Futboll Kategoria Superiore Sport

“PARTIZANI DO TITULLIN”/ Rrëfehet Belica: Sulmin e kemi “top”. Situata me Melon? Probleme ka në të gjitha ekipet

Egzon Belica është një prej liderëve të Parti zanit. Zv. kapiteni i të kuqve ka treguar një nivel të lartë në fushën e lojës, si dhe ka qenë një zë shumë i rëndësishëm edhe në dhomat e zhveshjes. Jo më kot, shokët e skuadrës e thërrasin me nofkën “Profesori”.

Belica, në një intervistë për “Panorama Sport” thotë se dëshira e tij është të qëndrojë edhe sezonin tjetër në kryeqytet, si dhe shpreson t’i shkojnë deri në fund titullit kampion. Për duelin personal kundër Ezesë dhe Ibraimit, “profesori” u shpreh se duhet pak më shumë kujdes se ndaj rivalëve të tjerë, ndërsa për ecurinë pozitive së fundmi, i dha më shumë merita sulmit të “demave”.

Egzon, gjashtë gola të shënuar dhe vetëm një i pësuar në dy sfidat e fundit. Mund të themi se ky është Partizani më i fortë?

Partizani ka pasur dhe ndeshje të tjera që ka qenë shumë lart. Kemi bërë lojë shumë të mirë, pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë të mira. Këto dy ndeshjet e fundit, kanë qenë shumë të mira, kemi treguar një marsh më shumë. Ka funksionuar sulmi, sidomos kundër Bylisit ku shënuan të gjithë. Kemi pësuar vetëm një gol kundër Kastriotit që ishte aksidental. Nëse kemi pasur një marsh më shumë në këto dy ndeshje, për të shkuar deri në fund, duhet të tregojmë edhe një marsh tjetër më shumë.

Dy ndeshje në “Air Albania”, dy fitore. Është një bonus për Partizanin ky stadium, duke pasur parasysh terrenin?

Është pa diskutim një bonus i madh për ne. Është një plus psikologjik. Që kur afrohesh te stadiumi, ndien emocion, atmosferën e ndeshjes. Na jep motivim për të dhënë më të mirën dhe për të marrë maksimumin. E njëjta gjë besoj se do të ndodhë edhe kundër Kukësit. Nëse marrim tri pikët do të ishte perfekte.

Kundër Kukësit keni përballë dy goleadorët e Superiores, Ezenë dhe Ibraimin. Do ketë mbrojtja e kuqe një përgatitje “ekstra”?

Jo vetëm Eze dhe Ibraimi, ekipi i Kukësit ka shumë cilësi. Nuk janë në vendin që duan ose meritojnë, por është një ekip për t’u vlerësuar dhe për t’u respektuar. Duhet të jemi në maksimum për të marrë tri pikët. Eze dhe Ibraimi kanë bërë sezon shumë të mirë, duhet të kemi më shumë kujdes, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne.

Kreu i renditjes ka parë shumë rokada. Mendoni se titulli do të vendoset vetëm në fund apo edhe më herët?

Nuk e di nëse do të shkojë deri në ndeshjen e fundit, por do të ketë ndryshime çdo javë. Të katërta ekipet që pretendojnë për titull, janë ekipe të forta. Çdo gjë do të vendoset javë pas jave. Kush bën më pak gabime, do të kurorëzohet kampion. Nuk e di nëse do të shkojë deri në fund, por pranë fundit do të vendoset.

Punoni me një trajner ekspert si Daja, i cili ka fituar tituj kampion në Shqipëri. Sa e motivon ekipin fakti që keni një trajner të tillë në pankinë?

Nëse do të flasim për vlerat e profesor Dajës, do të rrimë gjithë natën të flasim. Nëse Partizani lufton për titull, është meritë e Dajës. Në janar u zgjidhën disa probleme, por jo të gjitha. Ne që jemi brenda ekipit i dimë më mirë problematikat. Daja ka një vlerë shumë të madhe që ne jemi në garë për titull.

Partizani në çdo ndeshje po merr idenë që Daja do të luajmë. Ka qenë pak e vështirë në fillim, pasi janë ndërruar shumë trajnerë këto 2-3 vite, por mendoj se Partizani po funksionon sipas asaj që mendon Daja. Nëse ne do të bëjmë siç thotë ai, do të kemi një shans të madh për titullin kampion.

Shumë lojtarë kanë raporte të mira me Dajën, por ka dhe lojtarë që ndoshta jo dhe aq, siç ishte rasti i Melos. Mendoni se ndikon negativisht kjo gjë tek ekipi, sidomos në këtë fazë delikate të kampionatit?

Shiko, në çdo skuadër të botës ka probleme brenda grupit. Puna është se te Partizani gjërat bëhen edhe më të mëdha se sa janë. Nëse ndonjë lojtar ka probleme me Dajën, që rrallë ndodh, numërohen me gishta. Prapë mendoj se ekipi është mbi të gjitha. Primare janë pikët dhe ndeshjet, pastaj vijnë çështjet personale. Nuk di ç’të them.

Egzon, ju dhe disa lojtarë të tjerë, jeni në fund të kontratës. Do të jetë Belica pjesë e Partizanit sezonin e ardhshëm?

Nuk e di. Do të kisha pasur dëshirë të rinovoja, patjetër. Jemi shumë lojtarë pa kontratë, klubi ka filluar dhe po bën pak nga pak lëvizjet e veta. Po bisedohet me lojtarët. Nuk e di të them të drejtën, për momentin jam më i fokusuar te ndeshjet e mbetura. Kontrata ndoshta edhe mund të presë pak, primare është ajo që kemi nisur në gusht me profesor Ilirin. Nëse ne ia dalim për titullin, çdo bisedë rinovimesh mes lojtarëve dhe klubit do të jetë më e lehtë.

Partizani ka shumë lojtarë cilësorë në përbërje, të cilët kanë tërhequr edhe interesim nga jashtë, siç janë Asani dhe Çinari. Do ta dobësonte skuadrën largimi i tyre?

Patjetër që po. Të gjithë lojtarët kanë vlerat e tyre. Nuk dua të përmend emra, të gjithë lojtarët janë shumë cilësorë. Klubi ka planin dhe vizionin e tij, do të veprojë sipas planit që kanë për sezonin tjetër.

Related posts

FUNDI I SEZONIT PO AFRON/ “Diktatorët” e titujve, Skënderbeu mbretëron në Shqipëri

Delo.autor

Gattuso shpalos objektivat: Rinovoj pasi të çoj Milanin në Europë

Q.Autor

PAS HUMBJES NË DERBI/ Kapiteni i Torinos, Belotti: Jemi shumë të zhgënjyer, tani duhet të…

Isa.Autor

Leave a Comment