Futboll Kombëtarja Sport

“I KEMI BËRË LLOGARITË PA…”/ Lala flet pa doreza: Ja pse u mposhtëm nga Lituania, Hysaj mund ta largonte topin, por…

Shqipëria vuajti shumë, nuk tregoi asgjë ndaj Lituanisë dhe thuajse bëri ndeshje katastrofike. Mirëpo, për Altin Lalën kjo ka një shpjegim. Ish-kapiteni i Kombëtares, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon se çfarë ndodhi me Gjasulën në këtë përballje, “trukun” e lituanezëve me të, komenton rastin e Hysajt te goli dhe ka përgjigje për cilindo që hamendëson moslargimin e sferës.

 

Lala shprehet me superlativa për trajnerin Reja dhe idetë e tij, por aq sa edhe për kënaqësinë që po vijnë shumë të rinj cilësorë në Kombëtare. “Problem është mentaliteti dhe po të kishim Kombëtare të përbashkët, do të ishim shumë herë më top”, deklaron ndër të tjera Lala.

 

Lala, si i patë ndeshjet e Kombëtares në Bjellorusi dhe me Lituaninë?

Këto dy ndeshje ishin, si të thuash, diell dhe hije. Ndeshja e parë ishte shumë e mirë, ndërsa e dyta e anasjellta.

Pse ndodh gjithmonë kjo, pra një ekip me dy fytyra?

Kjo është një pyetje shumë e madhe. Shumë e rëndësishme dhe me vend. Për mendimin tim, ndeshja e parë për nga organizimi, serioziteti në lojë, ana fizike dhe gjithçka ishte siç duhet. Pra luajtëm në grup, shumë mirë. Ndërsa tjetra, pavarësisht shenjave shumë pozitive në Bjellorusi, edhe nga lojtarët, nga opinioni i futbollit në Shqipëri, pyetej thuajse vetëm sa do dilte ndeshja. Pra, që do të fitohej patjetër. Por ja që në futboll ndodh e kundërta. E kanë thënë shumë që nuk ka skuadra të dobëta dhe secila të krijon vështirësi. Siç luajti Lituania në mënyrë agresive gjatë gjithë ndeshjes, nuk e pata për asnjë moment ndjesinë hajt se mund ta kthejmë apo do ta kthejmë rezultatin. Shumë vështirë me çfarë u tregua.

auto_lala1476889308

Mungesë përqendrimi, mungesë serioziteti apo eufori. Si e lexuat?

Unë mendoj se ana mentale është shumë e rëndësishme. Në sensin: Në çdo lojë që ke për të luajtur, të investosh. Ta mendosh mirë. Edhe nga opinioni apo të gjithë dëgjoj të thuhet që ne do të jemi të parët në grup. Jo! Duhet ta luash një herë ndeshjen e pastaj… Si të thuash i kemi bërë llogaritë pa ardhur kamerieri me faturën (Qesh…). Është ai që sjell llogarinë në fund, për çfarë ke konsumuar. Kështu edhe kjo…

Lala, a mund të ketë Shqipëria sukses me skemën 3-5-2?

Unë them e rëndësishme është që Kombëtares po i afrohen lojtarë të rinj. Përveç kësaj ndeshjeje që ishte njëfarë disfate, e them këtë sepse vetëm një lojë është dhe prapë kemi shanse për të zhvilluar ndeshje të mira apo edhe për të dalë në vend të parë, unë them që të paktën fituam një lojtar si puna e Brojës. U fut në ato minuta, pavarësisht se pozicioni i tij është në qendër, ka shumë premisa. Edhe lojtari i ri, Çepele, i afruar së fundmi, plus Kumbulla, e shumë të tjerë për të mos i përmendur… Them se kemi prurje të mira në Kombëtare. Edhe trajneri të ketë mundësi që të zgjedhë. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, unë them se nuk është e rëndësishme se me cilin sistem loje luan, por cili prej tyre u përshtatet lojtarëve. Trajneri është shumë i zgjuar, me shumë eksperiencë… Ndaj Lituanisë ai pati edhe idetë e veta për të rifreskuar grupin, për të ndryshuar disa lojtarë formacioni dhe për të qenë më agresivë, por fatkeqësisht nuk doli ashtu siç e kishte menduar. Kemi lojtarë edhe për 3-5-2.

Po cili ishte problemi në këtë ndeshje me Lituaninë atëherë?

Nuk di se sa është vënë re në këtë ndeshje, që problemi më i madh ishte dublimi i Gjasulës. Klausi është një nga pikat kyçe ose pika kyçe e skuadrës sonë dhe ata e markuan në çdo moment. Çdo sekondë kishte 2 lojtarë që e markonin në mënyrë që ai të mos gjente zgjidhje. Sipas meje, duhej gjendur një zgjidhje tjetër për ta çmarkuar Gjasulën. Një lloj zgjidhjeje për t’i krijuar atij mundësinë që të gjente hapësira bosh, me anë të lojtarëve të tjerë. Gjasula po tregon lojëra shumë të mira, por pa Baren në krah has probleme.

Një lloj varësie nga kjo dyshe?

Jo, nuk e shoh kështu. Më besoni që problematika e ndeshjes me Lituaninë ishte fakti që Gjasulën ata e markuan çdo sekondë. Gjasula është shumë i rëndësishëm për ekipin, si e nxjerr topin nga mbrojtja. Është deçiziv për lojën tonë. Kurse ai gabimi ndodh. I ndodh çdokujt. Nuk e llogaris fare. Trajneri i Lituanisë e kishte bllokuar, plus edhe fakti që po luante shumë e ngjeshur dhe shumë agresive. Kjo bëri që Gjasula të mos kishte hapësira.

171F73BD-3E41-4110-9379-FD45ED23F046

A mund ta largonte Hysaj topin te rasti i golit?

Tani mbrapa duket që mund ta kishte larguar me këmbën e djathtë, me trinën e jashtme. Por, ai donte që ta hiqte nga ana tjetër. Pastaj, mos harroni që bëhet fjalë për një veprim në të qindtat e sekondës. Ai donte që ta hiqte gjithsesi topin, por i doli pak ters. Edhe fushën nuk e shoh shumë të mirë. Nuk e di çfarë ndodh, por çdo herë ka probleme aty. Kjo është një temë tjetër, por në gjysmë metri fushë del ai bari në atë formë dhe mendoj se duhet gjetur një zgjidhje.

Në rrjete sociale, Hysaj edhe është akuzuar për moslargimin e atij topi, duke mbetur ai imazh kur e ka sferën ngjitur në këmbë…

Jo, jo, jo! Fare! Tani, të futesh në teori konspirative, unë them që nuk ka asnjë lidhje. Ai është profesionist. “Pra e dinte Hysaj, e priti atë rastin dhe e la të kalojë dhe duke e ditur që do vijë topi, s’do ta largojë”. Kjo logjika e atyre që marrin vesh shumë nga futbolli… Janë idiotësi.

Related posts

Chelsea kundër Southamptonit për një vend në finale të FA Cup

Sadik.Autor

CONTE E DO ME ÇDO KUSHT NË EKIP/ Juventus futet në garë për objektivin e “Zikaltërve”…

Delo.autor

TEUTA RIKTHEHET NË FUSHË/ Mesfushori druhet rinovimit pritet dhe portieri i Kukësit…

Delo.autor

Leave a Comment