Futboll Sport

TJETËR TROFE PËR RONALDON/ Portugezi lë pas Mesin me rekordin e ri

Kristiano Ronaldo i dhuron vetes një tjetër sukses, një ndër të paktit që i mungonte. Portugezi i Juventusit është shpallur fituesi i edicionit të 18-të të “Golden Foot”, çmimi prestigjioz ndërkombëtar që i shkon futbollistit më të mirë të vitit diellor. Ndërkohë, së bashku me portugezin, një çmim i veçantë do t’i shkojë edhe presidentit bardhezi, Andrea Anjeli, si rrjedhojë e 17 trofeve që ka fituar në 10 vite, si numri një i “Zonjës së Vjetër”.
Por, duke u rikthyer te CR7, 35-vjeçari ka fituar garën e votave kundrejt nëntë kandidatëve të tjerë (Mesi, Levandovski, Kielini, Nejmar, Ramos, Pike, Aguero, Salah e Vidal) dhe shumë shpejt edhe Ronaldo do të lërë gjurmën e këmbës së tij në “Champions Promenade”, rruga e famës në “lungomaren” e Montekarlos.

“Golden Foot” kujtojmë se është një çmim që fitohet vetëm një herë në karrierë dhe u rezervohet lojtarëve që janë mbi 28 vjeç. Ndërkohë, 17 edicionet e para të “Golden Foot” kanë parë fitues: Luka Modriç (2019); Edinson Kavani (2018); Iker Kasijas (2017); Xhanluixhi Bufon (2016); Samuel Eto (2015); Andres Iniesta (2014); Didier Drogba (2013); Zlatan Ibrahimoviç (2012); Rajan Gigs (2011); Françesko Toti (2010); Ronaldinjo (2009); Roberto Karlos (2008); Alesandro del Piero (2007); Ronaldo de Lima (2006); Andrij Shevçenko (2005); Pavel Nedved (2004) dhe Roberto Karlos në vitin 2003.
SKUADRA E VITIT
SWITZERLAND-TAX-MEDIA-PANAMA-FBL-UEFA
Por, pasi ka marrë mbrëmjen e djeshme zyrtarizimin e fitimit të “Golden Foot”, Kristiano Ronaldo sërish dje ka marrë konfirmimin e të qenit pjesë e listës me 48 futbollistë të përpiluar nga UEFA për skuadrën më të mirë të sezonit. Portugezi i Juventusit thellon në këtë mënyrë rekordin personal të nominimeve, pasi është pjesë e kësaj liste prej 14 vitesh me radhë, ndërsa ndjekësi më i afërt është Lionel Mesi i Barcelonës me 11 nominime dhe Serxho Ramos (Real Madrid) me 8.

Ndërkohë, për sa i përket listës, Bajerni i Mynihut është skuadra që përfaqësohet me numrin më të madh të futbollistëve (10 të tillë, i ndjekur nga Liverpul e PSG me 8); Bundesliga është kampionati që përmbledh më shumë përfaqësues (15 lojtarë nga katër klube të ndryshme), por në të njëjtën kohë është sërish Gjermania që mes 48 emrave të përzgjedhur ka më shumë prej të nominuarve pjesë të përfaqësueses së saj. Shkurt, “Skuadra e vitit UEFA” pritet të flasë gjermanisht…

Related posts

Mesfushori brazilian lë Romën për ekipin e madh në Seria A

Isa.Autor

BOTA NË KAOS PREJ KORONAVIRUSIT/ Ronaldo ka një mesazh: Le të jemi mirënjohës!

Delo.autor

E BUJSHME/ Projektohet krijimi i Super Ligës Ballkanike, do jenë 3 skuadra nga Kategoria Superiore

Delo.autor