Bundesliga Futboll Sport

40 GOLA NË NJË SEZON/ Bomberi i rekordeve me Bayern Munich, Polonia nderon Lewandowski-n

Është një nga ato rekorde në Bundesligë që e njeh çdo fëmijë. 40 gola në një sezon, i vendosur nga Gerd Myler, “bomberi i kombit”. Kjo ndodhi 49 vite më parë, por gjithçka mund të thyhet këtë sezon. Është një lojtar i cili quhet Robert Levandovski, luan me Bajernin dhe në 26 javë ka shënuar 35 gola. Polaku është duke kaluar një formë të shkëlqyer në kampionat duke shënuar pothuajse në të gjitha takimet. Me 271 golat e shënuar, Leva blindoi edhe vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë në Bundesligë dukë lënë pas Kluas Fisherin. Në ndeshjen e tij të 215-të në kampionatin gjerman, polaku shënoi golat e 195, 196 dhe 197 për Bajernin duke lënë pas Jub Hejnkesin i cili me Gladbahun shënoi 195. Vetën Gerd Myler ka shënuar më shumë për skuadrën e tij.

PROJEKSIONI

Ishte sezoni 1971-1972 kur Gerd Myler shënoi 40 gola në sezon duke vendosur një rekord, i cili ende nuk është prekur nga asnjë lojtar në Gjermani. Me 35 golat sezonalë, Leva është në rrugën e duhur për ta thyer këtë tabu. Sipas një mesatareje, numri 9 i Bajernit po shënon 1.35 gola për ndeshje në fund, ai do të arrijë të shënojë 46 gola në total duke thyer rekordin e Mylerit dhe vendosur një të ri që vështirë se mund të arrihet nga një lojtar tjetër. 32-vjeçari është një makineri golash dhe për të shënuar atij i duhen vetëm 94 minuta. Në 346 ndeshje, polaku ka gjetur rrugën e rrjetës plot 271 herë, nga këto 197 vetëm me fanellën e Bajernit. Në vitin më të mirë të Mylerit, bomberi shënonte çdo 105 minuta. Të dy lojtarët kanë fituar “Këpucën e Artë” në Gjermani. Myler është shpallur goleador në vitet 1967, 1969, 1970, 1972, 1973, 1974 dhe 1978. Ndërkohë Leva ka dalë deri tani pesë herë golashënuesi më i mirë, duke mos llogaritur edhe sezonin aktual. Polaku është kandidati kryesor për të fituar duke parë edhe numrin e golave të shënuar deri tani në kampionat.

POLONIA E NDERON

Ashtu siç ishte planifikuar, Levandovski ishte dje në Poloni ku u nderua nga presidenti i vendit me titullin “Kryqi i Komandantit i Urdhrit të Rilindjes së Polonisë”. Ky titull shërben si promovim i Polonisë në arenën ndërkombëtare. Vetë lojtari u shpreh se ndihet krenar për këtë çmim dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin e tij. “Sigurisht që emocioni është i madh, kurrë gjatë fëmijërisë sime nuk e kisha menduar se do të arrija ta jetoja këtë ditë. E di shumë mirë se çfarë do të thotë të nderohesh nga presidenti. Më vjen mirë që puna ime është vlerësuar dhe që kam përfaqësuar vendin tim në fushën e lojës. Mesazhi im për të gjithë është se me punë dhe përkushtim gjithçka është e mundur, vetëm duhet besuar”, tha sulmuesi polak për mediat në vend. Ndërkohë ende nuk dihet nëse lojtari do të lejohet nga Bajerni të luajë për kombëtaren e Polonisë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit duke parë situatën e rënduar për shkak të pandemisë, edhe pse sulmuesi është prezent në listën e publikuar nga kombëtarja polake.

Related posts

“EL CLASICO”/ Real Madridi dridhet nga “Pleshti”, historia në këmbët e tij

Delo.autor

I PANDALSHËM/ Pas 14 minutash lojë, Messi ndëshkon Eibar me një “PERLË” (VIDEO)

Delo.autor

Kanë në ekip një “yll të fshehur”, ja kush është “BALOTELLI” i Kastriotit

Isa.Autor

Leave a Comment