Futboll Seria A Sport

“KONTE-ANJELI NGJARJE E SHËMTUAR…”/ Bonuçi: Edhe në punë zyre ndodhin sherre

Pasi siguroi finalen e Kupës së Italisë, Juventusi duhet të rikthejë vëmendjen dhe përqendrimin total te kampionati. Bardhezinjtë do të udhëtojnë në Napoli të shtunën, një skuadër, e cila, edhe pse pa që të marrë një leksion nga Atalanta në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës, duke u eliminuar, mbetet gjithsesi e rrezikshme. Për këtë është i bindur Leonardo Bonuçi, në intervistën e tij për rrjetin “Sky Sport”. Mbrojtësi dhe zëvendëskapiteni bardhezi i trembet shumë momentit jo të mirë që po kalon Napoli, i cili do të kërkojë të reagojë ashpër në kampionat, por në të njëjtën kohë vlerëson Xhenaro Gatuzon, trajnerin aktual të të kaltërve, i cili e stërviti te Milani, por gjithashtu nuk kishte se si t’u shpëtonte edhe pyetjeve për ngjarjet e Juve-Inter.
NAPOLI E GATUZO – “Për mua është fat që u stërvita nga një si Gatuzo te Milani (sezoni 2017-2018), pasi realisht më ndihmoi shumë. Është një trajner i madh dhe mbi të gjitha ka një staf të përbërë nga burra të vërtetë, siç është edhe Rino. Prandaj, i uroj më të mirat. Napoli nuk po kalon një moment të mirë? Aq më keq për ne atëherë, pasi do të duan të përgjigjen fort të shtunën. Nuk mendoj se janë në krizë dhe aq më keq nëse mendojmë se jemi të favorizuar ndaj tyre.

Vërtet i mundëm në finalen e Superkupës së Italisë, por atë ndeshje duhet ta arkivojmë, ta harrojmë, pasi çdo 90- minutësh është një histori më vete. Duhet të bëjmë shumë kujdes ndaj Napolit dhe t’u japim vazhdimësi fitoreve tona të fundit. Për ndeshjen me ne, Gatuzo ka rikuperuar lojtarë si Osimhen në sulm, i cili luan më në thellësi sesa Petanja për shembull, prandaj duhet të jemi të përqendruar në prapavijë. De Ligt dhe Demiral fantastikë? Po, por te Juventusi nuk ka titullarë fiks. Kushdo që të luajë duhet të jetë gati gjithmonë”.
SHERRI KONTE-ANJELI – Për sa u përket shkëndijave që ndezi gjysmëfinalja e kthimit në Kupë mes Juventusit dhe Interit, pjesë e të cilave ishte edhe vetë Bonuçi, kur iu kundërpërgjigj nga stoli Antonio Kontes, që kërkonte me ngulm një penallti të paqenë (kontakti Lautaro-Bernardeski), numri 19 bardhezi nënvizoi: “Ka pak për të shtuar mbi atë çfarë ndodhi në Torino të martën, pasi pamjet flasin qartësisht. Ajo që ndodhi është e shëmtuar, por nuk jam unë ai që duhet të gjykoj përse ndodhi apo se çfarë duhet të merret si masë. Sigurisht, ne si futbollistë dhe persona publikë që ndiqemi nga shumë njerëz duhet të jemi gjithmonë një shembull, por ka raste kur është e vështirë të ruajmë qetësinë. Kur zbret në fushë, adrenalina është në maksimum dhe nuk mendon menjëherë me kthjelltësi. Tensioni të bën shaka të këqija dhe harron se cili je dhe se çfarë është e drejta të bësh, çfarë duhet të transmetosh. Pastaj, me stadiume bosh dhe me aq mikrofona që janë përreth fushës, edhe një teshtimë është e lehtë të dëgjohet në kohët e sotme, – shpjegon Bonuçi, që më pas kërkon të ulë disi gjakrat.
– Gjithsesi, pavarësisht asaj që ndodhi, unë mendoj se duhet të mos ekzagjerojmë gjithçka shihet dhe ndodh. Pasi sfidoj këdo që të jetë i qetë dhe të mos ketë tension në fushë. Edhe në një punë të thjeshtë zyre ndodhin grindje, diskutime apo rrëshqet edhe ndonjë sharje. Jemi qenie njerëzore, ndonëse e përsëris se duhet të kërkojmë që të jemi një shembull, edhe në situatat që mund të na rrëshqasin nga duart. Ndoshta, skena si ajo që ndodhën mund të mos kishin bërë kaq bujë në një stadium të mbushur, pasi nuk do të dëgjoheshin fjalët apo do të humbte edhe ndonjë gjest nga telekamerat. Por, në një sport si futbolli, ku në lojë janë interesa të mëdhenj, mund të ndodhë që të krijohet edhe ndonjë situatë e pakëndshme”.

Related posts

MPOSHT KONKURRENCËN ME ATLETICON/ Leonardo bën goditjen e parë, arrin akordin me 27-vjeçarin…

Delo.autor

LOPETEGUI DHE SHKARKIMI/ Trajneri më jetëshkurtër në histori të Perezit

F.autor

CARABAO CUP DHE PREMIER NUK MJAFTOJNË/ Paralajmërimi i Al Mubarak: Ky do të ishte gabimi më i madh…

Delo.autor

Leave a Comment