Futboll Kategoria Superiore Sport

“PARTIZANI I DAJËS DO TË JETË PËR TITULL”/ Ish-kapiteni Beqiri: ‘Goditja’ më e madhe në merkato është…

Partizani e ka të bllokuar merkaton, por për ish-kapitenin Ardit Beqiri, trajneri Ilir Daja është goditja e madhe e “demave”. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Beqiri pohoi se trajneri Daja e ka treguar veten edhe në vështirësi dhe kjo gjë pritet edhe te Partizani, por ai nuk ka shkopin magjik për të bërë ndryshimin e madh. Ndonëse klubi e ka fshehur objektivin madhor, që ish-kapiteni e quan strategji, ai pohon se Partizani gjithnjë e nis për titull, por pranon se 4 skuadrat që morën pjesë në Kupat e Europës janë më lart. Beqiri flet edhe për shansin që u ka ardhur të rinjve, ndërsa bojkotin nuk e quan zgjidhje të drejtë, edhe pse kërkesat janë të nevojshme.

Partizani e nis sezonin pa merkato në hyrje pasi e ka të bllokuar. Çfarë pritet nga një ekip në një situatë të tillë?
Për një gabim teknik apo njerëzor, Partizani ndodhet në një situatë të tillë pa merkato. Nuk është koha për t’u marrë me atë çështje, si dhe pse ndodhi, apo kush e ka fajin. Rëndësi ka që ata nuk bëjnë dot afrime. Një ekip gjithnjë ka nevojë për ndërhyrje në merkato, aq më shumë një skuadër si Partizani që pati probleme në sezonin e fundit dhe kishte shumë nevojë për përforcime këtë vit në disa role. Gjithsesi, edhe me këtë grup nuk mund të thuash se skuadra nuk ka brumë, pasi ka lojtarë me eksperiencë që dolën kampionë para një viti.

Brumë kanë, por kanë mangësi alternativash në fazën mbrojtëse…
Nuk kanë alternativa, por përveç problemeve që ka krijuar bllokimi, të paktën merkato për trajnerin ka bërë dhe e kanë realizuar saktë. Kjo është gjysma e së keqes dhe të bëhemi pak optimistë që gjërat mund të zgjidhen. Ilir Daja ka treguar se di të përshtatet me situata të ndryshme, por ai nuk ka shkopin magjik që të rregullojë çdo gjë. Një gjë është e sigurt, që ekipi edhe me mungesa në fazën mbrojtëse, trajneri do të dijë t’i tejkalojë këto vështirësi duke manovruar.
Daja
Manovrat i ka nisur me kohë duke përshtatur lojtarë në role të reja. Besoni se mund të dalin të goditura këto eksperimente?
Koha e shkëputjes nga aktivitetet, pasi nuk po luhet futboll, besoj se do ta ndihmojë trajnerin që të përshtatë lojtarë. Pra, ka kohën e duhur për të provuar dhe eksperimentuar. Ndaj për Partizanin jo çdo e keqe vjen për të keq. Pra, trajneri Daja ka kohë për të krijuar një ide më të qartë për përshtatjen e futbollistëve të ndryshëm në role të reja.

Duke ditur se investimet në merkato, kryesisht nga tregu i huaj, nuk kanë dalë të “hajrit”, mos ndoshta bllokimi duhet marrë edhe për mirë se u hap rrugën lojtarëve të rinj në radhët e të kuqve?
Bllokimi i merkatos, vërtet mund të quhet pozitiv sa u përket të rinjve, por nuk duhet parë si zgjidhje e problemit apo shpëtim. Është pozitive për këta lojtarë, por ata duhet të dinë që ta shfrytëzojnë. Fillimisht ata duhet ta meritojnë fanellën. Edhe pse nuk u bë merkato, nuk duhet menduar se: ‘O burra, hajde se u hap te Partizani dhe e kemi gati vendin”. Kjo nuk qëndron. Te Partizani, si në ditë të mira dhe si në ditë të këqija, fanellën duhet ta meritosh, të djersitësh fort se s’ta jep kush si dhuratë. Për djemtë e rinj ky është një shans “i artë” dhe ata duhet ta kuptojnë mirë se çfarë fati u ka ardhur, në mënyrë që të tregojnë veten dhe t’u hapet rruga e karrierës.

Drejtuesit kanë deklaruar se këtë vit objektivi është që Partizani të luajë futboll dhe të krijojë një filozofi loje. Ju si e komentoni këtë?
Jo, nuk është objektiv ky. Partizani, jo vetëm pa merkato, por edhe sikur të ketë 11 djem të rinj në formacion, objektivin e ka të caktuar për kampion. Mbase drejtuesit kanë deklaruar kështu për të çliruar skuadrën nga përgjegjësia e madhe dhe i kanë dhënë më shumë kohë grupit që të marrë veten dhe të paraqitet mirë.

Related posts

I PAMPOSHTUR/ Courtois thyen rekordin personal te Real Madridi, ja për çfarë bëhet fjalë

Delo.autor

INTER VENDOS ÇMIMIN E SHITJES PËR ICARDIN/ Ja dy propozimet për Juventusin

F.autor

FIFA përzgjedh arbitrat e çerekfinaleve, njihuni me kryesorët e katër sfidave

Isa.Autor

Leave a Comment