Futboll Sport

TMERRI FRANCË-GJERMANI/ Kur mijëra tifozë pushtuan fushën e “Stade de France”

“Atë natë isha në stadium me vëllain e vogël, i cili na bleu bileta për miqësoren Francë-Gjermani. Shumë shpejt e harruam performancën e mahnitshme nga blutë, që fituan 2-0 kundër kampionëve të botës në fuqi. Gjërat po ndodhnin diku tjetër, por ne nuk e dinim ende këtë. Ndjemë shpërthimin e parë, dyshemeja e stadiumit u tund nën këmbët tona. Menjëherë mendova se ishte eksploziv i bërë në shtëpi ose një lloj tjetër mjeti piroteknik, të cilët nuk janë shumë të zakonshme për ndeshjet ndërkombëtare. Toka u trondit për herë të dytë disa momente më vonë. Mund ta shihnit qartë nervozizmin në turmën e tifozëve. Të gjithë pyesnin: çfarë po ndodh? Të gjithë rrëmbyen smartfonët e tyre për të provuar të zbulojnë më shumë. Sinjali ishte i keq dhe jo shumë njerëz mësuan ndonjë lajm.

Ndërsa pjesa e dytë ishte në ankth të plotë, thashethemet filluan të përhapeshin. Mund të ketë pasur sulme rreth “Stade de France”. U përpoqa të zbuloja më shumë. Të gjithë po përpiqeshin të zbulonin më shumë. Rrjeti në stadium ishte komplet i ngarkuar. Por prapë mora një mesazh nga një mik: Maks, a je mirë? Ishte e pamundur t’i përgjigjeshe. Pastaj mora një mesazh tjetër, ku pyetesha se si isha. E njëjta gjë edhe me vëllain tim. E njëjta gjë ndodhi edhe me njerëzit që ndodheshin pranë nesh në stadium. Të gjithë e ndjenim se ishim në rrezik, por pa e ditur plotësisht se çfarë po ndodhte.

Paniku po mbizotëronte në “Saint-Denis”. Nga minuta e 70-të e tutje, njerëzit filluan të lënë vendet e tyre në stadium. Francezët po fitonin në fushë, por tifozët u trembën në tribunë. Mesazhet me tekst dhe thirrjet e humbura mbërritën në telefonat e mijëra fansave. Ndërsa gjithçka ishte ende e paqartë, një gjë u bë e sigurt: sulmi ishte i vërtetë. Dhe doli se sulmet po ndodhnin edhe në Paris, jo vetëm në “Stade de France”. Ende nuk isha në gjendje t’iu përgjigjesha të dashurve të mi, ndërsa ndeshja po përfundonte. Në ekranet e mëdha na thanë se duhet të largoheshim të qetë dhe se dy nga dyert e stadiumit u mbyllën. U largova nga stadiumi me vëllain tim. Jashtë ishte kaos i plotë. Turma që ishte mbledhur midis zyrave të biletave të “Stade de France” dhe shkallëve që të çonin në stadium ishte tejet e shqetësuar. U bë një luftë e vërtetë, që njerëzit të dilnin nga “Stade de France”. Nga më larg dëgjuam ulërima. Dhe filloi një rrëmujë e madhe. Njerëzit vraponin në çdo drejtim dhe bënin një zhurmë shurdhuese. Edhe unë bëra të njëjtën gjë si ata. Nuk e dija pse vrapoja, por vrapova me vëllain tim. Njerëzit po përplaseshin me njëri-tjetrin, binin edhe përtokë. Ishte panik total.

Kur ndihesh plotësisht i bllokuar dhe në rrezik, është instinkti i njeriut të shkosh drejt hapësirës së hapur, në brendësi të stadiumit. Tifozët u kthyen në stadium dhe më pas u nisën drejt fushës. E njëjta fushë, ku Zidane, Griezmann, Henry dhe legjendat e tjera kishin ecur me një ndjenjë të çuditshme sigurie. Qëndruam aty për gati gjysmë ore, derisa mora një mesazh zanor nga gjyshja ime, që qante duke pyetur nëse ishim mirë. Dërgova disa mesazhe për të siguruar të dashurit e mi. Tentova të krijoja një ide për ngjarjet e tmerrshme që po zhvilloheshin disa milje larg. Telefoni im u fik. Atmosfera ishte e zymtë, teksa duhej të shkonim dhe të merrnim transportin publik.

Jashtë, edhe një herë, qindra njerëz po ecnin në të njëjtin drejtim. Disa oficerë policie dhe ushtarë të armatosur deri në dhëmbë po qëndronin rreth rrugës për në stacionin e metrosë. Kjo ishte çdo gjë tjetër, përveçse siguri. Heshtja ishte shurdhuese mes fansave. Gjithçka që mund të dëgjoje ishte tingulli i sirenave që vinin nga periferia e qytetit. E kuptuam që më e keqja po ndodhte diku tjetër”. Ky është rrëfimi i Maxime Horbez, dëshmitar okular i asaj që ndodhi në Francë më 13 nëntor 2015, kur pati sulme terroriste dhe viktima të pafajshme. Në këtë përvjetor të hidhur, mendimet tona janë me ta, si dhe me të dashurit e tyre.

Related posts

NUK E “UL HUNDËN” PARA PIRLOS/ Nesta: Çfarë ndihmësi, dua të jem trajner i parë!

Delo.autor

I VËRSULET TALENTIT TË REAL MADRID/ Pique: Je i çmendur apo çfarë…?! (FOTO)

Delo.autor

THUAJSE E ELIMINUAR NGA CHAMPIONSI/ Portieri titullar i Chelseat kërkon largimin nga ekipi!

Delo.autor

Leave a Comment