Futboll La Liga Sport

ANALIZA/ Nga ferri në parajsë, si Zidane riktheu Real Madrid tek rezultatet pozitive

Zinedin Zidan ia doli që të përmbyste një situatë, e cila dukej shumë dramatike. Ia doli të rikthente rezultatet dhe qetësinë. Nuk bëri as më shumë dhe as më pak, por luajti futboll. Thjesht këtë duhet të bëjë një trajner i Realit të Madridit.

Tani atmosfera është pozitive, por shumë shpejt vjen një tjetër ndeshje dhe duhet fituar patjetër. Në duelin kundër Bilbaos, duhen 3 pikë sepse në të kundërt situata bëhet sërish e vështirë. Zidan ndoshta e kaloi momentin e tij më të vështirë si trajner i Realit të Madridit, pa harruar këtu edhe eliminimin nga “Kupa e Mbretit” kundër Leganesit në vitin 2018, i cili kaloi në heshtje me fitoren e Ligës së Kampioneve në Kiev.

Fotoja zyrtare e këtij sezoni ishte momenti i kthesës. Aty trajneri Zidan u takua me presidentin Perez dhe pastaj me të gjithë futbollistët. Ishte situatë e vështirë, por që po përjetohej me qetësi dhe po menaxhohej mirë nga klubi madrilen. Kjo gjë shërbeu për të transmetuar besimin dhe për të harruar humbjen kundër Shahtjorit.

Hapi tjetër drejt “parajsës” ishte biseda dhe mbledhja përpara ndeshjes me Sevijen. Trajneri dhe futbollistët i pranuan gabimet e bëra deri tani.

Zizu mori vendimin për të mos bërë shumë eksperimente, por t’i besonte një grupi të vogël futbollistësh, i cili përbehej nga 14-15 lojtarë. Formacioni ishte i njëjtë dhe përsëritej shpesh: Kurtua, Karvahal, Ramos, Varan, Mendi, Modriç, Kasemiro, Kros, Vaskez, Benzema dhe Vinicius kanë qenë futbollistët e përzgjedhur pa harruar Naçon, Rodrigon dhe Asension.

RIKTHIMI I RAMOSIT – Sigurisht që përpara ndeshjeve, deklaratat e Serxho Ramosit kanë qenë shumë të rëndësishme. Ai kërkoi që të merrnin përgjegjësi dhe të tregonin krenarinë madrilene në fushën e lojës.

Të riktheheshin sërish të fitonin besimin e tifozëve dhe të luanin ashtu si pas rikthimit nga karantina. Kapiteni u rikthye në fushën e lojës për duelin kundër Gladbahut dhe luajti gjithashtu ndaj Atletikos. Mbrojtja ishte më solide se kurrë dhe Reali nuk ka pësuar gol.

“TË HUMBURIT” – Por, në këtë histori, nuk ka vetëm fitimtarë. Ka edhe të humbur. Marselo dhe Isko janë dy prej tyre. Braziliani ka 4 ndeshje që nuk duket në fushën e lojës, ndërsa mesfushori spanjoll luajti pak minuta ndaj Shahjtorit dhe në 3 të fundit nuk ka shkelur më në fushë.

Ky është një mesazh i qartë i trajnerit Zinedin Zidan. Isko ka kërkuar largimin në janar dhe dëshiron që të marrë më shumë minuta në një tjetër skuadër, sesa të qëndrojë si zëvendësues te Reali.

Related posts

SULMI I “KORÇARËVE” KA HARRUAR TË SHËNOJË/ Mensah: Skënderbeu do të zhbllokohet dhe do ta kalojmë këtë…

Delo.autor

RAKITIC NË SUPER FORMË/ Stërvitje speciale me bashkëshorten e tij në plazh (FOTO)

Delo.autor

MEDIAT ITALIANE HEDHIN “BOMBËN”/ Ronaldo, lamtumirë Juventusit më 2020?

F.autor

Leave a Comment