial, fizik të admirueshëm. Po i përmend emrat, për të thënë që megjithëse ai gjeti kaq alternativa, vuri veton dhe fitoi formacionin duke u bërë titullar i padiskutueshëm te Besa. U bë një pikë referuese e skuadrës në repartin e sulmit.

Çfarë cilësish kishte dhe a u habitët që kaloi te Lacio në Serinë A?
Ishte një lojtar me shumë dëshirë, me shumë grintë dhe mbi të gjitha, me shumë besim në vetvete. Të them të drejtën, e prisja që do të shkonte lart në karrierë. Që në atë kohë i kam këshilluar që të luante në një nivel më të lartë se kampionati shqiptar. Dhe pas atij sezoni me Besën, iku në Turqi. Jam i çuditur për shpejtësinë me të cilën iku te Lacio, por e mendoja që do kalonte në nivel më të lartë se Turqia.

Pse nuk e nxjerr futbolli shqiptar i bazës një lojtar të tillë?
Janë edhe si të thuash risi të natyrës, të karakteristikave dhe ka të bëjë shumë vendi ku është rritur. Ai kishte fizik të jashtëzakonshëm. Pra, jo vetëm fakti që është rritur në Kosovë dhe i ka marrë atje elementet pozitive, por Muriqi kishte potencial, ka genin e mirë dhe që në atë kohë kur ishte në Shqipëri tregoi vullnetin dhe dëshirën për të përparuar në karrierë. Nuk është se futbolli shqiptar apo akademitë tona nuk e nxjerrin dot një të tillë, por për një futbollist ka shumë komponentë, pasi ka të bëjë edhe karriera, fati e shumë elementë.

Related posts

E RRALLË/ Godet shokun e skuadrës me kokë, arbitri nuk ia kursen kartonin e kuq (VIDEO)

Isa.Autor

ARSENAL ARRIN AKORDIN ME TALENTIN E BUNDESLIGËS/ Trajneri Arteta: Do të ketë një të ardhme të shkëlqyer

Delo.autor

Sherri te Partizani, merret vendimi për Starovën dhe Trashin

Q.Autor

Leave a Comment