Futboll Seria A Sport

RRËFEN PLANET DHE DËSHIRAT E MILAN/ Maldini: Champions-i objektivi ynë, ekipin e drejtuam në… “Skype”

Dikur një nga mbrojtësit më të mirë në botë, ndërsa aktualisht një nga drejtorët sportivë më të mirë në qarkullim. Dy karriera të ndryshme për Paolo Maldinin me futbollin në qendër. Tashmë 52 vjeç, drejtuesi i Milanit, ka pranuar të rrëfehet në një intervistë për “BEiN Soprts”.

Kalendar i ngarkuar, por që pas pandemisë duket se Milani nuk vuan?

Duhet thënë se mungesa e publikut ka ndikuar për t’i vënë më pak presion skuadrës sonë, e cila është nga ato me moshë mesatare më të ulët. Rezultatet na kanë dhënë besim, por ky ndryshim krahasuar me një vit më parë ka ardhur si pasojë e ndryshimit në mentalitet.

Gjithsesi, askush nuk e priste që të ndodhnin kaq shumë ndryshime…

Me siguri që 12 muajt e fundit kanë qenë të pazakontë dhe lojtarët janë gjendur në fushë çdo tri ditë. Mungesa e publikut i ka ndërlikuar disi gjërat dhe futbolli aktual përfaqëson diçka me të cilën as klubet, as lojtarët e as publiku nuk janë mësuar.

Koronavirusi duket sikur ju ka ndihmuar apo jo?

Masat shtrënguese te Milani u morën kohë më parë, para pandemisë. Duke parë problemet financiare, u munduam të ndërtojmë një strategji e cila të kishte në themel vetëfinancimin pasi na duhej të përmirësonim bilancet. Kjo arrihet përmes të rinjve të cilët rëndojnë më pak në bordero krahasuar me kampionët e afirmuar.

Si e menaxhuat organikën gjatë pandemisë?

Bisedonim në “Skype”, duke këmbëngulur për t’u treguar lojtarëve tanë se mund të përmirësojmë pozicionin në renditje. Kur kampionati rifilloi, cilësitë e kësaj skuadre dolën në pah.

Goditje si Teo Hernandez nuk realizohen çdo ditë…

Është një lojtar që ka fituar Champions-in, por në kohët e fundit kishte humbur disi ritmin. Nuk doja të dëgjoja se çfarë thuhej poshtë e lart për të, por kërkova t’i flisja duke e parë në sy. Përpara m’u shfaq një djalë i ndjeshëm të cilin e paralajmërova se mund të vinte te Milani, por do t’i duhej shumë mund. Nëpërmjet fjalëve të mia ai ndjeu siguri dhe ne si klub besonim tek ai.

Nuk iu desh ta prisnit. Si e shpjegoni?

Së bashku me Leaon është blerja jonë më e shtrenjtë dhe mund të ketë ndjerë peshën e investimit. Përgjigjet prej tij në fushë nuk kanë munguar. I them gjithmonë që duhet të synojë të jetë titullar i kombëtares së Francës dhe një prej mbrojtësve të majtë më të mirë në botë.

Te Milani kanë kaluar shumë lojtarë. Përse dështoi një si Gurkufi?

Një skuadër ndërtohet mbi shumë aspekte e ndonjëherë talenti nuk mjafton.

Arrigo Saki ju ka mbuluar me komplimente.

Është një nder i madh sepse Saki është një figurë pa të cilën Milani i madh nuk do të kishte ekzistuar kurrë.

Përse zgjodhët Xhampaolon në fillim të ciklit tuaj?

Në 2019 e menduam si zgjidhje të duhur, por nuk funksionoi. Pas humbjes me Atalantën, “Elliott” miratoi afrimin e Ibrahimoviçit dhe Kjaerit, që do të ishin dy pika referimi për një grup me moshë të re. Këtu nisi kthesa dhe vijuan rezultatet që tashmë i njohim.

Me rinovimin e kontratave jeni në kohë apo me vonesë?

Kemi tre lojtarë të cilëve u përfundon kontrata në fund të sezonit, por nën vëzhgim mbajmë edhe ata që janë në skadencë pas një viti. Kjo është një pjesë normale e punës, por siç them shpesh, për të arritur një akord nevojitet miratimi i të gjitha palëve të përfshira.

Ka shumë diferencë mes Milanit dhe të mëdhave të Europës?

Në vitet e fundit ka ndryshuar disi, sidomos me Bajernin, Sitin apo Liverpulin. Milani nuk është ende në atë nivel edhe pse udhëheq kampionatin që nga java e parë. Mbase na duhen dy sezone me ecuri konstante në Champions për të pasur forcën e duhur për të konkurruara me ekipet e sipërpërmendura.

Si e shpjegoni ju këtë?

Nuk duhet harruar se Milani mungon në Champions prej tetë sezonesh. Në nivel ekonomik kjo është një dallim i madh. “Fair Play Financiar” është diçka e mirë për sigurinë ekonomikë të futbollit, por njëkohësisht duket sikur shton diferencat mes skuadrave që janë në majë dhe atyre që duan ta arrijnë majën.

Related posts

LIVE/ “EURO 2020”: Mbyllet ndeshja Ukrainë-Anglinë “Olympico”. Rezultati 0-4

Delo.autor

GUARDIOLA E KËRKON NË EKIP/ Manchester City interesohet për lojtarin e “Los Blancos”

Delo.autor

Foto Strakosha krenar për Tomin: Është më i mirë se unë, ja kur më kanë ikur 10 vite jetë prej tij

Sadik.Autor

Leave a Comment