Futboll Kategoria Superiore Sport

“DO MBAJMË LART EMRIN E SKËNDËRBEUT…”/ Zv.trajneri Liçi: Nuk do të luftojmë për mbijetesë

Skënderbeu është gati që të nisë garën. Pas një faze të stërgjatë përgatitore, në Korçë janë në pritje të nisjes së kampionatit. Nëse deri para pak kohësh dukej e pamundur që të bëheshim një skuadër, sot situata ka ndryshuar katërcipërisht. Me Julian Ahmatajn në krye është ndërtuar një grup cilësor, që do të tentojë ta mbajë lart emrin e vendosur me aq mund nga bardhekuqtë. Këtë e thotë edhe numri dy i stolit, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Gentian Liçi është i bindur që skuadra është e kompletuar dhe do të mund ta përballojë me sukses sezonin 2020-2021.

“Të flasësh për këtë fazë përgatitore dhe periudhën e ndërtimit të ekipit nuk është assesi e lehtë. Askush nuk e mendonte se do të ishim këtu në këtë moment. Ka qenë një periudhë e vështirë, pasi gjithçka dukej e pamundur. E kam fjalën që në momentin kur më shumë se 12 lojtarë janë larguar nga ekipi. Pas mbylljes së sezonit me reparte të gjitha për t’u rindërtuar, nuk ka qenë e thjeshtë të mendohet se do të bënim mirë siç kemi bërë. Kemi kaluar një fazë të ngarkuar me testime dhe besoj se elementët e duhur në ekip i kemi tashmë. Trajneri Ahmataj i ka dhënë tjetër filozofi grupit që do të punojë me lojtarë të rinj dhe duhet motivim i madh. Përshtatja ka qenë pak e sikletshme, pasi kujtojmë se ku ka qenë ky Skënderbe para disa vitesh. Por, sërish jam i bindur se kemi zgjedhur njerëzit e duhur për të mbajtur lart këtë ekip. Në ndeshjen e fundit miqësore (atë me Kukësin), treguam se kemi nivel dhe nuk jemi ekip që do të luftojë për fundin e tabelës. Do të mbajmë lart emrin e Skënderbeut dhe paraqitjet që kemi bërë deri më tani, do t’i ruajmë edhe kur të nisë zyrtarisht gara”, theksoi fillimisht zv.trajneri.

BOJKOTI, NJË NDIHMË
Korçari foli edhe për bojkotin e kampionatit. Pavarësisht se nuk donte të komentonte zgjedhjen e Ligës Profesioniste, ai theksoi se kjo periudhë i bëri mirë ekipit. “Të them të drejtën, kjo periudhë e gjatë përgatitjesh na duhej dhe them se ishte në të mirën tonë. Siç e thashë më herët, kishim shumë lojtarë që po i provonim dhe kjo kohë na shërbeu që të mos nxitoheshim për asnjë lëvizje. Bëmë një punë të madhe dhe do të ishte e pamundur që të fillonim direkt. Tani jemi gati për të filluar dhe kjo është më e mira”, përfundoi Gentian Liçi.

Related posts

E DHIMBSHME/ Pas dy KO, ndërron jetë boksieri italian

Isa.Autor

CHAMPIONS LEAGUE/ EURO GOLI i Talem nuk mjafton, Chelsea kualifikohet në gjysmëfinale

Delo.autor

JUVENTUSI NË TELASHE/ Sarri dhe Ronaldo asnjëherë kaq larg: nuk bien dakord për rolin dhe…

Delo.autor

Leave a Comment