Futboll Kategoria Superiore Sport

NGA DEBATI ME GEGËN TEK TAKIMI ME GJICIN/ Ja prapaskenat që vulosën largimet tek Kukësi

Eksod i frikshëm nga Kukësi! Skuadra që u drejtua fillimisht nga Shpëtim Duro e më pas e mbylli sezonin me Orges Shehin në pankinë është shpërbërë totalisht. Tashmë që në krye të ekipit është Skënder Gega, rezulton se kanë mbetur vetëm tre lojtarë: Dashamir Xhika, Bruno Lulaj dhe Vesel Limaj. Dje ishte një ditë kur klubi njoftoi dy largime të tjera “big”, krahas dhjetëra “divorceve” që kishin ndodhur më parë. Mesfushorët Enis Gavazaj dhe Emiljano Musta, edhe pse nën kontratë me Kukësin për sezonin e ri, prishën marrëveshjet dhe dolën lojtarë të lirë.

Nuk janë më pjesë e ekipit emra si Vasil Shkurtaj, Kristal Abazaj, Valon Ethemi, Besar Musolli, Eduard Rroca, Erhun Obanor, Edis Maliqi, Bruno Telushi, Emiljano Musta, Enis Gavazaj, Ilir Avdyli, Olsi Teqja dhe Gëzim Krasniqi. Një skuadër e tërë e larguar nga një klub që këtë sezon pretendon titullin. Por çfarë ka ndodhur te verilindorët dhe si ka mundësi që vetëm pesë ditë nga mbyllja e merkatos skuadra është thuajse e shkërmoqur…?! “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se dy ditë më parë presidenti Safet Gjici ka pasur një takim me stafin, ku dhe i është shpjeguar situata e skuadrës. Pandemia, problemet financiare, klima jo e mirë që ishte krijuar në vazhdimësi, si dhe largimet e Ethemit dhe kapitenit Musolli sollën efekt “domino”.

Eliminimi nga Europa i bëri të pashmangshme. Shumë lojtarë kërkuan “divorcin” dhe kjo bëri që trajneri Skënder Gega të mos e duronte më këtë situatë. Burime në klub tregojnë se pas takimit që trajneri bëri me presidentin Gjici, ishte ky i fundit që vendosi se “cilido lojtar që nuk ka dëshirë të qëndrojë, le të largohet…”. Edhe mendimi i Gegës mësohet se ka qenë që në skuadër nuk mund të qëndrojnë futbollistë të cilët nuk kanë dëshirë për të vazhduar karrierën me Kukësin. Në këto kushte, pas mbledhjes së stafit me drejtuesit, menjëherë iu dhanë letrat edhe lojtarëve që kishin kontratë për sezonin e ri, si Musta e Gavazaj. Konsensus pati për Telushin, ndërsa gazeta mëson se një nga rastet e veçanta ka të bëjë me Mustën. Gega ka pasur një debat me lojtarin gjatë ditëve të kaluara dhe, me sa duket, kjo ka ndikuar jo pak.

Kukesi

KONFIRMIMI I KLUBIT

Klubi ka njoftuar ditën e djeshme përmes faqes zyrtare në “Facebook” për largimet e mesfushorëve Enis Gavazaj dhe Emiljano Musta. “Gavazaj nuk është më pjesë e Kukësit. Lojtari nga Prizreni ka mbyllur aventurën me skuadrën tonë. Presidenti i klubit dhe Gavazaj kanë pasur një takim dhe më pas kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin. Kontrata e Gavazajt përfundonte verën e ardhshme, por megjithatë palët kanë shtrënguar duart duke ndërprerë kontratën para kohe. Klubi i Kukësit e falënderon Gavazajn për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit dhe i uron suksese në të ardhmen. Faleminderit Enis!”, citohej në njoftimin për kosovarin, i cili në ndeshjen ndaj Volfsburgut nuk u aktivizua asnjë minutë nga trajneri Gega. Nga ana tjetër, elbasanasi Musta rinovoi marrëveshjen me Kukësin edhe për dy vite pas kalimit të turit të parë në Ligën e Europës. Tashmë vjen edhe prishja e kontratës me një prej lojtarëve stabël të formacionit në sezonin që lamë pas.

Related posts

I DHA KUALIFIKIMIN KUNDËR SHIROKIT/ Sulmuesi i Vllaznisë humbet sfidën e kthimit ndaj AEL-it

Delo.autor

MANCHESTER UNITED-LIVERPOOL/ Sfidë mes bomberave, betejën e Britanisë do ta vendosin Ronaldo e Salah

Delo.autor

Tony Bellew: Duelin e radhës dua ta zhvilloj ndaj Andre Ward

Sadik.Autor

Leave a Comment