Futboll Premier League Sport

“GJYSHI IM IKU ME BAGËTI DHE NUK U KTHYE MË…”/ Rrëfimi rrëqethës i Modriç: Dua të “plakem” te Reali, Zidan do të jetë Fergusoni i Spanjës

Nga lufta në majën e botës. Luka Modriç rrëfen edhe një herë tjetër rrugëtimin e vështirë që ka pasur për të arritur te Reali i Madridit. I grumbulluar me Kroacinë, 35-vjeçari tregon momentet e vështira kur i vranë gjyshin dhe dëshirat për të ardhmen. Ai shpreson që të rinovojë kontratën me Realin e Madridit dhe beson që Zinedin Zidan do të jetë si Ferguson në Spanjë. Modriç tha fjalët më të mira për Murinjon dhe Ançelotin, por gjithashtu mori në mbrojtje edhe Bejlin.

LEVANTE – “E rëndësishme është që e fituam. Nga 4 ndeshje të luajtura kemi arritur të grumbullojmë 10 pikë dhe kjo është ajo që ka rëndësi, por ende nuk po tregojmë futbollin tonë më të mirë në fushën e lojës. E rëndësishme është që e nisëm mirë”.

MOSHA – “Pavarësisht se jam 35 vjeç, ndihem mirë dhe i fortë fizikisht. Mund të qëndroj në këto nivele edhe për një vit tjetër”.

KROACIA – “Kisha shumë dëshirë që të takoja sërish shokët e mi sepse prej 1 viti nuk isha pjesë e kombëtares. Këtu nuk vendos unë, por trajneri. Jam më i madhi në moshë dhe dua që ta ndihmoj trajnerin, por vendimet i merr ai”.

LIBRI – “Gjithmonë kam pasur në mendje të shkruaja një libër dhe ishte dëshirë e vjetër. Doja të shprehesha aty dhe të flisja për jetën time. Jam i lumtur që ka dalë në treg dhe njerëzit ta pëlqejnë. Unë jam tip i ndrojtur dhe libri ishte një mundësi për t’u shprehur më shumë. Nuk më pëlqejnë shumë intervistat dhe doja që ta tregoja kështu jetën time”.

JETA DHE LUFTA – “Unë kisha një raport të shkëlqyer me gjyshin tim, sepse kaloja shumë kohë me të sepse prindërit ishin në punë. Ishte shumë e trishtë ajo që ndodhi dhe vrasja e tij në luftë ishte diçka që më trishtoi shumë. Isha i vogël dhe nuk e kuptoja realisht çfarë ndodhi.

I kam gjërat të ngulitura në mendje. Ai shkoi me bagëti dhe rikthehej në të njëjtën orë. Shkuan për ta kërkuar, por nuk e mendoja që nuk do ta gjenin. Ishte situatë e vështirë për të gjithë, por mbijetuam. Më vjen keq që nuk arriti t’i shihte gjërat që unë arrita në futboll”.

luka-modric-real-madrid-1571213383-26597

LARGIMI – “Kur ndodhi kjo gjë, u larguam nga Kroacia. Na futën në një hotel të gjithëve dhe unë isha vetëm 6 vjeç. Jetoja me prindërit e mi dhe me një motër më të vogël. Të katërt jetonim në një dhomë 20 metra katrorë. Kishim vështirësi, por nuk mund të them se fëmijëria ime nuk ishte e lumtur. E kujtoj me alegri. Kishte shumë fëmijë pranë hotelit dhe luanim futboll. Nuk mendonim për atë që ndodhte. Vetëm kur shpërthenin bombat e kuptonim realisht. Vraponim drejt shtëpive dhe prisnim thjesht që prindërit të riktheheshin. Nuk kisha frikë, thjesht doja që të ishin mirë”.

BEJL – “Thuajse gjithë karrierën e kam kaluar me Bejlin, katër vite te Totenhemi dhe 7 te Reali. Bejl është i ndrojtur, ashtu si unë. Ato që thuhen për të nuk janë aspak të vërteta. Gjithmonë do të kujtohet për atë që do të bëjë për klubin. Kurrë nuk ka pasur probleme me klubin. Secili ka mënyrën e tij të sjelljes, por Garet ishte kështu. Nuk shoqërohet shumë me të tjerët. Më vjen keq që gjithçka harrohet në vitin e fundit”.

MURINJO – “Ishte i rëndësishëm për transferimin tim në Madrid. Mëkat që punova vetëm një vit me të sepse është një trajner i jashtëzakonshëm dhe e ka treguar gjatë karrierës së tij. Gjithmonë do t’i jem mirënjohës. Është i vështirë, por i drejtë. Mua më pëlqejnë të drejtët”.

ANÇELOTI – “Është një trajner spektakolar dhe si person akoma më shumë. Kaluam 2 vite të jashtëzakonshme me të dhe fituam Champions-in. Kalova mirë dhe flas shpesh me të”.

BENITEZ – “Trajner shumë i mirë, por nuk i dolën gjërat te Reali. Futbolli i tillë është. Jo të gjithë trajnerët që shkojnë në një skuadër mund të fitojnë. Unë nuk pata probleme me të”.

ZIDAN – “Është një trajner i madh dhe ajo që ka bërë me ne nuk mund të përsëritet. Njerëzit ende nuk e vlerësojnë si trajner dhe e vënë në dyshim, por ai është një nga më të mirët në botë. Shpresoj që të qëndrojë gjatë te Reali i Madridit. Dëgjoj dhe lexoj kritika për të, por disa gjëra nuk i kuptojnë njerëzit. Ai është spektakolar, ka ide të qarta dhe raporte të mira me lojtarët. Mund të qëndrojë këtu për shumë kohë dhe të bëhet si Fergusoni apo Vengeri në Angli”.

modric_zidane

RINOVIMI – “Shpresoj të qëndroj te Reali, por kjo nuk varet nga unë. Duhet edhe mendimi i klubit. Unë ndihem mirë dhe mendoj se mund të luaj ende futboll në nivele të larta. Do të më pëlqente ta mbyllja karrierën këtu dhe të rinovoja. Nuk dua të jem problem as për Realin, por as për trajnerin. Kemi një raport të mirë dhe do ta gjejmë gjuhën e përbashkët për të qëndruar apo për t’u larguar në ndonjë tjetër skuadër. Reali është shtëpia ime dhe kam 9 vite që luaj aty”.

MESI – “Më pëlqen që qëndroi te Barcelona dhe është një plus për La Ligën. Ne nuk kemi folur kurrë për këtë temë, por jam i lumtur që qëndroi. Mua më pëlqen të luaj kundër më të mirëve”.

Related posts

MAN UNITED NË KAOS/ Evra: E gjithë bota po QESH, por urrejtja për ne do të kthehet

Isa.Autor

Zyrtare: Schalke e huazon Donis Avdijaj te skuadra holandeze

Q.Autor

ËSHTË ZYRTARE/ Berlusconi transferon te Monza ish-lojtarin e “Kuqezinjve”…

Delo.autor

Leave a Comment