Futboll Seria A Sport

RISI PËR PJESËN E MBETUR TË SEZONIT NË SERIE A/ Tri planet e Piolit, ja si Milan mësyjnë titullin…

Mos i kërkoni tabela plani apo etike time për momentet kyçe të sezonit. Stefano Pioli do të refuzojë sepse është nga ata që synojnë të rrokin çastin. Ashtu si bën edhe Ibra me shokë në një zonë rreptësie. Shkurti për Milanin ka nisur vetëm dje pas dy ditësh pushim dhe kjo javë do të ofrojë shanse për të punuar një javë pa pasur në program një ndeshje. Horizonti kuqezi shkon deri të dielën kur do të presin në “San Siro” Krotonen, por këto ditë do të jenë edhe një mundësi për të punuar edhe në funksion të së ardhmes pasi Piolin dhe të tijtë e presin disa muaj të ngjeshur me ndeshje, sidomos nëse do të vazhdojnë të luajnë në Ligën e Europës. Trajneri dhe ekipi e kërkonin me ngulm këtë javë, pasi janë një grup që prej shtatorit ka luajtur në çdo mesjavë apo fundjavë.

SI NDRYSHON STËRVITJA

Shpenzim energjik, por edhe nervor për organikën nga e cila kërkohet rendiment i ngjashëm deri në fund të sezonit. Pikërisht për këtë arsye, “Djalli” po mundohet të mbushë serbatorët me benzinë për të pasur formën e duhur, por edhe për të rritur fizikisht të ardhurit e tij. Mbi të gjithë, Mario Manxukiç, i cili së bashku me Tomorin dhe Çalhanoglunë shfrytëzuan vetëm një nga dy ditët e dhëna pushim nga Pioli pas fitores me Bolonjën. Teksa kjo treshe ishte në një nga fushat e qendrës stërvitore, Kjaer, Gabia dhe Diaz punonin në palestër për ta marrë veten nga dëmtimet përkatëse. Një pikënisje e mirë për Milanin që synon të ndryshojë diçka në mënyrën e stërvitjes. Çështje detajesh pasi plani i sivjetshëm ka dhënë rezultatet të jashtëzakonshme duke qenë se ekipi udhëheq kampionatin që prej javës së katërt. Pritet që skuadra të rrisë ngarkesën në dy ditët e para të çdo jave, teksa seancat stërvitore do të jenë vetëm një herë në ditë. Përgatitësit Mateo Osti dhe Roberto Peresuti do të merren me të ardhurit nga merkatoja dhe ata që luajnë më pak, në mënyrë që forma e të gjithëve  të jetë uniforme. Përgjigjet e para do të vijnë të dielën ndaj Krotones e më pas kundër Specias, dy etapa themelore pas nisjes së një cikli që do të përfshijë ndeshjet e Europës kundër Crvena Zvezdës dhe ato të kampionatit me Romën e Interin.

SI NDRYSHON TAKTIKA

Seanca çlodhëse, stërvitje dhe ndeshje kontrolli. Duke përjashtuar fazën përgatitore të verës, plani i Milanit ka qenë pak a shumë ky. Për një trajner kjo është mënyra më e mirë, aq më tepër që në ditën që pason ndeshjen, organika ndahet në dy grupe (ata që kanë luajtur dhe pjesa tjetër). I vetmi moment kur Pioli i ka të gjithë nën urdhra, është ndeshja e kontrollit që paraprin me një ditë sfidën e kalendarit. Në këto dy javë, 55- vjeçari do të ketë mundësi të thellohet me të gjithë futbollistët për skemat, parimet e lojës dhe ekuilibrat. Kohë e çmuar për të vajisur mekanizmin e makinës kuqezi, por edhe për të montuar ingranazhe si Manxukiç, Tomori dhe Meite, që do t’i nevojiten ekipit të tij nga tani e tutje.

SI NDRYSHOJNË LOJTARËT

Pikërisht ardhjet e reja nga merkatoja përbëjnë një kapitull më vete. Këto dy javë do t’i shërbejnë treshes që të njohë e të përshtatet me pjesën tjetër të skuadrës në mënyrë sa më të natyrshme. Nevoja në ndeshjet e fundit e ka shtyrë Piolin që t’i përdorë. Meite ka pasur vështirësi që Tomori nuk i ka hasur, ndërsa Manxukiç është një rrugë e ndërmjetme. Kroati kundër Atalantës ishte i vetmi që gjeti kuadratin, teksa ndaj Bolonjës u duk disi i rëndë. Gjithçka e kuptueshme rreth tij, jo vetëm prej moshës, por edhe për shkak se nuk luan një ndeshje zyrtare prej më shumë se 9 muajsh. Tomori, Meite dhe Manxu do të jenë të vëzhguarit e trajnerit, teksa mësohet se për secilin është hartuar një program fiziologjik që do t’i mundësojë të gjejnë formën e duhur në pak javë. Forca të reja për Milanin që synon të jetë në luftë në të tria frontet deri në pranverë, për të tentuar më pas sprintin final. Tifozët shpresojnë te puna e trajnerit…

Related posts

Të rinjtë e Barcelonës e fitojnë Ligën e Kampionëve

Sadik.Autor

YLLI ARGJENTINAS KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE/ Juventus do ta shesë Dybalan, por ka një problem

Delo.autor

ZBULOHEN PRAPASKENAT JUVENTUS-MILAN/ Gazetari italian: Nëse nuk do të ndihmohesh nga ne…

Delo.autor

Leave a Comment