Bundesliga Futboll Sport

HISTORIA E VEÇANTË E LEWANDOWSKIT/ Nga rroga e parë 230 euro tek “rruga” në majën e botës

Robert Levandovski nuk e fshehu mërzitjen e tij kur “Topi Artë 2020” u anulua për shkak të pandemisë globale. Por tani, me fitimin e lojtarit më të mirë në Botë, ai po jeton momentin e tij. Leva ishte një nga kandidatët kryesorë për ta fituar “FIFA the Best” edhe pse në listë ishin Kristiano Ronolado dhe Lionel Mesi. Si mos ta fitonte? Ai bëri një sezon të madh duke shënuar 55 gola në 47 ndeshje duke u renditur në vendin e parë në listën e golashënuesve në tre kompeticione të ndryshme: Bundesligë, Champions dhe kupën e Gjermanisë. Bajerni fitoi tripletën, Superkupën e UEFA-s dhe atë të Gjermanisë dhe Leva ishte në zemrën e të gjithë këtyre ngjarjeve. Por tani kur askush nuk i vë në dyshim aftësitë dhe sukseset e tij, polaku nuk ka qenë gjithmonë i destinuar për të kapur majën. Në adoleshencë gjërat nuk dukeshin shumë premtuese për të qenë ky që është sot.

E SHKUARA

Jeta e goditi fortë Levën kur ishte vetëm 17-vjeç, kur babai i tij Kryztov, një kampion Europe në Xhudo, vdiq. Robert sapo ishte transferuar nga Dekta Varshav, një skuadër që militonte ne kategorinë e katërt polake, te Legia Varshav, një nga skuadrat më të mira në vend. Kalimi i tij te Legia duhet të ishte një hap i madh në karrierë, por problemet me gjurin nuk e ndaluan vrullin e tij. Pasi mungoi për disa muaj, Legia vendosi ta largonte me pretendimin se kishte sulmues më të mirë si ai në skuadër. Pasi mori vesh këtë lajm, mamaja e tij, Ivona e mori nga stërvitja dhe e dërgoi në shtëpi ku i bëri një drekë të mirë. Por oreksi i Levës ishte venitur së bashku me ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist. Disa ditë më vonë, telefoni i shtëpisë bie, Zniz Pruskov, një skuadër që luante në kategorinë e tretë e telefonoi dhe kërkoi që Leva të luante me e ta. Klubi blinte lojtarë dhe më pas i shiste ata për një shumë më të madhe. Ish-presidenti i klubit, Marek Slivinski është shprehur para disa vitesh se Leva ishte një “Jackpot” për skuadrën e tij.

Ata e blenë Robertin nga Leva e Varshavës për vetëm 1000 paund. Që në start, ai ishte ylli i ri i skuadrës, edhe pse në fillim u pagua me vetëm 230 euro në muaj, trefish më pak se disa nga shokët e tij të skuadrës. Por paratë luanin pak rëndësi në ato momente, më në fund ai kishte gjetur një shtëpi për të luajtur futboll. Në sezonin e tij të parë ai shënoi 15 gola duke ngjitur skuadrën e Pruskov në kategorinë e dytë. Ai vazhdoi të shënonte edhe në kategorinë e dytë. Në dhjetor të 2007-ës Jcek Grembocki mori drejtimin e skuadrës. “Kur mora skuadrën vura re që aty kishte 5 lojtarë të cilët mund të luanin në kategorinë më të lartë në Poloni, dhe Leva ishte pa dyshim talenti më i madh aty”, tregon Grembocki për “BBC”.

