Futboll Sport

TIRANA DO KUALIFIKIMIN NË ZVICËR/ Egbo i beson “Zvezdës”. Ja problemi kryesor për bardhblutë

Tirana me shumë mundësi në fushën e lojës do të jetë një fotokopje e Crvena Zvezdës. Filozofia e Emanuel Egbosë është e padyshueshme. Ekipi që fiton apo që paraqitet mirë nuk ndryshon. Gjithsesi, nigeriani këtë herë do të bëjë ndoshta dy përjashtime dhe ka një dilemë për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës.

Tirana

PORTA – Ilion Lika është gardiani, i cili deri sot e ka mbrojtur shumë mirë katërkëndorin bardheblu. Ama në sfidën me Jang Bojsin në portë do të jetë Visar Bekaj. Tirana e ka blerë portierin 100 mijë euro 60% të kartonit dhe nuk do ta lërë në stol. Gjithsesi, vendimet i merr Emanuel Egbo dhe ai ka vendosur kështu.

MBROJTJA – Pikërisht në këtë repart është dilema më e madhe e Emanuel Egbosë. Dihet që treshja Toshevski, Najdovski e Vangjeli nuk ndryshojnë. Në krahun e majtë ka një balotazh të dyshes Hoxhallari-Ismajlgeci dhe deri në fund do të shihet se cili do të luajë, pasi të dy lojtarët gjatë javës së kaluar kanë hasur shqetësime.

MESFUSHA – Idriz Batha, i cili tani është edhe kapiteni i parë i skuadrës, do të luajë pa problem në fushën e lojës. Edhe dje ai është stërvitur normalisht dhe do të jetë në fushën e lojës. Në krah të Bathës, Çelhaka, që së bashku me gjirokastritin përbëjnë dyshen e pazëvendësueshme apo murin bardheblu. Para tyre, tre të talentuarit me Torasën, Kalenë e Kobinën që bëjnë gjithçka në fushën e lojës.

SULMI – Është normale dhe ashtu pritet që në këtë repart të luajë Ernest Muçi. Lojtari vjen nga një seri golash dhe beson se do të zhbllokohet në takimin me Jang Bojsin. Sulmuesi ka besimin e të gjithëve, ndërkohë që me grupin është bashkuar edhe Derrik Sasraku. Shenjat janë të mira dhe ai mund të luajë disa minuta, për të mos thënë që është një alternativë në repartin e avancuar.

MOTI – Problemi kryesor i Tiranës do të jetë moti i ftohtë dhe shiu. Sipas parashikimeve, ndonëse të mërkurën koha do të jetë me diell, të enjten shiu do të jetë litar në Bernë. Temperatura mesatare do të jetë 15 gradë, ndërsa shiu nuk do të ndahet gjatë gjithë ditës. Po kështu, problemi i dytë i Tiranës do të jetë fusha me bar sintetik. Një fushë që bardheblutë nuk e njohin mirë, por që shpresojnë t’u sjellë sukses.

Related posts

PRAPASKENA/ Willian: Vetëm Barcelona bëri ofertë për mua, Sarri është si…

Isa.Autor

LIGA MË E “ÇMENDUR” NË EUROPË/ 4 skuadra në një pikë vetëm pak javë nga fundi

Delo.autor

LIVE/ Serie A: Mbyllet ndeshja Juventus-Sassuolo. Rezultati 1-2

Delo.autor

Leave a Comment