Futboll Kombëtarja Sport

“DO TË VIJ NË SHQIPËRI PËR NDESHJEN E KOMBËTARES”/ Gjasula: Nuk është fundi i botës nëse s’dalim të parët në grup

Mesfushori i Shqipërisë dhe Hamburgut Klaus Gjasula do të jetë e ekipit kombëtar për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve. Futbollisti u shpreh në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” të “Supersport” se beson që skuadra kuqezi i ka të gjitha mundësitë të fitojë dy takimet e fundit në Ligën e Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë duke u bazuar në dy ndeshjet e fundit.

Gjasula foli dhe për krahasimin mes Hamburgut dhe ish-ekipit të tij Padërborn. Ai shtoi se te Hamburgu presioni është më i madh për shkak të emrit të madh që ka në Gjermani. Në lidhje me Ligën e Kombeve, 31-vjeccari u shpreh se “nuk është fundi i botës nëse kombëtarja nuk e mbyll në vendin e parë”.

“Paraqitjet me Hamburgun – E kemi nisur shumë mirë kampionatin dhe jemi në vendin e parë, pra pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Bundesligë. Skuadra është e kompletuar dhe jemi në rrugën e duhur.

Pozicioni i tij – Unë e nisa titullar në dy ndeshjet e para, por kohët e fundit nuk kam luajtur nga minuta e parë. Ndikoi lodhja, pasi këtë verë thuajse nuk bëra fare pushime dhe këtu nëse gabon një herë, humb vendin në formacion. Megjithatë unë po punoj shumë në stërvitje dhe shpresoj që të rikthehem sërish në formacion.

Dallimi mes Hamburgut dhe Padërbonit – Paderborn ishte një klub i vogël dhe pa shumë pritshmëri, ndaj mund të punohej shumë qetë, ndërsa te Hamburgu presioni është shumë i madh. Sezonin e kaluar këta ishin pranë ngritjes në Bundesligë, por mjaftuan dy ndeshje të gabuara që presioni të rritej shumë dhe të bënin një sërë gabimesh. Mediat këtu janë shumë të ndjeshme ndaj skuadrës.

Kombëtarja – Po, do të vij në Tiranë ditën e martë dhe ndoshta nuk do jem gati për miqësoren me Kosovën, por do të jem në dispozicion të trajnerit për sfidat ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë. Këtu ka një rregull, që kur kthehesh nga një vend tjetër, duhet të futesh dy javë në karantinë, por unë kam rënë dakord me drejtuesit e klubit që të vij edhe me këtë kusht, pasi Kombëtarja ka dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe e mora parasysh që do humb një apo dy ndeshje me Hamburgun.
klaus gjasula

Lider te Shqipëria – Unë mendoj se jam një nga liderët e skuadrës kombëtare, për vetë moshën që kam dhe eksperiencën. Bashkë me disa të tjerë aty, jemi liderë dhe na takon neve që të udhëheqim skuadrën në fushë. Ndonjëherë kemi bërë edhe gabime, por duhet të mbajmë kokën lart dhe t’u japim zemër edhe më të rinjve.

Kombëtarja në Ligën e Kombeve – Po, i kam parë të dyja dhe kam vënë re që kemi dominuar ndaj kundërshtarëve. Në ato ndeshje kam kuptuar që ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë ndaj tyre, pasi kemi treguar se jemi më të fortë.

Rinovimi i ekipit – Kemi shumë futbollistë të rinj e të talentuar, që luajnë nëpër Europë dhe që shumë shpejt do të jenë një vlerë e shtuar për Kombëtaren. Synimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e radhës, për ta mbyllur Ligën e Kombeve në vendin e parë në grup, por edhe po nuk ia dolëm, nuk është fundi i botës. Mund të them me bindje që vitet e ardhshme kanë për të qenë shumë të mira për Kombëtaren Shqiptare”, deklaroi Gjasula.

Related posts

ZYRTARE/ Tottenham me trajner të ri, ish-lojtari britanik emërohet “timonier” i skuadrës

Delo.autor

E vërteta e tatuazhit: Ja pse refuzova dy herë Liverpool-in

Sadik.Autor

Ndryshon plani/ “Ylli” i Realit gati të transferohet në Angli

Isa.Autor

Leave a Comment