Futboll Sport

“FALKONE ËSHTË LLUM”/ Sot në stolin e Dinamos, zbulohet telefonata që shkatërroi ish-futbollistin Mikolin 8 vite më parë

Fabricio Mikoli është një ish-futbollist i shquar italian, që në karrierën e vet ia ka mbërritur të luajë edhe me Juventusin në sezonin 2003-2004, duke bërë 25 ndeshje dhe 8 gola me gjigantët e Torinos. Përveçse një lojtar me shumë potencial, Mikoli është kritikuar ashpër edhe për lidhjet e tij të dyshimta me mafiozë të vendit fqinj. Gjatë kohës kur luante te Palermoja, u zbardh një telefonatë e përgjuar mes tij dhe të birit të një prej bosëve të mafies siciliane. Ish-futbollisti, gjatë bisedës me Mauro Lauriçelën, të birin e bosëve të klanit “Kalsa”, e ka konsideruar ish-magjistratin Xhovani Falkone si “llum” dhe motrën e tij si të padenjë dhe “të pakualifikuar”.

SKANDALI
Telefonata mendohet të jetë bërë në vitin 2012, ndërsa përgjimet u publikuan nga media italiane në pranverën e vitit 2013. “Takohemi aty para pemës së atij llumit Falkone”, ishte fjalia e përdorur nga Mikoli në bisedën me të birin e mafiozit sicilian. I referoheshin një sheshi me pemë të Palermos që mbante emrin e Xhovani Falkones.

Opinioni publik u irritua tej mase me Fabricio Mikolin, i cili për më tepër kishte luajtur për gjashtë sezone në Palermo, aty ku u vra edhe ish-prokurori Falkone, së bashku me gruan dhe eskortën e sigurisë. I pari që reagoi për ngjarjen ishte ish-presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini, që i cilësoi të padenja deklaratat dhe vlerësimet e Mikolit për Falkonen, duke i kërkuar atij që të largohej nga Palermoja. “Jam i hidhëruar nga ato që kam marrë vesh dhe mendoj se është mirë që pas gjithë kësaj Mikoli duhet të largohet vetë nga Palermoja”, pati thënë kreu i klubit. Motra e Falkones, Maria, një profesore e njohur në Itali dhe një aktiviste për të drejtat dhe liritë e njeriut, e konsideroi një turp atë që kishte bërë Mikoli. “Me ato që ka thënë nuk ia vlen të thuash asnjë fjalë për të. Është e pabesueshme se si një njeri i sportit mund të logjikojë në këtë mënyrë. Nuk arrij as ta besoj se një njeri që ka luajtur edhe në ndeshje përkujtimore për Falkonen dhe Borselinon… Është e pafalshme”, reagoi ajo asokohe.

RËNIA E MIKOLIT

Ish-futbollisti i kombëtares italiane reagoi me lot në sy pas skandalit, duke thënë se ishte një gabim dhe një mënyrë të shprehuri, por kurrsesi mungesë respekti. Mikoli tha gjithashtu se prej asaj fjalie kishte mbetur net të tëra pa gjumë dhe se fundi i karrierës u përshpejtua nga ai skandal. “Ishte një mënyrë të shprehuri. Më vjen shumë keq që ndodhi ashtu dhe unë kam kërkuar ndjesë. Jam thellësisht i prekur, pasi edhe karriera ime shkoi drejt fundit prej asaj fjalie”, deklaroi Mikoli. Të parët që reaguan ishte Palermo, që e hoqi lojtarin nga skuadra. Më pas edhe Prokuroria e Palermos nisi një hetim dhe mori në pyetje Mikolin për lidhjet e tij të dyshimta me familjarë të mafiozëve. Mikoli u transferua më pas te Leçe për dy sezone dhe te maltezët e Birkirkara, por ai skandal e ka përndjekur vazhdimisht. Aq shumë, sa deri tani nuk ka mundur të punojë në asnjë klub të njohur në Itali, ndonëse ka qenë një lojtar shumë i zoti dhe shumë popullor.

Related posts

ËSHTË ZYRTARE/ Dikur shpallej kampion bote, trajneri i njohur firmos në kategorinë e dytë në Brazil

Delo.autor

PORTUGALI-HOLANDË/ Nations League, Ronaldo kundër Van Dijk (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

ZYRTARE/ Dëmtim katastrofë. ‘Ylli’ i Barçës humb çerekfinalet në Champions

Q.Autor

Leave a Comment