“Kur problemi në gju e largoi nga Legia, ai e kuptoi që për t’u rikthyer ne skenën e madhe duhet të punonte fort. Pruskov ia dha atij këtë mundësi”. Por trajneri tregon se për klasin e Levandovskit u bind vetëm pas 2 muajsh. “Luanim një miqësore ndaj LKS Lodz. Robert kishte përballë një mbrojtës me eksperiencë, kroatin Ivan Udareviç. Në fund lojtari më i mirë për ne ishte Leva. Unë vetë luajta shtatë ndeshje me kombëtaren e Polonisë. Mendova që edhe Robert nuk do të kishte problem të vishte atë fanellë. Dhe më pas Bajerni. Thashë me vete çfarë sfide. Por tani që e shoh se kush është dhe çfarë ka arritur jam krenar që e kam stërvitur, më jep kënaqësi sa herë e shoh në fushën e lojës. Legia Varshavës bëri një gabim të madh. Më vjen keq që aty askush nuk arriti ta dallonte se çfarë potenciali kishte”, u shpreh ish-trajneri i 32- vjeçarit.

SHANSI I DYTË

Në vitin 2008-të Legia kishte një shans të dytë. Por edhe njëherë tjetër Levandovski nuk ishte zgjedhja e parë për polakët. Para tij u preferua Mikel Aruabarena i Tenerifes. Teksa Aruabarena nuk shënoi kurrë për Legian, Leva u shndërrua në një yll në Leh Pozhnan që e mori atë për 300 mijë paund. Kapiteni i Pozhnanit në atë kohë, Bartos Bosaki kujton kohën kur Robert luante për skuadrën e re. “Kujtoj stërvitjen e tij të parë me ne, të gjithë u shtangëm me të. Tregoi menjëherë se nuk kishte frikë nga askush. As nga mbrojtësi ynë që vinte nga Kolumbia dhe ishte më i forti në Superligë. Tani Leva është më atletik, më parë ishte i dobët dhe jo shumë i fuqishëm. Por të gjithë ishim të mendimit që do të kishte një të ardhme të madhe”.

Tek skuadra e re, Levandovski kishte një rivalitet të fortë me sulmuesin Peruan, Hernan Rengifo. Në fillim e kishte pak të vështirë por më pas trajneri i ndërroi pozicionin duke e vendosur atë në qendër të sulmit, kështu Leva u bë më efektiv dhe shënoi më shumë gola. Në sezonin 2009-‘10 polaku shënoi 18 gola me Lehun dhe fitoi kampionatin. “Ai ishte gjithmonë shumë i qetë në dhomat e zhveshjes, por në të njëjtën kohë shumë i konfident për aftësitë e tij si lojtar”, tregon Bosaki. Pas disa muajsh, Leo Benhaker e thërret në kombëtare dhe Robert debuton në ndeshjen ndaj San Marinos. “Kur luajta kundër tij në grumbullimin e kombëtares e pashë që ishte me të vërtet një sulmues i fortë”, tha Bosaki.

Pas aventurës me Pozhnanin, Leva ishte destinuar të shkonte te Blakburn Rovers, por ai nuk arriti të shkonte në Angli pasi vullkani Ejafjallajkull shpërtheu dhe ndaloi fluturimet drejt Anglisë. Më pas Borusia e Dortmundit e bleu atë për 4.5 milion paund. Në Dortmund nisi të tregonte se ishte i denjë edhe për skenën Europiane. Ndeshja ndaj Real Madrid në gjysmëfinalen e Champions-it do të mbahet mend gjatë nga polaku i cili shënoi katër gola. “Ai punoi fort, i ndihmuar nga familja e tij e cila nuk e la në baltë, gruaja e cila ishte gjithmonë në krah të tij. Leva tani ka hyrë në historinë e futbollit. Në Poloni ai është një legjendë, një idhull nga të gjithë fëmijët. Në të njëjtin nivel me Mesin dhe Ronaldon”, shton Grembocki, trajneri i tij i parë si lojtar profesionist. Më në fund tani, ai zuri vendin e tij tek më të mëdhenjtë.

Related posts

Tejkaloi Messin dhe Ronaldon, Kane flet pasi u shpall golashënuesi më i mirë i 2017-ës

Q.Autor

Takimi konsiprativ i PSG, ku mungoi trajneri Emery

Q.Autor

SKËNDERBEU-KASTRIOTI/ Të dy skuadrat kanë objektiv vetëm fitoren për mbijetesë (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment