Sulmuesi Demir Imeri është duke bërë paraqitje të kënaqshme me skuadrën e Vllaznisë. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut në vigjilje të sfidës ndaj Kastriotit në stadiumin e qytetit të Kamzës nesër në orën 13:45, në krah të trajnerit Tomas Brdariç ka folur për këtë sfidë duke vlerësuar maksimalisht rivalin:
Vllaznia – “Të them të drejtën ndjehem shumë mirë. Vllaznia është një skuadër me djem shumë të mirë, të cilët më kanë ndihmuar të ambientohem shumë shpejt dhe ndjehem sikur të kisha shumë vite këtu. Po bëjmë mirë edhe në terren dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.”
Historia e klubit – “Këtu jam në një skuadër ku tifozët kërkojnë gjithmonë anën ofensive, atë të fitores. Më pëlqen kjo gjë sepse më ka ndodhur edhe me Shkëndijën e Tetovës ku ishte i njëjti presion për të fituar. Megjithatë tashmë jam mësuar me të.”
Qëndrimi më tej në Shkodër – “Ta shohim këtë gjë. Jemi në rrugë të mirë dhe pastaj do shohim se çfarë ka shkruar Zoti për këtë gjë.”
Asnjë gol në kampionat – “Kjo është e vërtetë, kam shënuar tre gola në kupë dhe kam dhënë dy asiste ndërkohë që më është anuluar goli i parë në ndeshjen me Apoloninë. Po bëj më të mirën, pres më shumë nga vetja sepse i di kualitetet e mia, por është mirë që skuadra po ecën mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.”
Kastrioti – “Kastrioti duhet vlerësuar shumë. Kam punuar me profesor Ndreun, e njoh grintën dhe mentalitetin e tij, por ne do të japim më të mirën në fushë. Nesër besoj se do të jetë një ndeshje me shumë grintë dhe besoj se do të vendosin detajet, detajet shumë të vogla dhe për mendimin tim besoj se do t’i shfrytëzojmë ato detaje dhe shpresoj të marrim pikët maksimale nga Kamza.”
Shqetësimi lidhur me pagat – “Nuk jam kompetent për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe besoj se ka njerëz të tjerë për t’iu përgjigjur. Ne jemi profesionistë dhe kur futemi në fushë, nuk e kemi mendjen askund tjetër përveçse tek ndeshja dhe harrojmë çdo gjë tjetër. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.”, përfundon fjalën e tij Demir Imeri.
