Futboll La Liga Sport

BAYERN MUNICH ËNDËRRON TIFOZËT/ Sergio Ramos ka 6 motive për të qëndruar tek Real Madrid

Që Serxho Ramos është legjendë e Realit të Madridit kjo është e pakundërshtueshme. Por nëse ai rinovon kontratën dhe e lë futbollin në ekipin madrilen, atëherë do të merrte vendin e parë edhe në disa statistika dhe rekorde të rëndësishme.

Ramos është shumë afër disa rekordeve të rëndësishme të historisë së këtij klubi, por për t’i thyer ka nevojë për kohë. Dhe kjo kohë vjen vetëm nëse do të rinovojë kontratën, diçka që nga dita në ditë është më e vështirë. Gjithçka është në dorën e tij, të vazhdojë apo të largohet nga Reali. Ja cilat janë disa nga statistikat apo rekordet që mund të thyejë.

MË SHUMË NDESHJE – Ka shumë pak dyshime që Serxho Ramos të shndërrohet në futbollistin me më shumë ndeshje në historinë e Realit të Madridit nëse do të rinovojë kontratën. Për momentin është lojtari i katërt që ka veshur fanellën madrilene më shumë herë me 668 sfida. Përpara tij janë Raul (741), Kasijas (725) dhe Sançis (710). Për të kapur ish-numrin 7, Ramosit i duhen një vit e gjysmë. Nëse rinovon, do ta arrijë diçka të tillë duke u bërë lojtari me më shumë ndeshje në histori.

MË SHUMË SEZONE – Kapiteni madrilen ka në dorë një tjetër rekord, për t’u bërë lojtari me më shumë sezone të luajtura në skuadrën e Realit të Madridit. Për momentin ka 16 vite në ekipin e parë dhe i duhen 2 të tjerë për të barazuar 18 vitet e Gentos dhe Miguel Angelit. Këtu do të linte pas edhe dy legjendat e tjera Iker Kasijas dhe Raul Gonzales.

MË SHUMË TITUJ – Këtë rekord mund ta fitojë nëse Reali i Madridit do të triumfonte në La Liga dhe në Champions. Diçka e tillë duket mrekulli për momentin dhe për ecurinë e klubit. Spanjolli dhe Marselo kanë 22 tituj kampionë, ndërsa Gento ka fituar 23. Pra edhe nëse nuk rinovon, Ramos mund ta thyejë këtë rekord, por duhet shumë fat dhe perfeksion.

Kjo do të thotë se i duhet një tjetër vit për t’i fituar më lehtësisht dhe për t’u shndërruar në lojtari me më shumë trofe në historinë e Realit. Ai ka fituar 4 Champions, 4 Botërorë klubesh, 3 Superkupa Europe, 5 La Liga, 2 Kupa Mbreti, 4 Superkupa Spanje. Ai mund të bëhet edhe lojtari me më shumë Champions te Reali nëse fiton një tjetër.

KAPITEN REKORDESH – Françisko Gento ka qenë “shefi” i dhomës së zhveshjes së Realit për 9 vite dhe konsiderohet Presidenti i Nderit. Çendo e ka mbajtur 8 sezone shiritin, ndërsa Raul 7. Ramos e ka mbajtur shiritin 6 vite dhe i duhen 3 të tjera për të qenë kapiteni i kapitenëve. Për momentin duket shumë e vështirë duke parë raportet që ka lojtari me klubin.

MË SHUMË MINUTA – Serxho Ramos është lojtari i pestë me më shumë minuta në historinë e La Ligës nga madrilenët. Ai ka 43.900 minuta dhe është 99 minuta larg Raulit (43. 998). Përpara tij janë Kasijas (45.648), Bujo (48.717), Zubizareta (55.746). Ikerin dhe Bujon mund t’i parakalojë nëse rinovon kontratën. Ish-portieri kalohet me 19 ndeshje të plota dhe Bujo me 55.

STADIUMI I RI – Stadiumi ri “Santiago Bernabeu” do të mirëpresë ndeshje në vitin 2022 dhe Serxho Ramos mund të ketë nderin që të jetë kapiteni i parë në shtëpinë e re.

Por nëse ai do të largohet nuk do ta ketë këtë fat dhe për më tepër nuk do të përshëndetet ashtu siç do të donte me tifozët e tij. Ramos i ka dhënë gjithçka Realit të Madridit dhe meriton të nderohet në “Bernabeu”. Prandaj bën mirë që të mendohet përpara se të largohet..

Related posts

Thyen tersin, goli i Çanit i jep fitoren Partizanit

Sadik.Autor

Liga e Europës/ Nesër ndeshjet e fundit në fazën e grupeve

Sadik.Autor

“NUK NA LEJOHET TË SHKOJMË NË SHQIPËRI”/ Ndihmësi i Rejës: Kumbulla që në fillim dukej sikur…

Delo.autor

Leave a Comment