Futboll Seria A Sport

“FUTBOLLIST PREJ MOTRËS”/ Rrëfehet mesfushori i Juventus: Çdo natë i lutem Zotit për… “Zonjën e Vjetër”

Mesfushori i Juventusit Dejan Kulusevski dha një intervistë të gjatë për mikrofonat e faqes Instagram “Calcioshop”, duke folur për futbollin, por jo vetëm kaq: “Unë fillova si të gjithë fëmijët, isha shumë i ri kur nisa stërvitjen. Motra ime e madhe ishte ajo që e nisi futbollin përpara meje dhe unë doja të luaja me atë. Filluam t’i pasonim njëri-tjetrit topin dhe më pëlqeu. Duhet ta falënderoj motrën nëse sot jam një futbollist. Ajo pëlqente shumë Ronaldinjon. Kam parë fotografi të Ronaldinjos kudo në shtëpi, ndonëse lojtari i parë që më ka mahnitur mua ishte Eden Hazard. Edhe sot e kësaj dite ai mbetet i preferuari im”, bën hyrjen e tij suedezi.

KALIMI NË ITALI – “Ishte shumë mirë të mbërrija në Itali, gjeta miq fantastikë, mësova shumë duke jetuar vetëm. Çfarë me pëlqeu? Të gjitha. Këtu futbolli është si një fe dhe është i rëndësishëm për mua. Takova një kulturë tjetër. Unë e dua ushqimin, dua pothuajse gjithçka. U ndieva shumë rehat kur mësova edhe gjuhën, pasi të ndihmon, sidomos brenda fushës për të kuptuar më mirë trajnerët, shokët e skuadrës, pasi komunikimi është baza sidomos e të stërviturit mirë”

TRAJNERËT E TIJ – “Kam pasur shumë të tillë që kur isha fëmijë që më ndihmuan shumë. Brambila te Atalanta ishte shumë i zoti dhe më bëri të kuptoj menjëherë se çfarë kërkohej në futbollin italian, për t’u ambientuar sa më shpejt. Pata D’Aversën vitin e kaluar te Parma dhe më pëlqente edhe si person, pasi ai më stimulonte edhe si një i adoleshent që po vihej në trysninë e ofertave të klubete të mëdha. D’Aversa më thoshte se duhej të isha gjithmonë i përulur, pasi kështu do të bëhesha një futbollist edhe më i mirë. Jam me fat që kam pasur dy trajnerë të tillë në Itali, sepse është fakt që kur i dëgjon me vëmëndje persona me një eksperiencë të tillë, të formojnë më shpejt. Çfarë pres nga futbolli? Dua vetëm të fitoj, gjithmonë luaj vetëm për të fituar. Do të bëj gjithçka për të ngritur sa më shumë trofe, por kurrë duke vënë egon time përpara ekipit. Madje, unë jam nga ata lojtarë që më pëlqen të luaj në sulm, mendoj se ndihem më i lirshëm aty. Por kudo, kur më është kërkuar që të mendoj më shumë të mbroj sesa të shpreh cilësitë e mia, e kam bërë po me aq dëshirë sa të sulmoj, apo të shënoj dhe t’i jap fitoren skuadrave të mia”.

ENDE NXËNËS – Transferimi te Juventusi nuk e ka ndryshuar Dejan Kulusevskin, përkundrazi: “E di që më kanë paguar shumë, por unë duhet ende të përmirësohem në gjithçka. Nuk mund të mendoj se arrita këtu dhe jam i pari, pasi kur sheh sesa shumë lojtarë ka në botë dhe sa shumë talente të rinj, që fatkeqësisht disave prej tyre nuk i jepet as shansi për një kontratë profesionisti, unë jam thjesht i lumtur për gjithçka kam. Në kokën time ekziston gjithmonë e drejta, ndaj e di që nuk jam ende askush. Por për t’u bërë dikush stërvitem që të përmirësoj çdo detaj, si për shembull të luaj njësoj me të dyja këmbët. Fundja, të kontrollosh topin me dy këmbë, kundrejt njërës, është me efikase, apo jo?! Po punoj shumë edhe për të rritur shpejtësinë, por edhe të jem fizikisht më i fortë në përplasjet në fushë, sepse është vërtet e mrekullueshme të arrish te Juventusi në moshën 20-vjeçare.

Është gjëja më e bukur që ekziston, një ëndërr madhështore, por kur e arrin, gjëja më e vështirë është që ta mbash. Prandaj, çdo natë para se të fle i jam mirënjohës Zotit, por edhe drejtuesve të Juves për mundësinë që më dhanë dhe do të bëj gjithçka për të qëndruar këtu për sa më shumë vite. Ne jemi një grup shumë i ngushtë, të gjithë flasim së bashku dhe këtu më e bukura është se kampionët e mëdhenj, Ronaldo, Kielini, Bufon etj., janë ata që të mbajnë më afër, ata që të flasin më shumë, ata që të ndihmojnë që të përmirësohesh, duke të larguar fillimisht presionin. Ndërsa për sa i përket shokut më të ngushtë, mendoj se është Ueston McKeni. Që në bisedën tonë të parë, u lidhëm më shumë, ndonëse e adhuroj edhe marrëdhënien që kam me Xhixhin. Bufonit i qëndroj gjithmonë pranë, kur bëjmë analizë, kur na flet trajneri. Ke një jetë në futboll, por sërish e do si ditën e parë që nisi. Shpesh më flet për futbollin e para 20-viteve dhe janë histori shumë interesante”.

NUMRI I FANELLËS – Në fund, Kulusevski flet edhe për numrin e fanellës, 44-ën, ndonëse ajo nuk ka asnjë lidhje për shumë e parave që Juventusi shpenzoi pikërisht për talentin suedez (e blenë nga Atalanta saktësisht 35 milionë euro, plus 9 milionë bonuse): “Unë zgjodha 44 sepse doja të kisha një numër që do të ishte i imi. Dua ta bëj 44 numrin tim, që të më përfaqësojë kudo dhe e kam mbajtur veshur gjithmonë. Më pëlqen shumë. Madje, sa herë që shikoj edhe orën, më duket se ajo ajo tregon gjithmonë 4 e 4”, përfundoi duke qeshur 20-vjeçari.

Related posts

Pogba në pritje për të mësuar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij

Sadik.Autor

I ARDHUR NË VERË TEK REAL MADRID/ Ja data se kur do të rikthehet Hazard në fushë

Delo.autor

BENEVENTO-JUVENTUS/ Trajneri Pirlo i beson dyshes së sulmit Morata dhe Dybala (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment