Futboll Sport

“ËSHTË VENDIMI I DUHUR”/ Nedim Bajrami: E zgjodha Shqipërinë me zemër

Në 2016 kur Shqipëria luajti në Europianin e Francës, Nedim Bajrami ishte një 17-vjeçar që luante për të rinjtë e Grasshopersit dhe për përfaqësuesen e asaj grupmoshe të Zvicrës.

I lindur në Tetovë, mes ngjyrave kuqezi të Shkëndijës, ai Europian ishte si një thirrje zemre për Nedimin, pa e ditur se 5 vjet më pas interesimi i Shqipërisë dhe dëshira e tij do të shtynin drejt ngjyrave kuqezi.

I shumë komentuar në Zvicër për zgjedhjen e tij, por me shumë gjasa një benjamin i ri i tifozëve kuqezi, në intervistën e tij të parë shqiptare dhënë për Sport News, Bajrami e pranon se e tija ishte një zgjedhje zemre.

“E vendosa të luaj për Shqipërinë, pasi dëgjova zemrën. Fola edhe me Rejën dhe mendova se është vendimi i duhur që të luaj për Shqipërinë”, tha Bajrami.

Një zgjedhje që erdhi dhe falë ngacmimeve të miqve të tij, mes të cilëve dhe Amir Abrashi që i kërkonte të vishte ngjyrat e ekipit kombëtar për t’u bashkuar në një grup, të cilin Bajrami e ndjen që në fillim pjesë të tijën.

“Fola me Abrashin dhe më tha hajde të luash me Shqipërinë, pasi kemi skuadër të mirë, me cilësi. Është një miks me lojtarë të rinj dhe të tjerë me eksperiencë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, deklaroi fantazisti.

Dëshira për të luajtur është e madhe qoftë dhe ndaj Andorrës, por zgjedhja i takon Rejës dhe Bajramit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përgjigjet në apel nëse trajneri do t’ja kërkojë.

“Këtë e vendos Reja, por nëse më aktivizon, unë do të jem shumë i lumtur të jap kontributin tim”, deklaroi Bajrami.

Si një lojtar me cilësi në mesfushë, ku theksin e ve te fantazia, Bajrami megjithatë nuk e shfrenon fantazinë në objektiva dhe qëndron me këmbë në tokë kur thotë se e rëndësishme është që ekipi ta nisë me këmbën e mbarë në Andorra, më pas ndeshjet do të merren një nga një.

“Kam bërë vetëm një stërvitje me skuadrën dhe kam parë që ka shumë cilësi. Duhet të bëjmë shumë mirë në ndeshjen e parë me Andorrën, pasi është shumë e rëndësishme ta nisim mbarë”, u shpreh Bajrami për Super Sport.

Related posts

I JEP FUND POLEMIKAVE PËR LARGIMIN E LEWANDOWSKIT/ Rummenigge: Robert është ende nën kontratë me ne dhe…

Delo.autor

Tyson Fury rikthehet në ring, zbulohet kundërshtari i ardhshëm

Isa.Autor

LIGA E KOMBEVE/ Koeman: Treguam karakter, Gjermania më e mirë se Franca

Isa.Autor

Leave a Comment