Udhëtime ajrore, taksa, dhurata, telefona celularë, fatura mjekësore dhe madje edhe automjete të blinduara. Bujaria e Diego Armando Maradonës ndaj familjes dhe miqve tani ka një vlerë të përllogaritur saktë: 4.699.629 dollarë. Këto janë shpenzimet që ka bërë kampioni argjentinas nga viti 2014 deri në ditën e vdekjes dhe janë regjistruar nga avokati i tij, Matias Morla, i cili mbante llogaritë. Përfituesit i përkasin rrethit të ngushtë të “Dorës së Zotit”: vajzave Dalma dhe Gianinna, Verónica Ojeda (dhe djalit të saj, Dieguito Fernando), Jana, Diego Junior, Claudia Villafane dhe Rocío Oliva.
Në vendin e parë të përfituesve, në listën e publikuar nga avokati i Maradonës, është Rocio Oliva, e cila mori 1.410.882 dollarë, e ndjekur nga Verónica Ojeda (910.638 dollarë), Claudia Villafane (900.000 dollarë), Dalma Maradona (554.870 dollarë) dhe Gianinna (500.863 dollarë). Diego Junior është gjithashtu në listë, me 77.879 dollarë. Shpenzimet e Maradonës korrespondojnë me mbulimin e sigurimit të makinës, patentat, celularët, ilaçet e parapaguara, udhëtimet ajrore, blerjet, shërbimet, vizat, ndihmën për të afërmit e tjerë, shpenzimet e dhëmbëve dhe ndonjë send tjetër që duket se klasifikohet si “dhuratë”.
Ndër më të bujshmet është një makinë e blinduar, dhuruar Veronica Ojeda, e cila kap vlerën prej 96.998 dollarësh. Sipas të dhënave, Rocio Oliva është ajo që ka përfituar më shumë nga dhuratat e Diegos. Pjesa më e madhe e këtyre dhuratave ka të bëjë me Monica Islas, nënën e Rocios, e cila fitoi një shumë të madhe prej 347.855.55 dollarë, duke përfshirë dhurata, sigurime, udhëtime, fatura mjekësore dhe makina.

