Futboll Kategoria Superiore Sport

“BLERJE TË GODITURA, KUKËSI GJITHNJË PRETENDENT”/ Gega: Pengjet në merkato s’kanë fund, klubi bëri…

Largime pa fund, por edhe 15 afrime. Skënder Gega beson se Kukësi ka zgjedhur lojtarët e duhur për të pretenduar titullin kampion. Trajneri i verilindorëve, në një intervistë për “Panorama Sport” pas miqësores me Kastriotin, ka prekur disa nga temat më të nxehta rreth ekipit të tij. Gjithashtu ai ka folur edhe për përplasjen me Emiljano Mustën.

Profesor, sa të vlejti kjo miqësore, në një kohe qe ende nuk dihet se kur do të nisë kampionati?

Kishim si qëllim për të parë lojtarët, pjesën që na ka ardhur në ditët e fundit, por kemi edhe disa që kanë munguar për arsye të ndryshme. Disa të tjerë sapo kanë firmosur dhe janë lënë të lirë deri të hënën (i referohet Ibraimit dhe Taipit). Ndërsa pjesa tjetër është e re, pasi kishte lojtarë edhe nga U-21. Nuk kishte rëndësi rezultati, por për të luajtur dhe për të parë gjendjen aktuale të ekipit. Janë larguar shumë lojtarë nga sezoni i kaluar dhe po ashtu janë afruar 15 të tjerë gjatë merkatos. Jeni i kënaqur me lëvizjet që janë bërë në hyrje? Së pari, më duhet të them se pjesa më e madhe e atyre që janë larguar kanë pasur të përfunduara kontratat deri pas Kupave të Europës. Klubi ka bërë më të mirën për t’iu dhënë ofertë, por edhe plus, jo siç ka qenë sezonin e kaluar. Mirëpo, ato kanë bërë zgjedhjet e tyre, ndaj do të shikojmë përpara me prurjet që kanë ardhur. Besoj se kemi marrë lojtarët e duhur, por koha do ta tregojë këtë.

Sa u përket largimeve, e prisje të ndodhte ashtu me Telushin?

Telushin e kam kërkuar pasi mora vesh që u largua nga Partizani. Jam befasuar kur mora vesh që do të largohej, por e kishte bërë të tillë kontratën dhe klubi e kishte respektuar. I kërkova ta rishikonte vendimin, por e kishte vendosur për një sfidë të re.

gega

Me ardhjen e Ibraimit dhe Taipit a mund të quhet Kukësi i plotësuar në sulm dhe mesfushë?

Me eksperiencën që kanë dhe me CV-në janë të goditur, por do të shikojmë në vazhdim sa do të përshtaten me ekipin, si dhe në çfarë gjendjeje fizike janë, por besoj se do të na ndihmojnë.

Cili është pengu që keni nga merkato?

Pengjet nuk kanë fund, por tani ato që kishim ne në dorë, edhe si klub u munduam të bënim më të mirën. Besoj se do jemi në rrugën e duhur.

Mbrojtja dhe mesfusha thuajse janë ribërë, sa e vështirë do jetë që të shikoni skuadrën aty ku ju dëshironi?

Nuk ka asnjë absolut, edhe sulmi, edhe mesfusha, edhe mbrojtja. Të gjithë kemi nevojë për t’u përmirësuar, por në fund fare kjo është një lojë kolektive dhe me punë arrin të përmirësohesh, si dhe të jesh aty ku pretendon.

Mendoni se me këtë përbërje jeni për titull apo keni rezerva për mënyrën si është ndërtuar skuadra?

Kukësi gjithmonë ka investuar dhe ka bërë më të mirën që të sjellë lojtarë që të jenë pretendent. Për Kukësin nuk është më sekret, që ka gjithmonë qëllime dhe objektiva. Me këto ndryshime, gjërat do të sqarohen shumë më shpejt. Do të shikojmë lojtarët çfarë gjendje janë dhe të jemi në rrugën e duhur.

Keni një përgigje për Emiljano Mustën, i cili pas largimit ka thënë se nuk mbulohet dielli me shoshë dhe se nuk e ka thyer disiplinën pas përplasjes me ju?

Nuk merrem me komente, asnjë lloj problemi nuk ka pasur. Trajneri ka statusin e vet, punën e vet. Edhe lojtarët duhet të kuptojnë që kanë punën e vet. Asnjëherë nuk i kam ngatërruar gjërat, e as lojtarët. Gjithsesi, i uroj gjithë të mirat, nuk kam asnjë koment më tepër.

Related posts

DYBALA DUKET I LODHUR/ E dashura e tij SEKSI “bën zhurmë” me TATUAZHIN provokues

Isa.Autor

Lanë Botërorin, Japonia i ofron pankinën ish-kampionit të botës

Isa.Autor

PAS HUMBJES NDAJ LUFTËTARIT/ Trajneri Shehi: Se kuptoj si mund ta pësosh atë gol që…

Delo.autor

Leave a Comment