Futboll Seria A Sport

ASKUSH NUK KA PËRFITUAR KAQ SHUMË/ Shpejtësia dhe Ibra, ja pse Milan mban rekord për penalltitë

Me 14 penallti në favor, Milani është ekipi që ka marrë më shumë në pesë kampionatet madhore të Europës. Sigurisht që kuqezinjtë edhe kanë gabuar disa prej tyre (4), teksa në Serinë A askush nuk ka përfituar kaq shumë.

Ndjekëset më të afërta janë Sasuolo e Roma me nga pesë penallti, ndërkohë që tifozëritë rivale nuk humbin rast pa përmendur këtë “favorizim” që po i bëhet kryesueses së kampionatit.

Në fakt, për nder të kronikës, duhet thënë se Milani ka shkuar te pika e bardhë me meritë në shumicën e rasteve, teksa të vetme penallti bujare kanë qenë ato ndaj Romës (kur arbitri u duk sikur kompensoi një 11-m të dhënë kundër) dhe ndaj Fiorentinës për kontaktin mes Hernandezit dhe Kaseresit. 12 të tjerat kanë qenë faulle të pastra të rivalëve që nuk kanë lënë vend për polemika.

Nëse e zhvendosim vëmendjen në simotrat e Serisë A, vërejmë se askund nuk i janë dhënë më shumë se “Djallit”. Lestëri në Angli ka marrë më shumë se të gjithë penallti në favor (10), po aq sa Strasburgu në Francë.

Shifra shumë më të ulëta në Gjermani dhe Spanjë ku maksimumi i 11-metërshave në favor është shtatë, shifër që e kanë arritur Sociedadi, Vijareali, Lajpcigu, Frankfurti dhe Gladbahu.

IBRA DHE SHPEJTËSI – Në këto rrethana, natyrshëm lind pyetja: “Përse Milani godet kaq shumë 11-metërsha?” Në 90 për qind të rasteve, ekipi i Piolit i ka fituar me një stil loje sa agresiv aq edhe sfilitës nga pikëpamja energjike duke qenë se kuqezinjtë sulmojnë zonat rivale me shumë futbollistë, ndër të cilët spikat Zlatan Ibrahimoviçi. Suedezi shpërndan topat në metrat e fundit, teksa sprintierët e tjerë të skuadrës mësyjnë për të goditur.

Përveç treshes pas shpinës së liderit 39-vjeçar, trajneri u ka dhënë “licencë” për të tentuar thellësinë mbrojtësve të krahut dhe mesfushorëve, me këta të fundit që janë akuzuar shpesh se nuk janë një mburojë e mirë kur vjen puna tek aspekti defensiv. Vertikalizimet me pak prekje të topit janë një tjetër karakteristikë e “Djallit” që ka te Rafael Leao simbolin e rritjes për të cilën po flasim.

Rebiç, Kesi e Benaser kanë ditur gjithashtu të fitojnë penallti të vyera për kauzën ashtu si Hernandez që, përveçse i ka fituar, ka ditur edhe të kontribuojë me gola në rrugëtimin e skuadrës së tij.

SHTYLLA – Një tjetër kundërshembull për të treguar se Milani nuk fiton prej penalltive janë shtyllat e goditura. Kuqezinjtë edhe në këtë aspekt kryesojnë kampionatin falë 15 drunjve të goditur, 6 nga të cilët i ka koleksionuar Hakan Çalhanoglu. Pas ekipi të Piolit, vijnë Verona (12), Udineze (11), Torino e Specia (10).

Në Europë, rivali i vetëm është Lioni që është përplasur më shpesh te shtylla (16 herë). Shtyllat kanë penguar Milanin të ketë ndonjë pikë më shumë, por në disa raste e kanë ndihmuar. Ekipi i Piolit është i shtati në kampionat për rastet kur shtyllat i kanë ardhur në ndihmë (9 raste), teksa këtë renditje e kryeson Sampdoria me 14 episode shtyllash në favor.

Related posts

Wlofsburgu, gati të huazojë Markovic të Liverpoolit

Q.Autor

NUK HARRON TË KALUARËN/ Buffon: Juventus doli e fituar nga ai transferim

Delo.autor

DUAN TË DOMINOJNË/ Mbi 1 miliard euro për blerje, SERIE A thyen një REKORD (STATISTIKA)

Isa.Autor

Leave a Comment