Futboll Premier League Sport

PREMIER LEAGUE/ Werner fiton penallti, Chelsea merr tre pikët në start

Chelsea është cilësuar si “mbreti” i merkatos deri në këto momente, pasi ka shpenzuar më tepër se 200 milionë euro për të sjellë në “Stamford Bridge” disa nga emrat më të spikatur të futbollit botëror si Havertz, Werner, Chilwell, Thiago Silva, Ziyech, etj.

Mbrëmjen e sotme “blutë e Londrës” debutuan zyrtarisht më ndeshjen e parë të sezonit të ri të Premier League, të cilën shorti ua kishte rezervuar në “Amex Stadium” përballë Brightonit, sfidë që londinezët ia dolën ta fitojnë me shifrat 1-3 dhe të largohen me tre pikë.

Tekniku londinez kishte hedhur nga minuta e parë vetëm dyshen gjermane Werner-Havertz, nga futbollistët e afruar këtë verë, ndërsa italianit Jorginho i ishte besuar mbajtja e shiritit të kapitenit në këtë sfidë.

Takimi nisi mirë për vendasit, por një gabim në mesfushë u shfrytëzua mjaft mirë nga londinezët, me Mount që nisi Werner në zonë dhe sulmuesin gjerman që dribloi saktë portierin e Brighton, por u pengua nga ky i fundit dhe arbitri akordoi 11-metërsh.

Nga pika e bardhë e penalltisë shkoi mesfushori italian Jorginho, i cili gjuajti saktë dhe kaloi në avantazh londinezët, ndërsa deri në fundin e pjesës së parë, Brighton shfaqi më shumë dëshirë për të gjetur golin e barazimit, por pa ia dalë.

Gjithsesi baraspesha do të rikthehej në minutën e 54-t, kur Trossard lëshoi një goditje të hidhur nga distanca dhe portieri Kepa fluturoi ta ndalë, por nuk arriti të bëjë asgjë ndaj një topi që iu përplas në tokë dhe përfundoi në cepin e portës.

Barazimi ishte rrjedhojë e lojës që po zhvillohej deri në ato momente, por për vetë emrat që kishte në fushë, Chelsea nuk mund të pajtohej me atë rezultat dhe pas vetëm dy minutash ishte mbrojtësi 20-vjeçar Reece James, që u shërbye nga Jorginho mbi vijën e zonës dhe lëshoi një të djathtë të kalibruar, duke dërguar sferën në rrjetë për herë të dytë.

Vetëm 10 minuta më vonë ishte mbrojtësi Kurt Zouma që mbylli llogaritë e ndeshjes, pasi u koordinua mirë me këmbë gjatë një krosimi nga këndi dhe dërgoi topin në rrjetë për herë të tretë, i ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtësit kundërshtar.

Minutat e mbetura nuk sollën asgjë për t’iu shënuar, ndërsa Chelsea e nisi me këmbën e mbarë kampionatin, duke marrë tre pikët, por vlen të theksohet se dy blerjet e bujshme të kësaj vere, Werner dhe Havertz kanë ende shumë punë për të bërë, me qëllim përshtatjen me kampionatin anglez dhe justifikimin e shpenzimit të bërë për ta.

Related posts

MONTENEGRO-ENGLAND/ “Vendasit” kalojnë në epërsi, shënon Vesovic

Delo.autor

SFIDA NDAJ LAÇIT NË “ELBASAN ARENA”/ Dinamo bën njoftimin e rëndësishëm për tifozët (VIDEO)

Delo.autor

LIVE/ Botërori 2022: Mbyllet ndeshja Francë-Kazakistan. Rezultati 8-0

Delo.autor

Leave a Comment