Futboll Seria A Sport

MOMENT I VËSHTIRË TEK MILAN/ Trajneri Pioli mendon ndryshim moduli. Ja si ndryshojnë “Kuqezinjtë”…

Humbja 3-0 në derbi nga ana e Milanit nxori në pah disa vështirësi të cilat po has “Djalli” në javët e fundit. Nëse alarmi i parë ra kundër Specias, me humbjen e pësuar ndaj skuadrës që lufton për mbijetesë, me Interin të gjitha problemet dolën në sipërfaqe.

Njeriu më i pritur i sfidës së “San Siros” ishte Zlatan Ibrahimoviç, por në fund të derbit, edhe pse ai u vlerësua si më i miri në radhët e kuqezinjve, duke qenë se u ndez në çdo top, në fund çmimi satirik “Tapiri i Artë” i emisionit “Striscia La Notizia” i takoi pikërisht suedezit, i cili si lider i skuadrës e pranoi pa probleme: “Tapiri im i gjashtë… Ishte e vështirë, e pranoj. Bëmë shumë gabime, por të jeni të sigurt se do të ringrihemi. Ndoshta, ndeshjen e radhës do të marr tapirin me vete, mbase më sjell fat, – qesh Ibrahimoviç përpara gazetarit, i cili i pyetur se çfarë pret nga pjesëmarrja në Sanremo nuk zhbalancohet. – Për momentin, jam i përqendruar vetëm te ndeshjet dhe kaq”.

FANTAZISTËT, PA IDE – Por, ndërsa Ibra vë fytyrën e tij, në të vërtetë ata që duhet të marrin më shumë se kushdo tjetër përgjegjësitë e humbjes, janë tre fantazistët që duhej të mbështetnin 39-vjeçarin: Çalhanoglu dhe Selemekers ishin inekzistentë ndaj Interit, por edhe Rebiç nuk bëri gjëra të mëdha. Asnjëherë një top i saktë për Zlatanin, asnjëherë lëvizje në thellësi pa top për të ndihmuar dhe për të çmarkuar suedezin nga mbulimi në zonë. Dhe, për të mos thënë pastaj për tentativat në kuadrat. Këto probleme, kjo mungesë bashkëpunimi që është fikur papritur, sidomos mes trios Çalhanoglu-Ibrahimoviç-Selemekers, e cila bënte diferencën deri pak javë më parë, ndoshta mund të jetë bërë e lexueshme për rivalët, ndoshta diçka nuk po funksionon më siç duhet, ndaj kërkohet një tjetër zgjidhje sa më shpejt.

NDRYSHIM MODULI – Dhe, sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, trajneri Stefano Pioli, duke parë edhe rendimentin në ulje, si rrjedhojë edhe e një lodhjeje të akumuluar, duke kujtuar si Milani e ka nisur që në qershor sezonin, po mendon të ndryshojë modul. Skema aktuale 4-2-3-1 ndoshta shihet si shumë ofensive aktualisht dhe forcat për të bërë presing lart mund të mungojnë. Prandaj, dy zgjidhjet që ka në kokë Pioli është një skuadër më “kuadrate”, më pak ofensive, pse jo, një 4-3-1- 2, apo akoma më shumë klasikja 4-4-2, për të ngushtuar hapësirat mes reparteve dhe për të ofruar më tepër mbulim në mbrojtje, repart që ndaj Interit u pa totalisht pa busull, sidomos edhe nga mungesa e pozicionit nga ana e dyshes së qendrës, Romanjoli-Kjaer.

Related posts

U LARGUA NGA STOLI I “ZIKALTËRVE”/ Antonio Conte është penduar, Inter ende konkurrues

Delo.autor

“Catalunya Radio” zbulon klubin e ri të Iniestas

Sadik.Autor

Mohamed Salah mund të rrëmbejë Topin e artë sivjet

Sadik.Autor

Leave a Comment