Futboll Kategoria Superiore Sport

“TIRANA ËSHTË MË E FORTË SE NJË VIT MË PARË”/ Agustin Kola: Derbi ndeshja e sezonit, ja kush e vendos

Legjenda e Tiranës e sheh kampionen në fuqi ende në garë për titullin. Agustin Kola, për “Panorama Sport”, deklaron se në këtë 90-minutësh duhet patjetër një fitues, për të rihapur kampionatin.

Ai mendon se ndeshje të këtij niveli i vendosin përgjithësisht lojtarët ekspertë. “Derbet i vendosin lojtarët me përvojë, ata që dinë të dalin dhe të marrin përgjegjësi edhe mbi grupin. Vidal me Interin nuk ka shkëlqyer gjatë gjithë kampionatit, ama kundër Juventusit mori përgjegjësi dhe ishte vendimtar, e tregoi veten në atë ndeshje.

Prandaj e theksova që Tiranën nuk e kemi parë ende sepse mes mungesave ka lojtarë me përvojë, që nuk kanë shumë presion. Kur vjen puna te të rinjtë, nuk kanë faj edhe nëse futen nën presion”, deklaroi legjenda e Tiranës për “Panorama Sport”.

Profesor, pas fitores së Vllaznisë, ç’ndodh me derbin?

Njëra duhet të fitojë patjetër. Nëse duan ta mbajnë të hapur kampionatin, nuk duhet të ndajnë pikët, pasi në të kundërt diferenca rritet ndjeshëm me kreun. Vllaznia nuk është më surprizë. Është realitet. Një emër i madh i futbollit shqiptar, që tashmë i ka të gjitha, ndërtimin e ekipit, drejtimin, stafin dhe gjithçka tjetër.

Mesa duket, i ka shërbyer njësoj si Tiranës ku pas rënies në Kategorinë e Parë, iu ka shërbyer për ndërtimin siç duhet të ekipit. Në fazën e parë, të dyja ekipet kishin frikë të humbnin…

Po ju ndërpres. E dini pse?

Sepse dëgjoj shpesh këtë që thuhet për futbollin tonë se skuadrat qëndruan mbrapa të kujdesshme për të mos humbur. Jo! Nuk është kështu, por ndodh sepse lojtarët nuk kanë përgatitjen e duhur. Qëndrojnë mbrapa për shkak të lodhjes.

A është kjo Tiranë për titull?

Tirana ka bërë blerje të mira. Megjithëse, Seferi mund të mos jetë në maksimumin e formës së tij është vlerë e shtuar, është profesionist, i formuar dhe rritur jashtë. Unë mendoj se Tirana ka akoma ndeshje për të luajtur edhe për titull. Nuk është bërë as gjysma e kampionatit, ndaj me afrimet e reja dhe mbi të gjitha, me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar, do ta shohim në potencialin e vërtetë. Një Ronaldo të mungojë, dihet ku shkon…

Po Partizani, a mund të rivalizojë Vllazninë për titullin?

Në krahasim me një vit më parë, Partizanin nuk e shoh më mirë sesa vjet. Mund ta them këtë edhe për Tiranën.

Sipas jush, cila skuadër është më e avantazhuar në këtë derbi?

Unë i shoh të dyja skuadrat njësoj. Nuk shoh diferenca të mëdha. Derbet janë më tepër ndeshje motivimi, karakteri të brendshëm. Pastaj, të mos harrojmë që do të jetë një derbi pa tifozë. Edhe sikur të kesh vetëm tifozi kundërshtare në stadium, që vetëm të shan, prapë të jep stimul. Megjithatë, ndodh me disa nga lojtarët e sotshëm, që kur i vë në presion e ulin ritmin. Ndërsa ne presioni na shërbente pozitivisht.

A mund të jetë derbi “vitamina D” e kampionatit?

Gjithmonë derbet kanë qenë të bukur. Për të thënë sa interes ka kjo ndeshje, mjaft t’ju kujtoj kur Partizani ra në Kategorinë e Dytë, kur ishte ndeshja e Kupës me Tiranën, u mbush stadiumi plot. Po, mund të jetë ashtu vitaminë siç thoni ju, në një fushë të mirë pritet një ndeshje e mirë, me ritëm, cilësi dhe emocione. Gjithmonë është adrenalina e futbollit shqiptar.

Çfarë nuk ju pëlqen te këto dy skuadra, Partizani dhe Tirana?

Në filozofinë e saj, Tirana gjithmonë ka pasur forcën kryesore grupin. Për ne gjithmonë, mbrojtja më e mirë ishte sulmi. Sa i përket këtij viti, nuk di ende ta them, sepse mendoj se nuk e kemi parë ende. Mungesat kanë qenë të rëndësishme.

Por ju them që me ardhjen e Seferit, Tirana është më e fortë sesa më parë. Më e rrezikshme për kundërshtarët. Më parë kishte Muçin si pikë referimi, por tani do të jenë dy lojtarë cilësorë në sulm që kërkojnë të dy vëmendje të madhe për t’u markuar. Po i jepet prioritet sulmit. Si dikur…

Kush prisni ta vendosë këtë derbi?

Grupi. Derbet i vendosin lojtarët me përvojë, ata që dinë të dalin dhe të marrin përgjegjësi edhe mbi grupin. Vidal me Interin nuk ka shkëlqyer gjatë gjithë kampionatit, ama kundër Juventusit mori përgjegjësi dhe ishte vendimtar, e tregoi veten në atë ndeshje. Prandaj e theksova që Tiranën nuk e kemi parë ende sepse mes mungesave ka lojtarë me përvojë, që nuk kanë shumë presion. Kur vjen puna te të rinjtë, nuk kanë faj edhe nëse futen nën presion.

Po Partizani, çfarë ka diçka që nuk iu pëlqen?

Nuk e kam ndjekur me aq vëmendje dhe të bëj një analizë. Historikisht, ndeshjet mes Tiranës dhe Partizanit kanë qenë lojë grupi dhe kanë qenë përballje fizike. Ndryshe nga Dinamo, që fokusohej te loja, te taktika, vendosjet etj, ne dhe Partizani kishim përplasje burrërore, tamam si gladiatorë në kuptimin që ishim të forta fizikisht.

Related posts

I JASHTËZAKONSHËM/ “Jashtëtokësori” ndëshkon Bilbao-n me një “MAGJI” nga goditja e dënimit (VIDEO)

Delo.autor

PARTIZANI MERR LAJMIN E KEQ/ Kaçe nuk ia del për derbin, mbyll vitin pas dëmtimit

Delo.autor

Takimi vendimtar, peshëngritësit ballafaqohen me KOKSH-in

Sadik.Autor

Leave a Comment