Futboll Sport

ANALIZA/ Vetëvlerësimi në maksimum, ja fytyrat e “mbretit” Ibrahimovic

Egoja e tij është më e madhe se distanca Milano-Stokholm, megjithatë luan më shumë për skuadrën sesa për vete. Tregon muskujt ndërkohë që nëpër intervista flet për emocione pavarësisht se në rrjetet sociale përkufizohet si “Zoti” apo “Mbreti”.

Zlatan Ibrahimoviç është si një univers ku hiperbolat janë në rend të ditës, ndërkohë që në javët e fundit kemi vënë re një aspekt më “njerëzor” të tij. Është çështje moshe apo vetëvlerësimi duhet verifikuar, por mbetet fakt që ky version i kohëve të fundit po merr pëlqime pa fund, e jo vetëm në rrjetet sociale. Shembulli më konkret është ndeshja e fundit mes Suedisë dhe Gjeorgjisë. 39-vjeçari rikthehet në kombëtare pas thuajse pesë vitesh e menjëherë dhuron një asist. Në kohë të tjera atë top Ibra do ta kishte dërguar në rrjetë, por të enjten mbrëma vendosi të vlerësonte pozicionin e një shoku të ekipit.

Ky rikthim nuk është vetëm ndeshja e dy ditëve më parë, pasi për fanellën e verdhë sulmuesi vuri mënjanë edhe mëritë e vjetra me trajnerin Anderson dhe nuk pretendoi shiritin e kapitenit apo numrin e dikurshëm. U “mjaftua” me 11-ën, që e mban edhe te Milani, të cilën ia kërkoi “hua” të riut Isak.

Edhe aventura në “Sanremo” tregoi një fytyrë tjetër të suedezit që mori pjesë si prezantues në festival pa hequr dorë nga profesionalizmi që e ka dalluar gjithmonë. Nëse analizojmë muajt e fundit, natyra e tij e ka “tradhtuar” vetëm në derbin e Kupës së Italisë ku me disa fjalë të zgjedhura nga fjalori i vjetër i Zlatanit, nxori nga binarët edhe një “qengj” si Romelu Lukaku. Fakt mbetet që teksa sheh në horizont të dyzetat, Ibrahimoviç vijon të jetë një kampion, i cili falë pjekurisë së shtuar, po tregon edhe një fytyrë tjetër.

MBRETI GUSTAV – Sidoqoftë, kombëtarja po e mban të karikuar siç dëshmojnë edhe fjalët e thëna nga grumbullimi i Suedisë: “Nuk kisha trysni, por ndjeja flutura në stomak përpara ndeshjes. Rikthimi në fushë me Suedinë ishte emocionues, madje mu desh të mësoja edhe himnin të cilin nuk di të them nëse e këndova bukur”. 86 minuta në fushë kundër Gjeorgjisë dhe një asist për golin e fitores.

Një fillim i mbarë për Ibrën që nesër ndaj Kosovës mund të jetë përsëri në fushë. “Nuk krijuam shumë raste, por sidoqoftë luftuam për një fitore të rëndësishme. Jemi një grup i mirë lojtarësh që ndihmojnë vazhdimisht njëri-tjetrin.

Në aspektin e lojës na mungon ende diçka ndaj duhet të përmirësohemi. Sa për golin tonë, dëgjova Viktorin (Kleson) që më thirri ndaj mendova t’i pasoja. Për fat çdo gjë shkoi mirë”, përfundoi Ibrahimoviç, i cili pas ndeshjes, foli edhe në rrjetet sociale duke postuar një foto nën diçiturën “Gustavi XVII” një referim i qartë ndaj mbretit Suedez, një post të cilin lojtari e cilëson si të “tijin”.

Related posts

UZUNI I PANDALSHËM NË KROACI/ Sulmuesi kuqezi shënon sërish për Lokomotivën

Isa.Autor

PAS LARGIMIT TË MESSIT/ Barcelona rrezikon të humbasë Aguero-n, “fajin” e ka… kluazola e dëmtimeve

Delo.autor

PIKANTET E SHQIPËRI-ANDORRA/ Furgoni i VAR-it vjen nga Greqia, Rejën e tradhton stilolapsi

Delo.autor

Leave a Comment