Futboll Sport

“GOLDEN BOY” MBAPPE NË GJURMËT E “KILLERAVE”/ Nga Van Basten tek Lewa, ja sa kanë shënuar në moshën e tij…

Me 22 vite e 108 ditë mbi shpinë, Kilië Mbape ka stofin e kampionit që duket se do të dominojë panoramën futbollistike në dekadën e ardhshme.

Pas dopietës ndaj Bajernit, shumëkush mund të ketë pyetur veten se çfarë kishin arritur yjet e së shkuarës në moshën aktuale të francezit. Në statistikat e mëposhtme nuk përfshihen golat e shënuar në ekipet zinxhirë, apo në kombëtaret e moshave.

KILIË MBAPE – Ai është kampion bote në fuqi me Francën ndërsa si profesionist mund të krenohet me 162 prezenca në të gjitha kompeticionet në rang klubesh dhe 122 gola, teksa nëse përfshijmë edhe ato me Francën, atëherë totali është 165 gola në 264 ndeshje.

EDINSON KAVANI – Ish-koleg i Mbapesë dhe golashënuesi më i mirë në historinë e PSG-së, por kur ishte 22 vjeç nuk shënonte kaq shumë sa francezi. Vetëm 35 gola në 118 ndeshje për uruguaianin që luante me Palermon në atë kohë.

MAURO IKARDI – Mes Amerikës Latine dhe Parisit, duke përfshirë një copë Itali, kemi mes bomberave edhe argjentinasin. 47 gola për Ikardin 22-vjeçar në 105 ndeshje të ndara mes kombëtares, Sampdorias dhe Interit.

HERRI KEJN – 22 vjeç e 108 ditë, anglezi sapo kishte çelur te Totenhemi. 166 ndeshje si profesionist e 62 gola në karrierë të koleksionuara mes Lejtonit, Milluollit, Noruiçit, Lesterit dhe “Spurs”-ave.

ZLATAN IBRAHIMOVIÇ – Duke marrë parasysh përvojat me Malmon, Ajaksin dhe Suedinë, në moshën e Mbapesë, sulmuesi aktual i Milanit kishte shënuar 64 herë në 163 ndeshje dhe po zhvillonte sezonin e fundit me “Harkëtarët”.

KRISTIANO RONALDO – 22 vjeç e 108 ditë, portugezi i festonte me sezonin e tretë në Angli në radhët e Junajtidit. 267 ndeshje e 66 gola për të deri në atë moment të karrierës.

GONZALO HIGUAIN – Në atë moshë argjentinasi ishte pjesë e Realit të Madridit pas përvojës më River Plejtin. Duke përfshirë edhe kombëtaren, ai krenohej me 78 realizime në 177 prezenca si profesionist.

KARIM BENZEMA – Një moshë me Higuainin, por me më shumë gola në CV. Bomberi kur ishte 22 vjeç e 108 ditë kishte arritur të shënonte 82 herë në 200 ndeshje.

LUIS SUAREZ – Ishte 22 vjeç kur luante në sezonin e dytë me Ajaksin dhe sapo kishte filluar të shfaqej në kombëtare, megjithatë përvojat me Nacionalin e Montevideos dhe Groningenin e kishin pajisur me një pagash prej 83 realizimesh në 178 takime.

FERNANDO TORRES – Debutuesi më i ri në historinë e Atletikos kishte pesë vite si profesionist kur mbushte 22 vjeç. Për të 238 takime e 90 gola.

ROBERT LEVANDOVSKI – Karriera e tij nisi me ekipe si Delta Varshava, Ziniç Pruzhkov dhe Leh Poznan, por vesi i golit ishte në gjakun e tij siç e dëshmojnë 219 prezenca të zbukuruara nga 98 gola.

LIONEL MESI – 22 vjeç “Pleshti” po përjetonte sezonin e gjashtë te Barcelona ndërkohë që kishte arritur të shënonte 100 gola falë 211 takimeve.

SERXHO AGUERO – Kalimi nga Indipendiente tek Atletiko nuk ia zbeh aftësinë. 107 gola në 278 takime si profesionist janë dëshmia më e mirë e cilësive të Agueros 22- vjeçar.

MARKO VAN BASTEN – Në moshën e Mbapesë po përjetonte sezonin e fundit me Ajaksin, por cilësitë e tij i dëshmojnë më së miri 139 golat e shënuar në “vetëm” 167 sfida.

NEJMAR – Partneri aktual i Mbapesë në moshën 22- vjeçare sapo kishte mbyllur sezonin e parë në Barcelonë, por ndërkohë kishte shënuar 171 gola në 298 ndeshje si profesionist.

RONALDO DE LIMA – Thjesht “Fenomeni” që me 22 vite e 108 ditë mbi shpinë krenohej me 213 gola në 257 ndeshje, teksa përveç Kupës së Botës në vitin 1994, kishte fituar “Topin e Artë” dhe “Lojtari më i mirë në FIFA”.

Related posts

DUAN TITULLIN/ INTERI “i fiksuar” pas TALENTIT gjerman që po MAHNIT EUROPËN

Isa.Autor

ÇMIMI I MADH I AZERBAJXHANIT/ Shtyhen provat në Baku, kaos dhe aksidente në Formula 1 (VIDEO)

Delo.autor

KATEGORIA E PARË/ Shijakasit i afrohen Vllaznisë, kavajasit lënë prapa Bylisin

Isa.Autor

Leave a Comment